Dhermi Rama shfuqizon koncesionin

Dhermi, Rama shfuqizon koncesionin

Një koncesion që do të pushtonte plazhin e Dhërmit i dhënë nga qeveria Berisha është shfuqizuar gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë Rama. Bëhet fjalë për vendimin e qeverisë Berisha i marrë në 1 gusht 2012, për të ngritur një fshat turistik në Dhërmi. Ky projekt do të pushtonte plazhin e Dhërmiut për më shumë se 2 kilometra.

 

Gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave, është “shfuqizuar vendimi Nr.591, datë 1.8.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e autoritetit kontraktues për zhvillimin e një projekti koncesionar në zonat, plazh Dhërmi dhe plazh Perivoll, me karakter turistik, panoramik dhe informues, ndërtimin e infrastrukturës përkatëse dhe miratimin e bonusit në procedurën përzgjedhëse konkurruese që i jepet shoqërisë “Eurokontakt”, sh.p.k.”, raporton “Shqiptarja.com”.

 

Vendimi për shfuqizimin e këtij koncesioni është marrë “në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 121 e 124, të ligjit nr.8485, datë 12.5.1999, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes”. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

VENDIMI I DATËS 1 GUSHT 2012

 

Sipas një vendimi të fundit të qeverisë, botuar në Fletoren zyrtare, qeveria Berisha kishte dhënë me koncesion zonat në plazh Dhërmi dhe plazh Perivoll. Sipas vendimit, “autoriteti kontraktues për kryerjen e procedurave ligjore për zhvillimin e një projekti koncesionar në zonat plazh Dhërmi dhe plazh Perivoll, me karakter turistik, panoramik dhe informues dhe ndërtimin e infrastrukturës përkatëse është bashkia Himarë”.

 

“Miratimin e bonusit prej 2% (dy për qind) të pikëve, për rezultatin teknik dhe financiar, në procedurën përzgjedhëse konkurruese (propozim i pakërkuar), që i jepet shoqërisë “Eurokontakt”, sh.p.k”, thuhej në vendimin e zbardhur të qeverisë Berisha në vitin 2012. Sipas qeverisë Berisha për zbatimin e këtij vendimi, ishte ngarkuar bashkia Himarë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama