Dhjami vjen nga lehtesite

T’ëmën, bre, sikur të bëhej e mundur të gjeje një peshore që t’i peshonte të tërë amerikanët bashkë! E pastaj ta ndaje peshën, për numër të amerikanëve! Jam i bindur që do na dilte ajo që them unë: që mbi këtë rruzull, amerikani është njeriu me peshën më të madhe!
Ngjallmëria amerikane është më e shëmtuara në botë. Televizionet këtu, gjysmën e ditës japin për të ngrënë, e gjysmën tjetër të tregojnë si të ulësh peshën. Fry e çfry! Këtë bëjnë tërë ditën ata. Mbase dhe e teprojnë, po tregojnë për njërin, që hyri brënda në një shtëpi. Hyri pe derës dhe pas një muaji prishnë murin, që ta nxirrnin jashtë! Në Amerikë viçat majmen në tre muaj, peshqit fryhen në tri javë, vezët bëhen në tri ditë. Domatet mbillen, rrumbullosen e skuqen nën sytë e atij që ka kërkuar sallatë pe tyre.
Njerëzit që merren me kujdesin e të ushqyerit flasin, se këto prodhime të kopilosura, trupit të njeriut i sjellin vetëm dhjamë.
Po dhjamin më të tepërt e sjellën lehtësitë, ore! Del nga porta, hip në autobus, apo në tren të nëndheshmë; zbret nga treni futesh në ashensor e ai të ngjit në kat të trembëdhjetë; aty gjen një korridor, që rrëshqet vetë e të le mu te der’ e zyrës ku ke punë! Kot këmbët, kot që janë të ndara shalët: hidhu pupthi e vajte në ato vënde që do! Ç’bëhet, bre, kështu?! Valixhen ta merr taksisti, ushqimet t’i mban qerrka pe alumini, betonin e ngre vinçi. Patatet i ble të zhveshura e të bërë thelka, qepët i merr të grira, mishin e merr të coptuarë, arrat i ke të qëruara. More, vite me rradhë u përpoqnë dhe ia arritnë të na nxjerrin nëpër dyqane shalqinj edhe rrush, pa fara hiç! Ngaqë nuk duan të na lodhin as të pështyjmë farat, o i pështyftë i paudhi!
Pa le po t’i kërkosh njeriu një mundim të vockël! I thua djalit “shko o Fatlum e bëji një zë motrës te një shoqka e saj, në billdingun përballë”, ai e nxjerr cellularë dhe hop, pas dy minutash e ke Irkën përpara syve!
T’ëmën-o, çfarë ka bërë dembelizmi! Se tërë këto shpikje dembelëve ua kemi borxh, ore! Se ngaqë dembelat përtojnë të lodhin bythën, vrasin mendjen! E shpikjet –varda! Tashi nuku do duhen më as parqet e as lëndinat, për të vrapuarë. Shiten ca makinka, që i fut në dhomë dhe rend mbi to kilometra të tëra, pa dalë nga dhoma hiç. Mbi to vrapojnë njerëz, që në mëngjes kanë ngrënë gjellët, që u propozon rekllama dhe pasdite rendin dhjetëra kilometra të arrijnë peshën, që kishin pa i ngrënë ato. Jetë është kjo-o?!
Cellularët, që i kanë shpikur dembelët që dashurojnë, e kanë zhdukur fare atë përfytyrimin e ndënies nën ballkon, mandolinatat, apo qoftë edhe atë të hedhjes së një litari nga ana e çupës dhe kacavarjes në të, nga ana e djalit. I kanë hequr dashurisë haraçin e mundimit, që ish aq i bukur! Aq i bukur, saaa… Eh, ish i bukur dhe i shëndetshmë! Tashi dashnorët i sheh të shtrihen si lopët në dhoma të gjumit a të pritjes, dhoma, që janë qindra kilometra larg njëra-tjetrës, e të rinjtë treten orë të tëra me psherëtima, çuçuritje e puthje në vrimkat e cellularëve. E zhurmën e mbllaçitjes e merr përsipër ta shpjerë në vesh të tjetrit Verajzoni, AT&T, MCI-ja e tëra kompanitë telefonike që shfaqen fapefup, si këpurdhat! E varda koha, rrjedh lumë, sa për t’u fryrë xhepat kompanive.
Një ditë në një kafene, katër veta nxorrën, në të njëjtin çast, tetë cellularë njëherësh! Se ka plot që kanë nga dy. Shoferët i ngasin makinat me njëqindenjëzet në orë e flasin në cellular. Tashi, që policia ua ka vënë dardhat në bigë, kanë blerë kufje të vockëla, si fasulka, që i ngjeshin në vrimë të veshit, i hedhin përmbi llapët, i ngatërrojnë fijet nëpër leshra, ku s’dallohen hiç edhe e përfundojnë fillin në xhep, aty ku mbajnë cellularin. Çupkat, që u ka trullosur mendjen ajo që thamë, i kanë ngjeshur kufjetkat mirë e mirë, ecin në trotuar, flasin me dashnorët dhe duken sikur përsëritin mësimin. Flasin dyke ecur burrat, flasin dyke ecur gratë, flasin pleqtë e rrjedhur. E tërë Amerika flet me vete, pavarësisht kanë njerzit në xhep cellularë, apo jo!
Këtu kanë qejf të ta bëjnë shesh me lule, që të mendosh, sikur ti je i zoti për të gjitha! Kurrë njeriu nuk e ka patur pleqërinë kaq të zgjatur. Flasim gjithnjë po të kesh para, sidomos, ëh! Të venë aparat në zemër, aparat në vesh, aparat në sy… Ta japin veshkën ta kesh në xhep e ta lidhin me dhjetëra tela. Të japin ilaç të bëhesh burrë, kur ti e ke mbyllur atë histori.
Kjo gozhdë e lehtësisë mu rrënjos edhe më shumë, atë ditë të shtunë, kur vamë për gjah, të vrisnim fazanë. Ka Papi një mikun e tij italan, të cilit na i kish shkrepur të hante mish pe fazani. Papi i kërkoi lejë italanit, që të më merrnin dhe mua e kështu u bë: unë timonin, ata çiftet dhe u nismë. Ama, ishte një ditë, nga më të këndshmet që kam kaluarë, sa kam ardhur këtu.
Italani ishte shumë i lezetshmë, se na e bëri udhën të këndshme me rrëfimet e tij për indianët e Amerikës. Biseda mori udhë, ngaqë po kalonim nëpër një si xhungël, përtej të cilës ishin kasollet e indianëve. Ama, unë u bëra kaqë në Amerikë, një indian nuk e kam parë! Vetëm ç’shohim nëpër filma! Udha u bë më e bukur, kur Papi, që ka zbritur në këtë botë vetëm për të bërë pyetje, deshi të dinte, se kur dhe pe nga kanë ardhur indianët e Amerikës, në Amerikë! Xhani ia tha, që ata janë amerikanët e vërtetë, po janë si ata zotët e shtëpisë që odën e pritjes e kanë plot me miq e vetë nuk dalin se janë akoma në brekë!
Një udhishte e bukur, e shtruarë me asfalt të freskët, gjarpëronte nëpër një pyll, që të mbushte mushkërinë me erën e luleve të lartësive. Kurrizi i udhës ngrihej e ulej i vijëzuarë dhe pikëzuarë për bukuri. Një dorë e kujdesshme i kish vënë tabellat e shpejtësisë së lejuarë e të paralajmërimeve. Me një llaf, ish nga ato udhë, që ke qejf ta ngasësh veturën përmbi. Më të djathtë na doli një tel shumë i lartë i ndërthurur. Kjo ishte shenja se arritmë. Po, ama, mund të kemi ecur përgjatë telave, nja njëzetë kilometra të mira, gjer në hyrje të rezervatit. Nuku kishin të mbaruarë telat-o! Mezi arritmë te zyrat, ku do regjistroheshim e ku do paguanim për t’u futur në atë pyll gjuetie, pe afro tetëdhjetë hektarësh, i tëri i rrethuarë me rrjetë pe teli.
Xhani mori me vete edhe Papin dhe vanë që të regjistronin çiftet. Kishin bërë ca pagesa për lejën e gjahut, për shpezët, ca taksa e bilmemera dhe më në fund erdhën te unë. Më thanë t’i bija rrotull një hangari, se makina do rimorkionte kafazin, i cili kishte brenda nja njëzet fazanë. E lidha kafazin pas xhipit dhe hymë thellë nëpër udhishtet e asfaltuara të xhunglës. Xhani bënte prova se si të qëllonte gjahun, kur makina ish në lëvizje e sipër. Nisi edhe Papi ta nxjerrë grykën e çiftes nga penxherka, po më parë bëri ca pyetje nga ato që nisnin me “lejohet…”
-Lejohet ta zbrazësh, kur je brenda në maqinë?
T\'ëmën e s\'ëmës, thashë, dale mo, të pyes dhe unë! Unë e kisha për herë të parë. Papi kish qenë dhe herë të tjera e megjithatë s\'të linte radhë.
- Të kujt janë këta fazanë? - pyeta Xhanin.
- Janë tanët, - tha Xhani. I blemë.
- Nga sa, copën?
- Njëzetepesë dollarë.
E humba fare. Ndala maqinën dhe desha t\'i zbraz të tëra pikëpyetjet.
- E ku po i shpjemë ne, fazanët?!
- Jepi-o, maqinës, - tha Papi në një pe atyre rasteve të rralla, kur ai dinte më shumë se unë. Nuk e kupton, o? Po i shpjemë aty më thellë që t\'i vrasim.
T\'ëmën! Mbeta e s\'po e mblidhja dot veten. Demek blemë fazanët, ata tashi ishin tanët dhe ne, në vend t\'ia mbathmim në shtëpi me fazanë të gjallë, duhet t\'i lëshonim aty dhe pastaj të mundoheshim t\'i vrisnim. Të vrarë ata bëheshin prapë tanët, të gjallë nuk të lejonin t\'i nxirrje! Fazani që shpëtonte, i mbetej gjene atyre të rezervatit. Mëëë-në, gjueti pe lecke!
Xhipi u vu prapë mb\'udhë.
- Po mirë o, pse nuk i vramë që aty te zyrat? - nuku kisha të ndalur unë.
- Nuku lejohet.
- Po sikur t\'i vrasim këtu, kështu siç i kemi, në kafaz?
- Dëmtohet kafazi dhe na venë gjobën, që i kemi vrarë shpendët të pambrojtura. Kur t\'i nxjerrëm nga kafazi e t\'i lëshojmë, pastaj janë rregullat e lojës: ne do përpiqemi për t\'i vrarë, ata do të përpiqen të mbeten gjallë. Kjo është lojë e ndershme.
Hajde, rregulla, hajde! Hajde, ndershmëri, hajde! Sa bënim ne këto muhabete, na kaloi e na dolli përpara një xhip tjetër, që tërhiqte pas ca lepura, të blerë për t\'u vrarë dhe ata.
- Lepurat kushtojnë më shumë, apo jo Xhani? - e kish radhën Papka.
- Kjo s\' do mend , - ia bëri Xhani. Po shikoni se mos vrisni ndonjë lepur të arratisur, tek u vjen përballë, nëpër ferrat tuaja!
- Pseeeee?! - ia bëmë unë e Papka me një gojë. Nuku lejohet-a? - shtoi më
shumë Papka.
- Sepse, - shpjegoi Xhani me durim, - në regjistrat e rezervatit, ne nuku figurojmë që kemi paguarë për lepura.
Ecmë e ca më thellë, lëshuam fazanët dhe nismë gjuetinë e shpifur: pam e pum! Qëllo Xhani e qëllo Papi! Mora çiften e Papkës dhe qëllova edhe unë nja dy herë, po, me dashje, qëllova lart e nuku vrava asnjë fazan. Xhani vrau disa e tok me Papkën e shpunë numrin e fazanëve të vrarë gjer më shtatë. Fazanët e tjerë kishin shpëtuarë. Ata si duket, rrinin pa lëvizur hiç, na përgjonin fshehur nëpër shkurret e pritnë ashtu, gjersa thyemë qafën ne. Desha ta pyes Xhanin, se ku mund të shkohej gjëkundi, për peshk. Po e dija që do të më tregonte ndonjë vend, ku ti e hedh grepin dhe ca çunakë të stërvitur, vijnë që poshtë me not nën ujë e të varin një koce në majë të grepit. Këto janë lehtësirat! Kështu i kanë ujdisur amerikanët. Ku kanë kohë amerikanët, që ta harxhojnë, gjersa t\'i mbushet mendja peshkut të vijë e të provojë majën e grepit!
Hajde, ç\'qejf do bëjmë këtu në Amerikë, o t\'u mbylltë e mendjes! Hajde, dhjamë që do të vemë, hajde! T\'’ëmën, kësaj i thonë jetë, oreee!


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama