Njëri nga udhëtarët italianë, punëtori, i cili i ka premtuar se do ta ndihmonte për të gjetur një dhomë me qira, e mban fjalën dhe vjen në hotel herët. Taksia ndalet ku thotë ai, në rrugën “Lieutenant Chanaron” numër 12. Derën ua hap një zonjë e moshuar. Dallohej tek ajo sjellja tipike aristokratike, kur i fton që të hyjnë. Marangozi mund të kishte punuar atje se zonja “ia lëvdoi punën”. Ai i kërkon një dhomë me qira dhe i flet me bindje për fisnikërinë e studentit shqiptar. Zonja as që e kishte dëgjuar ndonjëherë emrin Shqipëri. Dhimitri preket. Ai deshi të thotë se ne jemi të njohur si pasardhës të Ilirëve, por hesht se nuk është vendi dhe ndien një mëri ndaj historisë. Zonja pranoi t’i jepte një dhomë me një çmim të lirë dhe studenti i ri zgjohet nga përjetimet. Edhe pse ajo e quan lirë, atij prapë i duket shtrenjtë. Në të vërtetë dhoma kishte qenë e lirë me 140 franga në muaj, por ai do ta mësojë më vonë këtë gjë.
Zonja i vë një kusht: Të mos sillte kënd në shtëpi, sepse bën mësime kantoje për vajzat e reja dhe i duhet qetësi. Ajo i tregon dhomën e tij, pianon që ishte në sallon, kopshtin dhe në çastin e ndarjes e fton për darkë, duke shprehur kështu mikpritjen tradicionale franceze. Kështu nis jeta e re e studentit shqiptar. Atë ditë ai gjen ndërtesën e fakultetit që është në qendër të qytetit dhe regjistrohet në dy fakultete njëherësh: drejtësi dhe filozofi. Këtë e bëri, siç thoshte, nga “dashuria për letërsinë”. Dhe i riu mendon: “Si mund të jesh poet pa kaluar nëpër rrugët e filozofisë e të drejtësisë?”. Ai nuk mundi të regjistrohej për letërsi, sepse si kriter parësor ishte latinishtja që e braktisi dikur në lice. Gjithsesi ai i premtoi vetes se do ta merrte si degë edhe letërsinë me kurse leksionesh të lira.
Në mbrëmje, gjatë darkës, zonja e pyet për udhëtimin. I bëhet qejfi që kishte të bënte me një djalë profesori. Ai nga krenaria i thotë se është poet, i tregon librin “ Kangë?”. Nuk përmbahet dhe i thotë se i bie mandolinës: Në lice kishte qenë në grupin e mandolinistëve. Zonja tund kokën dhe i përgjigjet se do të ketë rast ta provojë sa virtuoz ishte. Ajo nuk u beson veshëve kur ai i flet për liceun francez në Shqipëri. Më në fund i jep një palë kufje për të dëgjuar muzikë. Kur shkon për të fjetur, ai dëgjon ende tingujt e veprave të Saint-Saëns, Debussy, Ravel e të tjerë.
Të nesërmen djaloshi nis leksionet. Jeta studentore hap siparin. Ky njeri me vullnet të hekurt dhe me pasion prej mistiku fillon të ndjekë leksione për filozofi e drejtësi, që i ka në program, por edhe leksione të lira për letërsi. I shkruan të atit dhe i shpjegon arsyet përse nuk u regjistrua fillimisht për letërsi. Ai bëhet menjëherë anëtar i bibliotekës së universitetit. “Ajo ishte një nga më të pasurat e Francës, me 300 mijë libra. Ishte parajsë e vërtetë” (Bisedë, prill 1995). Kurset e filozofisë janë thuajse të përditshme. Zoti Chevallier, që ia kishte rekomanduar profesori i filozofisë në liceun e Korçës, zhvillonte leksione për filozofinë idealiste, që për djaloshin materialist nuk është edhe aq e këndshme. Dhimitri lexon dhe studion gjer në orët e vona të natës. Leximi është bërë natyrë e tij e dytë. Kuptohet që në universitet hapësira e leximeve bëhet e pafundme.
Pasi kalojnë dy javët e para, një ditë që nuk ka leksion paradite, ai i kushtohet njohjes së qytetit. Ka lexuar në një libër për historinë e tij: Në fillim qytet i Allobrozhëve (Allobroges, popullsi kelte në Galinë transalpine gjer në shekullin II p.e.s., kur u pushtua nga romakët, pastaj me emrin e perandorit romak Gratianus Gratianopolis). Në shekullin VIII dhe XI bënte pjesë në mbretërinë e Burgonjës dhe i bashkohet Francës në shekullin XIII. Në shekullin XIV, aty u ngrit një universitet i rëndësishëm, vazhdimësi e të cilit është universiteti që ndjek Shuteriqi në kohët moderne. Në qytet ka shumë ndërtesa klasike, si katedralja Notre Dame dhe porta e madhe Saint Laurent, të dyja ndërtime të shekullit XVII, por ka edhe ndërtime më të hershme, si kisha Saint-André dhe Saint Louis, të dyja të shekullit XIII, Pallati i Drejtësisë i shekullit XV dhe XVI etj., që ai i lë për një ditë tjetër dhe viziton muzetë.
Së pari, hyn në Muzeun Bashkiak, një ndërtesë madhështore, e ngritur në kohën e mbretit Louis XIV dhe pastaj Muzeun e Arteve, muze i shquar, shumë i pasur; atë kohë i dyti në Francë pas atij të Luksemburgut. Dhimitri e shijon pikturën si profesionist, ai ka një dosje me qindra vizatime e skica të liceut, kur ishte nxënës i Vangjush Mios, por si njeri që vjen nga Shqipëria, një vend pa muzera, atij i bën përshtypje të fortë sidomos gërshetimi i traditës me bashkëkohësinë.
Dhe atë ditë, paksa i nxituar se do që të vizitojë edhe një muze të vogël të piktorit Fantin-Latour para orës 14.00, ngatërron adresën dhe futet në një rrugicë të ngushtë, si rrugicat e Korçës. Aty i tërheq vëmendjen një tabelë me emrin Coopé (Koope) ( Restorant kooperativë për studentët e varfër, që e kishin ngritur çifutët polakë në fillim të viteve ’30), në katin e dytë e që kishte afishuar poshtë menynë për të ngrënë me çmime të lira. Ai ngjitet lart, ulet dhe porosit. Dreka i duket e mirë. Garsoni i premton se në darkë do të hante më mirë, se ngaqë ishte vonë, “gjellët e drekës kanë mbaruar” dhe e shoqëron pastaj në kafe Glacière. Ai është student polak.
Dhimitri tani e zgjidh edhe problemin e të ngrënit. Të dielën, ai vazhdon vizitën në pjesën e vjetër të qytetit me ndërtime mesjetare. Muzeu Fantin-Latour i shekullit XIX ishte shtëpia e vetë piktorit. Atje mes të tjerash kishte një tablo për idhullin e tij Baudelaire, që e jep ulur në një kënd me libër në dorë e që poeti ynë e pëlqeu shumë.
Leksionet dhe seminaret vazhdojnë me ritme të reja. Zoti Chevallier jep katër orë, pra dy herë në javë. Ditët e tjera ai i kalon në ndonjë universitet të Francës apo Europës... Në universitet, atmosfera është e larmishme. Si njeri i shoqërueshëm që është, universitari i ri ka bërë menjëherë disa miq. I ka takuar pothuajse gjithë studentët shqiptarë. Madje i pari fare e bëri të përballej me një qëndrim antisemit, kur i tregoi për pardesynë që kishte blerë te një shitës çifut në Bari. Me bllok në dorë, duke i bërë një portret, ai u largua atë ditë, pa i dhënë shpjegime. Nuk e takoi më.
Ai është i gllabëruar nga leximet filozofike e letrare, por duke qenë i angazhuar lexon edhe shkrime të majta në të përjavshmen “ L’Humanité”, që ishte gazetë e seksionit francez të internacionales. Si komunist i ri, informohet se viti ‘36 në Francë kishte ardhur edhe me vijën e ndarjes së qartë midis së majtës dhe të djathtës. E djathta ekstreme përpiqej t’i kundërvihej së majtës, që ishte bashkuar me qeverinë e Frontit Popullor (Front Populaire), drejtuar nga socialisti Léon Bloom, që ka ardhur në pushtet, me idenë e ndryshimit të kushteve të jetës dhe punës së punëtorëve.
Kjo ide ishte shfaqur në luftën e tij si politikan, që më 1904 kur kishte filluar bashkëpunimin me Jean Jaurès (1859-1914), filozof dhe politikan, themelues i gazetës “ L’Humanité” (1904), deputet i së majtës që më 1885, anëtar i partisë punëtore franceze, drejtues dhe udhëheqës i partisë socialiste që ishte për bashkimin e lëvizjes së majtë. Ka zhvilluar betejat socialiste me ligjin për një shkollë laike dhe për përmirësimin e jetës së klasës punëtore. U vra nga një nacionalist më 1914...
Në ditët e para të vajtjes në Grënobël studenti shqiptar është njohur dhe ka lidhur miqësi me studentin ukrainas, Alik Fichtenreich. Aliku ishte komunist i vendosur. Dy të rinjtë bëhen shokë ideali. Ata dëgjojnë së bashku me mallëngjim për parakalimet e rinisë në mbrojtje të Republikës dhe paraqiten në Komitetin Krahinor të Partisë Komuniste Franceze për t’u regjistruar vullnetarë për në Luftën e Spanjës. Mbrojtja e Republikës ishte si “karta e identitetit” të një revolucionari të vërtetë. Spanja ishte shndërruar në simbol. Dhe të ishe student në atë kohë, do të thoshte ta kishe pjesë shpirtërore frymën e zjarrtë revolucionare.
Por kur djemtë shkojnë përsëri në Komitet në ditën e caktuar të marrin njoftim për datën e nisjes, u kthejnë përgjigje negative. Për Alikun thonë se ishte sovjetik, kurse Dhimitrit nuk ia tregojnë arsyen. Duhej të priste. Dhimitri i shkruan edhe njërit prej shokëve të tij të ngushtë, ish-liceistit Gani Narazani, që tashmë ishte në Turqi, revolucionar, komunist me të cilin qe arrestuar në shkurt, por ai nuk i kthen përgjigje. Ndoshta nuk i vete letra. “Kur vonoheshin përgjigjet e Dhimitrit, babës i shkonte mendja se kishte ikur në luftën e Spanjës” (Bisedë me motrën e Shuteriqit, Lumnije Baba Shuteriqi, shtator 1998)...
Në këtë atmosferë të ndezur, meqë përpjekja për të shkuar në Spanjë dështon, Dhimitri e shton edhe më tepër zellin ndaj studimeve. Ai është lidhur me Partinë Komuniste Franceze që në fillim dhe merr pjesë nëpër mbledhje ku përgjithësisht diskutohet politika e ditës dhe shpallen direktivat e partisë. Është zgjedhur edhe sekretar i rinisë komuniste për kuotat në organizatën ku bën pjesë, duke patur njëkohësisht si detyrë të punojë me të rinjtë e lagjes së vjetër, të quajtur Lagjja Italiane. Dhimitri i zgjeron njohjet me revolucionarë edhe gjatë drekave apo darkave në Koope... Djali i ri vazhdon i qetë studimet. “ Bursa” e vogël që i ka dhënë Simoni, i mundëson që të bëjë një jetë të rregullt. Ai ndjek edhe leksionet e lira. Një fotografi e auditorit ku zhvillon leksione letërsie profesori Jacoubet, e tregon studentin shqiptar të përqendruar...
Studentin Shuteriqi e tërheq edhe një kurs për Edgar Poe-n dhe Baudelaire-in. Emri Baudelaire ka një kuptim të veçantë për të. Një profesor tjetër, Monglond quhej, ishte specialist i pararomantizmit. Ai jep leksione për dy përfaqësues të shquar të kësaj rryme : Benjamin Constant dhe Madame de Stael, e cila ishte një ndër gratë e ditura të kohës në Francë dhe kishte qenë e dashura e Constant-it. Duke zgjeruar njohuritë, ai i rizbulon romantikët Musset, Sand, Lamartine apo Goethe, që i jepnin një pasqyrë ideale melankolisë së tij natyrore. Ai mban shënime sistematike dhe lexon shumë. Në letrat që i dërgon të atit vihet re përpjekja për ta bindur se i ka hyrë shkollës seriozisht. Në një letër të datës 7 nëntor 1936, ai ndër të tjera shkruan: “ […] Po mos u trembni se do të mësoj fare mirë”( Arkivi familjar).
Mos kanë shprehur ndonjë lëkundje prindërit e tij? Është disi e pabesueshme të kesh dyshim për një student që ka dalë i shkëlqyer në lice. Por arsyen përse “ tremben” ata, e sqaron letra tjetër e pas tri javëve që mban datën 27 nëntor e që shpreh synime të qarta: “ I dashur babë, punën e kam nisur me qejf e do t’ia dal në krye. Sivjet do të përgatis edhe një tjetër certifikatë […] Deri tani kam blerë tre libra latinishteje. Në orët e frëngjishtes kam edhe linguistikën frange; linguistikën romane dhe atë të gjuhës së vjetër franceze ; certifikatën që duhet të bëj në vend të greqishtes së vjetër, do ta zgjedh më vonë”. (Arkivi familjar). Fillimisht, leksionet e zotit Chevallier iu dukën shumë të pasura Dhimitrit.
Vërtet zoti Chevallier ishte pedagog i shkëlqyer, por ligjërata e tij ishte e mbrujtur aq shumë me teologji sa studentit materialist ndonjëherë i bëhet i padurueshëm. Po ta kishte ditur këtë gjë që në fillim nuk do t’i ndiqte leksionet e tij. Përveç mistikëve që i mbante si provë të ekzistencës së Zotit, ai edhe Platonin e quante provë të tillë. E quante “ një i krishterë, të cilit i mungon hiri i shenjtë”. Njëherë studenti shqiptar, debaton me profesorin e i thotë se: “Platoni vështirë të futet në rrethin hyjnor, sepse ka jetuar disa shekuj përpara se të lindte krishterimi”. Profesori e argumenton me filozofinë idealiste që është e lidhur me paraekzistencën e ideve dhe që e tregon realiteti ynë mistik. Salla kthen kokën të shohë atë të huaj që e flet aq rrjedhshëm frëngjishten... Ai nuk i lë pas dore leximet për letërsinë. Në Francë lexon poetët grekë, por edhe latinët, Virgjilin, Plautin, Terencin, Juvenalin, pastaj autorë të tjerë, spanjollë, anglezë , sidomos Shekspirin, poezinë skandinave, gjermane.
Kohën e lirë ai e kalon duke lexuar poezi, duke ndjekur jetën e pasur artistike të qytetit, atë që nuk ishte e kushtueshme, por edhe duke bërë flirte platonike me vajza. Te shtëpia e zonjës, vijnë përditë çupa të bukura që ushtrohen në piano. Ndonjëherë vjen edhe një prift katolik, abati Fernand, i cili në rininë e vet kishte qenë poet i njohur. Ai donte të pajtonte pianisten me të birin që nuk fliste. “Si për ironi, hasja ime e parë me krijimtarinë e grënobleze, ishin poezitë e këtij prifti katolik” (Bisedë, nëntor 1995). Zonja ia prezanton si poet shqiptar. Abati e njeh pastaj me një poet të ri, njeri me kulturë që kishte dhënë ca kohë frëngjishten në universitetin e Abeerdenit në Angli, Louis e quanin. Ai foli për letërsinë shqipe në radion e Grënoblës dhe lexoi frëngjisht dy-tre poezi të Shuteriqit. Madje një ditë nëntori, ai iu lut ta shoqëronte në Lion, ku ishte laureuar nga Shoqata e Poeteshave Lamartiniane.
Shuteriqit i kujtohej befasia e tij, kur priste të shihte vajza ta reja dhe u ndodh në mes ca zonjave flokëbardha. Klubi i tyre ishte një ndërtesë baroke e shekullit XVII. Ato qenë mbledhur në një sallon të madh dhe i pritën dy të rinjtë me duartrokitje. Ata zunë vend pranë kryetares dhe Roberti e paraqiti Dhimitrin si poet shqiptar. Zonjat bëhen shumë kureshtare. Mes tyre shumica e dëgjojnë për herë të parë emrin Shqipëri. Gjatë ceremonisë kur iu dha fjala të recitonte një poezi, të cilën e përktheu frëngjisht vetë në çast, kryetarja i bëri lëvdatë dhe e pyeti nëse kishin erotikë poezitë e tij. Djaloshi iu përgjigj se kishin edhe lirikë. Zonjat qeshën. Njëra i tha se ai duhej të ishte më i guximshëm si poet, sepse poezia që recitoi ishte e zhveshur nga erotizmi.
Ai zbulon edhe rrethinat me male të larta. Një shkrep në lindje, gati kërcënues për atë që e sheh për herë të parë, quhej “Le Casque de Neron” (Përkrenarja e Neronit). Dhimitrin e tërheq natyra në çdo kohë. Ai merret edhe me sport. Në Alpet e Grënoblës kishte pika për ski që njihen në të gjithë botën. Dimri me borë sillte gjallëri dhe bukuri nëpër lartësira. Në nëntor, një fundjave, ai shkon për ski me një grup djemsh e vajzash që ishin miq. E kalojnë natën në një lokal me qira. Dhimitrin e pëlqejnë vajzat, ngaqë ka sjellje të kulturuar, por edhe se është i pashëm. Pikërisht kjo gjë e bën pak të druajtur.
Shekulli