Drejtori i Trashëgimisë Kulturore në Elbasan, Kreshnik Belegu, thotë se duhet patjetër që pushteti vendor të japë veton në këto lloj vendimesh që prekin direkt trashëgiminë e saj. “E kam ndjekur debatin për dhënien me qera apo koncesion dhe pyetja e parë që unë bëj është se këto monumente ndodhen në territorin e pushtetit vendor. A kanë të drejtën duke qenë se administrojnë fizikisht këto monumente dhe dëgjoj që askush nuk e ngre faktin e rolit të pushtetit vendor për këtë qëllim që është duke u diskutuar.
“Personalisht mendoj se janë bashkitë dhe komunat që duhet të japin miratimin për kthimin e monumenteve në identitet, për t’i shfrytëzuar etj. Sigurisht si ide nuk është e keqe që ato të jepen në përdorim, pasi ka kala që ndodhen jashtë rrugëve dhe duhen shfrytëzuar mundësitë për t’i ripopulluar apo shfrytëzuar, por edhe në rastin e tyre njësitë vendore duhet të kenë rol”.
Duke e marrë si rast të veçantë Kalanë, ai shprehet se bashkia duhet të ketë rol kryesor dhe të konsultohet me Institutin për ndërhyrjet apo rindërtimet.
Edhe për ato to objekte që janë të banuara, siç është kalaja e Elbasanit, është e domosdoshme të restaurohen, të ringrihen apo shfrytëzohen. Sigurisht që vendimi do të merret dhe ruajtja do të bëhet në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve, por duhet të jenë njësitë vendore që duhet të kenë rolin e tyre edhe për rivitalizimin e këtyre objekteve. Elbasani ka gjithashtu edhe një veçori, pasi tashmë është përfunduar një studim të plotë i bërë nga Universiteti i Pizës dhe Bashkia Elbasan. Ky studim ka përfunduar dhe është orientim për atë çfarë mund të bëhet më tej me Kalanë.
Kreshnik Belegu ka deklaruar se nuk ka aspak siguri kontrolli apo menaxhimi pas dhënies me qira të këtyre objekteve kur ai do të bëhet nga Instituti. Sipas tij, ekziston shembulli i kaosit të ndërtimeve në kalanë e Elbasanit për të treguar se si është menaxhuar deri tani situata.
“Paaftësia e menaxhimit të këtyre monumenteve, qoftë nga instituti i monumenteve të kulturës, por edhe më lart, do të sjellë probleme, pasi dihet si kanë rrjedhur gjërat tek ne sidomos në kalanë e Elbasanit. Dihen problemet që hasen brenda kalasë së Elbasanit në dhënien e lejeve të ndërtimit dhe kontrollin e kritereve. Kushdo që të jetë, do të shohë se ndërtimet janë bërë dhe nëse janë bërë brenda kritereve, atëherë do të thotë se Instituti ka bërë punë të mirë ose jo”.
Sa i përket projekteve për Kalanë e Elbasanit, ai shprehet se ka disa ide. “Sa i përket Elbasanit, di që janë dy kullat më të mëdha, njëra në pjesën juglindore dhe në jugperëndimore. Di që në njërën prej tyre është përcaktuar një fond dhe në njërën prej tyre do të ndërtohet një muze arkeologjik, madje ka ide që ajo ndahet në tre kate dhe ka ide që një pjesë të kthehet edhe në një zonë muzeale të ikonografisë, pasi Elbasani ka rreth 190 objekte që janë në Tiranë dhe mund t’i marrim për të bërë një pjesë të këtij ekspozimi”.
Edhe Belegu e bashkon mendimin e tij me shumicën e specialistëve, sipas të cilëve, në kushtet që ndodhet vendi, dhënia me koncesion e monumenteve do të ishte e frikshme.
Hasa: Të mos i trajtojmë monumentet si mall i askujt
Pedagog i arkeologjisë në Universitetin e Elbasanit, një ndër njohësit më të mirë të monumenteve të kulturës në qarkun e Elbasanit, Riza Hasa, thotë se dhënia e monumenteve me qera apo me koncension është një përgjegjësi shumë e madhe dhe duhet të ishte diskutuar më parë gjerësisht.
“Bashkohem me mendimin e specialistëve që para se të jepen me koncension monumentet, më parë duhet të konsultohen specialistët. Kjo jo thjesht duke i marrë mendimin atyre, por duke parë në vend dy rastet që janë dhënë me koncension dhe duke i analizuar ato. Duke bërë këto konsulta dhe parë në vend se çfarë ka ndodhur me këto monumente, atëherë mund të themi se duhen dhënë apo jo me qera apo koncension edhe të tjera.
Ne vazhdojmë të sillemi me monumentet me remineshenca të krijuara nga e kaluara se po qe shtet është pronë e askujt. Duke pasur këtë ide, atëherë po tentohet të jepet gjithçka me koncesion me idenë se po zgjidhet e keqja më e vogël. Unë mendoj se shteti nuk është kaq i pafuqishëm sa të mos mirëmbajë edhe historinë e tij”.
Ndërkohë, Hasa ngre të tjera shqetësime duke theksuar faktin se mosfunksionimi i deritanishëm ka ardhur nga mungesa e komunikimit midis institucioneve. “Institucionet nuk bashkërendojnë punën me njëra-tjetrën dhe aq më tepër me njësitë vendore. Si pedagog i arkeologjisë jam shpesh me studentët në ekspedita duke i parë nga afër këto monumente dhe gjendja e tyre është e mjeruar.
Monumentet duhen mirëmbajtur, duan kujdestar dhe aq më mirë të shfrytëzohen për turizëm”. Gjithashtu, arkeologu deklaron se është shumë e rëndësishme që fillimisht të përforcohen strukturat e kontrollit, të funksionojnë dhe më pas duhen trajnuar në mënyrë të veçantë nëse do t’i marrin me qera, ata që do ta përfitojnë këtë të drejtë. “Ne kemi dy shembuj të mirë ku privati ka marrë në përdorim pjesë të Kalasë së Elbasanit.
Kam vënë re që ata marrin gjithmonë mendimin e specialistëve. Ky është një shembull i mirë se si duhet të sillet privati ndaj monumenteve të Kulturës, por sa garanci ka që pjesa tjetër do të sillet në të njëjtën mënyrë, është një pyetje që aktualisht nuk ka siguri”, përfundon Hasa duke shprehur shqetësimin e tij për sjelljen e privatit me monumentet pas koncesionit apo marrjes me qira të tyre.