Dhembja e kokes ja si qetesohet

Dhembja e kokës, ja si qetësohet
Prek një ndër katër gra dhe një ndër 12 burra dhe për shumë njerëz në botë është një arsye e fortë për t‘u takuar shpesh me neurologun. Kulmin e arrin mes moshës 30-39 vjeç, por pas nuk ngelen edhe fëmijët. Kur bëhet fjalë për migrenën, gjërat nuk janë aq të thjeshta sa duken. Njerëzve që u dhemb koka në mënyrë kronike, ashtu si specialistët, e dinë shumë mirë se këto dhimbje nuk largohen kollaj, nëse për një kohë të gjatë është abuzuar me ilaçe të llojeve të ndryshme për të gjetur qetësi.

Aq i madh është numri i atyre që vuajnë, sa në shumë vende të botës mjaft pacientë kanë krijuar edhe shoqatat e tyre, me qëllimin e vetëm për të sensibilizuar njerëzit për një sëmundje që shpesh nënvlerësohet, ose kurohet keq. E në fakt, shifrat janë vërtet alarmante. Dhimbja e rastësishme e kokës prek rreth 8 milionë evropianë çdo ditë, ku 3 milionë vuajnë nga ajo e formës kronike, që në pjesën më të madhe të rasteve e kërkojnë shpëtimin tek abuzimi me ilaçe, që ndikon drejtpërdrejt në shndërrimin kronik të problemit. Ndoshta jo rastësisht OBSH-ja e ka renditur dhimbjen e kokës, e sidomos migrenën, në listën e sëmundjeve që janë të vështira të shërohen.

Pacientët në të gjithë Evropën, sipas të dhënave të publikuara në "Europian Journal of Neurology", shpenzojnë më shumë se 27 miliardë euro çdo vit, ku përfshihen ilaçet dhe trajtimet e ndryshme të lidhura me të. Kjo sëmundje prek zakonisht njerëzit që e kanë të trashëguar gjenetikisht, por jo vetëm ata. Stresi, tensioni, mënyrat jo korrekte të të jetuarit, ndryshimet klimatike, ushqime të caktuara, janë faktorë të rrezikshëm, që ndikojnë në shfaqjen e saj. Specialistët këshillojnë se duhet trajtuar mirë që në fillim, për të evituar që krizat të bëhen periodike. "Ta diagnostikosh nuk është e lehtë", shpjegon doktor Lorenzo Pinessi, që ka udhëhequr një ekip pune për studimin e kësaj sëmundjeje.

"Dhimbja e kokës prek 18 për qind të grave, 25 për qind të atyre në moshë pjellore dhe 6-7 për qind të burrave. Mesatarisht vuan 13 për qind e popullsisë së përgjithshme. Rezultatet tregojnë se një e katërta e personave me migrenë kalojnë nga gjendja sporadike në atë kronike, për shkak të abuzimit me ilaçet, sepse terapia e gabuar e favorizon më shumë këtë gjë. "Tek ata që kanë dhimbje koke çdo javë ose çdo ditë, dhimbja shpërthen në bazë të stimujve që sa vijnë e bëhen gjithmonë e më të vogla. Ilaçi ul përgjigjen ndaj dhimbjes, por jo ndjeshmërinë ndaj stimulit, ndaj sapo përfundon mjekimi dhimbja rikthehet sërish, madje më keq se më parë".

Këtë gjë e konfirmon plotësisht fakti se te personat me dhimbje koke sporadike, zakonisht tre-katër herë në muaj, intensiteti dhe shpeshtësia e krizave rritet me konsumin e ilaçeve. Nga ana tjetër, mjafton të navigosh paksa online për të zbuluar se ata që vuajnë nga migrena ankohen se dhimbja nuk kalon me përdorimin e ilaçeve. "Kam dhimbje kokë që kur isha fëmijë. Në fillim përdorja fans, ndërsa tani paracetamol, e megjithatë asnjë përmirësim", shkruan një vajzë 30-vjeçare Anne B. Edhe Xhoni, 35 vjeç nga Britania e Madhe, tregon: "Në fillim përdorja aulin pastaj tachpirina, nuk kam lënë më ilaçe pa përdorur. Vetëm pak lehtësi, pastaj çdo gjë si më parë. Për fat të keq, tashmë më është kthyer në një zakon, me të cilin jam i detyruar të bashkëjetoj". Ndaj doktorët paralajmërojnë që të mos merret asnjë qetësues pa këshillën e tyre.

"E kemi parë nga studimet e ndryshme se kush abuzon me qetësuesit ka një sjellje analoge me ata që marrin drogë. I pinë në fshehtësi, mos t‘i shohin të tjerët, e dinë se po bëjnë gabim, por e kanë të pamundur të veprojnë ndryshe. Më kujtohet se si një grua që vuante nga migrena prej njëzet vjetësh erdhi te ne kur pinte rreth 4 qetësues në ditë dhe asgjë nuk i bënte efekt", tregojnë mjekët. Nëse ky është si një rreth i mbyllur, të dalësh që andej është thuajse e pamundur. Së pari, të duhet një diagnozë e saktë për dhimbjen e kokës. "Llojet më të zakonshme të dhimbjeve të kokës janë ato nga tensioni i lartë dhe migrena me të vjella e shqetësime ndaj dritës, por është shumë e zakonshme që një person t‘i ketë të dyja pa i dalluar mirë.

 Ndaj, marrja e ilaçeve na e bën më të vështirë punën për të dalluar një dhimbje koke që lind nga kontraktimi muskulor i qafës dhe shpatullave e migrenës së vërtetë", tregon një neurologe angleze. Në Romë dhe në Paris janë dy qendrat e vetme në Evropë të ndihmës së shpejtë për të sëmurët me migrenë. Sipas shifrave, të dala prej tyre, në 30 për qind të rasteve pacientët paraqiten për shkak të abuzimeve me ilaçet dhe dhimbjet që nuk kalojnë, pasi kanë provuar gjithçka, ose për shkak të ndonjë dhimbjeje të fortë të pa hasur ndonjëherë". Në këto qendra pacientët trajtohen me një kujdes të veçantë. Shumë prej tyre shtrohen dhe u nënshtrohen etapave të caktuara për të arritur shërimin e plotë.

Në fillim e rëndësishme është diagnoza. "Kjo përcaktohet përmes analizave të ndryshme neurologjike dhe rezonancës manjetike për të parë me kujdes arteriet dhe venat e ndryshme të trurit, analizat e gjakut dhe funksionin e veshkave, mëlçisë e tiroideve. Pastaj hiqen nga lista të gjitha ilaçet që pacienti përdorte më parë për t‘u zëvendësuar me të tjerë që ndihmojnë në parandalimin e krizave dhe uljen e shpeshtësisë", tregon ai. E në fakt, vitet e fundit lista e substancave me funksion parandalues është zgjatur. Më parë specialistët, në varësi të rasteve përdornin ilaçe të ndryshme, duke vlerësuar rreziqet dhe të mirat e tyre. Më të këshillueshmit ishin antidepresivët, sepse migrena konsiderohet një përbërës i depresionit, betabllokuesit dhe antiepileptikët që i ndalojnë qelizat nervore të eksitohen.

Pastaj, janë edhe injeksionet që bëhen për të qetësuar tensionet muskulore, hapi i fundit drejt qetësimit të dhimbjeve, është ai ku së bashku me specialistin të gjendet ilaçi i duhur sapo e kupton që mund të të zërë dhimbja e kokës. Në ndihmë mund të na vijnë edhe terapitë pa ilaçe si: joga, vrapi në ajër të pastër, teknika qetësimi dhe ndryshimi i stilit të jetesës, apo ushqimit. Por, për të zhdukur plotësisht migrenën kronike, sipas këtyre strategjive, duhen disa javë. "Migrena kronike është si një tërmet, ku para së gjithash duhen eliminuar gërmadhat. Të heqësh zakonin e përdorimit të ilaçeve dhe të braktisësh zakonet e vjetra, vetëm pas kësaj mund të shohësh rezultatet".

Sëmundja

Njerëzit që preken nga migrena konsiderohen si njerëz me tru shumë të ndjeshëm, sepse sëmundja lidhet shpesh me pakësimin e lëndës gri në disa zona cerebrale, përgjegjëse për dhimbjen. Të paktën ky është rezultati i asaj që ka dalë nga një studim i kryer prej një grupi shkencëtarësh. Kështu, pas më shumë se disa dekadash studimesh, një grup neurologësh anglezë, për herë të parë në botë, kanë parë migrenën me një version special të rezonancës manjetike cerebrale, e aftë për të evidentuar edhe ndryshimet më të vogla të lëndës gri, ose të bardhë, në zona të veçanta që nuk mund të shihen me analizat tradicionale.

"Në rastet më të rënda kemi arritur të shohim pakësimin e lëndës gri, ose të bardhë në qendrat përgjegjëse për dhimbjen, shpjegon një neurolog i Universitetit të Harvardit. Për herë të parë kemi treguar se migrena nuk është vetëm një shqetësim funksional, por një sëmundje e vërtetë me bazë në strukturën e trurit". Megjithatë, më shumë se një javë më parë, një tjetër kërkim i "Havard Medical School" tregonte se migrena provokonte një trashje të kores së trurit në zonat e lidhura me shikimin. Një rezultat vërtet i rëndësishëm për të shpjeguar se përse në disa raste krizat shoqërohen me shenja epilepsie, duke shkaktuar ndryshime edhe në pamje.

Pakësimi i lëndës gri, i vëzhguar nga ekipi i mjekëve, është i lidhur me përkeqësimin e sëmundjes dhe me shpeshtësinë e krizave. "Sa më shumë është evident fenomeni, aq më shumë e aq më të rënda dhe më të shpeshta janë dhimbjet, por akoma nuk ka të dhëna nëse kjo atrofi e lehtë ndryshon funksionet konjektive", thonë ata. Specialistët kanë treguar gjithashtu edhe për raportin e ngushtë mes dhimbjes së kokës (vetëm në rastet më të rënda me 3 deri në 4 herë në muaj) dhe obezitetit. Por nëse ata që vuajnë nga dhimbjet më të forta mund të gjejnë shpëtim veçse te ilaçet, kush vuan nga dhimbjet më të lehta mund të gjejë qetësi edhe me metoda të ndryshme natyrale, për shkak të efektit qetësues që japin.

"Për këtë u këshillojmë të gjithë pacientëve një dietë të kombinuar mirë", tregojnë mjekët. Kështu, në praktikë, përveçse duhet ndjekur një mënyrë ushqyerje shumë e varfër me yndyra, duhet hequr dorë edhe nga disa përbërës ushqimorë si: djathi, çokollata, vera, banania, prodhimet e detit, frutat e thata, agrumet dhe domatet. Gjithashtu është zbuluar se nga migrena vuajnë më shumë gratë se burrat (në një raport pesë me një) rreth moshës 30-40 vjeç dhe siç e thamë më lart, personat në mbipeshë. Ndërsa për sa u përket fëmijëve, vetëm 5-6 për qind e tyre preken nga migrena pa ndryshime të mëdha mes sekseve. Origjina e sëmundjes është e trashëguar, ndërsa ilaçet për shërimin e plotë të saj nuk janë gjetur akoma.


Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama