Dhjete pleqte qe qeverisin boten Jane lideret me te moshuar vitet e te cileve variojne nga 75 deri ne 84 vjec

Dhjetë
Renditja në indeksin e shteteve të dështuara: nr.4 (nga 177 shtete). Pinjollë: dy djem, një vajzë dhe një djalë i vdekur. Kur u pyet për numrin e nipërve, sipas një zëdhënësi të ambasadës së Zimbabvesë në Amerikë, Mugabe tha: "Nuk mund t‘ua them në telefon, faleminderit", dhe e mbylli menjëherë telefonin. Fëmija më i madh i Mugabes është 19 vjeç, kështu që nuk ka gjasa që ai të ketë nipër. Gjendja shëndetësore: Në një vend ku kohëzgjatja mesatare e jetës ka rënë nga 60 në 40 vjet në kohën e presidencës së tij, Mugabe e ruan me shumë rreptësi shëndetin e vet. Bashkëshortja thotë se ai zgjohet çdo mëngjes në orën 4 për të bërë ushtrime. Më 2005 pati zëra se ai kishte vdekur nga një sëmundje e zemrës, por zëdhënësi i Mugabes në atë kohë tha: "Ai është i shëndetshëm si një adoleshent". Ka pasur të paktën një shenjë të konfirmuar dobësie: më 2000 ai u rrëzua kur ndodhej në Malajzi dhe kjo i shkaktoi disa qepje mbi sy. Në radhë pas tij: në zgjedhjet presidenciale të 29 marsit, sfiduesit kryesorë të Mugabes janë ish-ministri i Financave, Simba Makoni dhe udhëheqësi i opozitës, Morgan Tsvangirai, të cilit iu thye kafka gjatë një sulmi të motivuar politikisht në mars 2007.

ABDULLAH BIN ABD AL-AZIZ AL-SAUD Mbret i Arabisë Saudite. Datëlindja: 1924 (data e saktë nuk dihet). Kohëzgjatja në pushtet: 12 vjet (Mbret që nga gushti 2005, por ka qenë sundues de facto që nga dhjetori 1995, kur paraardhësi i tij, Mbreti Fahd, pësoi një atak). Renditja në indeksin e shteteve të dështuara: nr.83. Pinjollë: të paktën 20 vajza dhe 15 djem. Një zëdhënës i ambasadës saudite në Washington nuk e dinte se sa nipër dhe mbesa ka Mbreti. Arkivat e lajmeve nuk e përmbajnë këtë numër. Mbreti ka pasur më shumë se 30 gra, gjë që e bën të ndërlikuar numërimin e fëmijëve, aq më tepër të nipërve dhe mbesave. Gjendja shëndetësore: Mbreti ka pasur probleme me zemrën, por ai gjithsesi duket në formë. Verën e vitit të kaluar ai kaloi gjashtë javë duke udhëtuar, duke përfshirë vizitat në Marok, Francë, Poloni dhe Jordani. Sigurisht, në grupin e shoqërimit të tij ndodhet edhe një "klinikë udhëtuese". Në radhë pas tij: Princi i Kurorës, Sultan bin Abd al- Aziz al-Saud.

GIRIJA PRASAD KOIRALA Kryeministër i Nepalit. Datëlindja: 20 shkurt 1925. Kohëzgjatja në pushtet: 2 vjet, që nga prilli 2006 (por ka qenë Kryeministër 3 herë më parë: mars 2000 - korrik 2001, prill 1998 - maj 1999 dhe maj 1991 - nëntor 1994). Renditja në indeksin e shteteve të dështuara: nr.21. Pinjollë: 1 vajzë, dy nipër. Gjendja shëndetësore: Koirala ka vuajtur nga probleme me frymëmarrjen në të kaluarën dhe në intervistat e kohëve të fundit ka pasur vështirësi në përfundimin e fjalive. Ai u sëmur në janar nga infeksione në kraharor dhe fyt dhe iu deshën dy javë regjim shtrati. Gjatë kësaj kohe, qarkulluan zëra se ai kishte vdekur. Në radhë pas tij: ish-kryeministri Sher Bahadur Deuba nga Partia Kongresi i Nepalit të Koiralas është përmendur si pasardhës i mundshëm. Zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese, e cila do të hartojë një kushtetutë të re, do të zhvillohen më 10 prill. Dhe me një kushtetutë të re, kushedi se çfarë mund të ndodhë.

ABDOULAYE UADE President i Senegalit. Datëlindja: 29 maj 1926. Kohëzgjatja në pushtet: 8 vjet, që nga prilli 2000 pas zgjedhjeve të marsit të atij viti. Renditja në indeksin e shteteve të dështuara: nr.117. Pinjollë: 1 djalë, 1 vajzë dhe 3 mbesa. Gjendja shëndetësore: tetëdhjetëvjeçari duket në formë. Mosha madje i ka shërbyer: ai përdori nofkën e tij "Gorgui", që do të thotë "plak i mençur", e cila ka një konotacion që ngjall respekt në vendin e tij, në të gjithë posterat elektoralë, kur rikandidonte vitin që kaloi. Në radhë pas tij: raundi i ardhshëm i zgjedhjeve presidenciale është në vitin 2012, kështu që është pak si herët të përmenden emra.

HOSNI MUBARAK President i Egjiptit. Datëlindja: 4 maj 1928. Kohëzgjatja në pushtet: 26 vjet, që kur ish-presidenti Sadat u vra në tetor 1981. Renditja në indeksin e shteteve të dështuara: nr.36. Pinjollë: dy djem, 2 nipër. Gjendja shëndetësore: verën që kaloi u përhapën shumë zëra se Mubarak ishte sëmurë dhe në nëntor katër redaktorë gazetash u dënuan për shkak se kishin shkruar në lidhje me shëndetin e Presidentit. Prokurorë të qeverisë akuzuan një prej gazetave se me këtë kishin shkaktuar largimin e qindra miliona dollarëve në investime të huaja. Bashkëshortja e Mubarakut i tha një televizioni të Dubait: "Çdo gjë është mirë". Në radhë pas tij:mendohet gjerësisht se Mubarak po përgatit djalin e tij më të vogël, Gamal, për të qenë Presidenti i ardhshëm, por shumë egjiptianë janë kundër "trashëgimisë faraonike".

SABAH AL-AHMAD AL-JABER ALSABAH Emir i Kuvajtit. Datëlindja: 6 qershor 1929. Kohëzgjatja në pushtet: 5 vjet (emir që nga janari 2006, por ka qenë de facto sundues që kur u bë Kryeministër në vitin 2003, kur të dy, si ish-emiri Sheikh Jaber, ashtu edhe ish-kryeministri Saad, ishin në gjendje shumë të keqe shëndetësore për të qeverisur). Renditja në indeksin e shteteve të dështuara: nr.124. Pinjollë: kur u pyet për numrin e fëmijëve dhe nipërve që ka emiri, një zëdhënës në ambasadën e Kuvajtit në Washington tha: "Është një pyetje e ndërlikuar". Të dhënat nga mediat zbulojnë se ka një vajzë që i ka vdekur, por përtej kësaj, numri i fëmijëve dhe nipërve e mbesave nuk mund të konfirmohet. Gjendja shëndetësore: familja mbretërore kuvajtiane rrallë nxjerr informacione mbi shëndetin, por ka zëra që thonë se emiri ka disa probleme me shëndetin. Në radhë pas tij: Princi i kurorës, Navaf.

RAUL CASTRO President i Kubës. Datëlindja: 3 qershor 1931. Kohëzgjatja në pushtet: 2 vjet (President që nga shkurti 2008, ose ka qenë de facto President që nga korriku 2006, kur vëllai i tij, Fidel Castro, i kaloi kompetencat për shkak të gjendjes shëndetësore). Renditja në indeksin e shteteve të dështuara: nr.77. Pinjollë: 3 vajza, një djalë dhe 8 nipër, sipas një artikulli të "The New York Times" në qershor 2007. Gjendja shëndetësore: Raul është i dhënë pas alkoolit dhe ka qenë i dhënë pas pijes që në adoleshencë, sipas Brian Latell, një ekspert për Kubën në Universitetin e Miamit. Në radhë pas tij: disa emra dolën në sipërfaqe pasi Fideli dorëzoi pushtetin, duke përfshirë Carlos Lage, Ricardos Alarcon, Felipe Perez Roque, Ramiro Valdez dhe Esteban Lazo, të gjithë këta kanë pasur poste të larta qeveritare.

MVAI KIBAKI President i Kenias. Datëlindja: 15 nëntor 1931. Kohëzgjatja në pushtet: 5 vjet, që nga dhjetori 2002. Renditja në indeksin e shteteve të dështuara: nr.31. Pinjollë: zyrtarisht 3 djem, një vajzë dhe 6 nipër e mbesa. Veç kësaj, në një kontinent ku poligamia nuk është e pazakontë, ka edhe një vajzë tjetër nga një tjetër bashkëshorte. Megjithatë, zyra e Kibakit nxori një deklaratë të pafirmosur, ku i kërkohet shtypit "që të përmbahet e të mos përmendë anëtarë të tjerë të familjes". Gjendja shëndetësore: Kibaki u shtrua në spital për arsye të një tromboze dhe tensioni të lartë në janar të vitit 2003, pasi kishte thyer më parë këmbën gjatë një aksidenti automobilistik në dhjetor të vitit 2002. Në fillim të mandatit të parë, atij iu desh të anulojë shumë aktivitete. Mbetet një i dashuruar marrëzisht pas golfit. Pas tij në radhë: nëse lideri i opozitës, Raila Odinga, do të kishte vepruar si donte, ai do të ish bërë President, një pozicion që e humbi në zgjedhjet e dhjetorit 2007, të cilat, sipas tij, u manipuluan në favor të Kibakit. Tani, sipas një marrëveshjeje për ndarje të pushtetit, Odinga do të jetë Kryeministër.

MANMOHAN SINGH Kryeministër i Indisë. Datëlindja: 26 shtator 1932. Kohëzgjatja në pushtet: që nga zgjedhjet e majit 2004. Renditja në indeksin e shteteve të dështuara: nr.110. Pinjollë: 3 vajza dhe 3 nipër. Gjendja shëndetësore: ende shumë i fortë. Nuk ka pasur të dhëna për sëmundje dhe parashikimet e astrologëve se Singh do të kishte probleme të rënda me shëndetin deri në fund të shtatorit 2004, nuk u realizuan. Në radhë pas tij: në demokracinë më të madhe të botës, kushdo mund të hamendësojë.

TAN SHVE Kryetar i Këshillit Shtetëror të Paqes Shtetërore, Birmani. Datëlindja: 2 shkurt 1933. Kohëzgjatja në pushtet: 16 vjet, që nga prilli 1992, pasi sunduesi i mëparshëm ushtarak i vendit u largua për shkak të shëndetit të dobësuar. Renditja në indeksin e shteteve të dështuara: nr.14. Pinjollë: 3 vajza, një djalë dhe të paktën tre nipër. Gjendja shëndetësore: besohet gjerësisht se Shve vuan nga diabeti dhe hipertensioni. Shëndeti i tij po përkeqësohet, për shkak të problemeve mendore, të zemrës, si dhe një ataku. Në janar të vitit 2007, Shve u shtrua në spital në Singapor për dy javë, ndoshta për shkak të një tumori dhe humbi festimet e ditës së pavarësisë, për herë të parë që nga koha kur ka ardhur në pushtet. Shumë birmanezë besojnë se sëmundjet janë mallkimi që iu shkaktua atij nga shtypja e egër që u bëri protestave të murgjve vitin e kaluar. Në radhë pas tij: numri tre i juntës ushtarake, Shve Mann, shihet si pasardhës i mundshëm.

Marre nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama