Kopshtarë, muratorë, kuzhinierë
Është renditja e dhjetë profesioneve të së ardhmes, një guidë e domosdoshme për të kuptuar mundësitë e punësimit që u ofrohen brezave të rinj. Në majat e klasifikimit nuk duken gjëkundi mjekët, avokatët, inxhinierët apo arkitektët. Në vend të parë gjejmë kuzhinierët dhe kamerierët. Në rritje, edhe përqindja e madhe e atyre që si profesion kanë kujdesin ndaj të tjerëve. Por, pas nuk ngelen edhe shoferët, kopshtarët, infermierët. Një karakteristikë i bashkon të gjitha profesionet e kërkuara: shërbimet ndaj njerëzve. Sfera e mirëqenies individuale, nga asistenca tek ndihma, do të pësojë një ‘bum’ me plakjen e popullsisë. Ndërkaq, janë të vetmet aktivitete për të cilat është i pamundur dekolonizimi në vendet në zhvillim. Por, a janë këto profesionet për të cilat po studiojnë fëmijët tanë?
Varet. Persa i përket statusit dhe përfitueshmërisë rrezikojnë të jenë poshtë pritshmërive të të rinjve. Por, kujdes: ajo që del nga e gjithë analiza ka të bëjë me faktin se edhe këto profesione, në dukje të lehta, do të kërkojnë studime universitare. Në fakt, janë këto përfundimet e një studimi të bërë në Amerikë për profesionet më të kërkuara deri në vitin 2018. Një bashkëpunim i Institutit Kombëtar të Statistikave bashkë me Qendrën Universitare të Georgetown, ka treguar se këto profesione do të prodhojnë më shumë lekë dhe do të kenë të ardhme në Amerikë. Por gjithsesi, është e vështirë të mos e mendosh se vlerësime të tilla mund të mos vlejnë edhe për shtetet e Europës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë laboratori avangardë, që Europa herët apo vonë do të përfundojë duke e imituar. Rimëkëmbja ekonomike ka nisur më parë këtu se në kontinentin e vjetër.
Por, edhe pse numri i të papunëve është rreth 15 milionë, shenjat e gjallërimit kanë nisur të shumëfishohen në tregun e punës. Që këtu deri në vitin 2018, ekonomia amerikane duket në gjendje të arrijë të krijojë më shumë se 1 milion vende të reja pune në vit. Problemi qëndron i gjithë tek cilësia. Amerika sapo ka rimarrë rekordin mes eksportuesve të Perëndimit, duke ia rrëmbyer këtë prestigj Gjermanisë e duke u rikthyer kështu në vendin e dytë në botë, pas Kinës. Por, shpërthimi “Made in USA” i besohet krejtësisht sektorëve industrialë hi-tech, që kanë avancuar në nivelin automatik dhe përthithin pak forcë krahu. Që tani ata sektorë teknologjikë që punësojnë të diplomuarit në fakultetet e shkencave, teknologjive, inxhinierisë, matematikës, kanë 4.8 milionë punëtorë, ndërsa të diplomuarit në këto fusha janë më shumë se 15.7 milionë.
Me pak fjalë, dy të tretat duhet të kërkojnë punë në vende të tjera. Por, edhe profesionet që deri tani konsideroheshin se nuk kishin nevojë për arsimin e lartë, po njohin një kastë profesionistësh të shkolluar: rreth 17 për qind e baristëve, 32 për qind e masazhatorëve dhe rreth 26 për qind e rrobaqepëseve. Për më tepër, hendeku mes të diplomuarve në universitet dhe punës që ata bëjnë do të vijë duke u rritur edhe në të ardhmen. Kjo, sepse deri në vitin 2018 ekonomia do të përthithë vetëm 300 000 inxhinierë kompjuteri, kundrejt 500 000 baristëve. Sektorët më të pëlqyer në dhjetëvjeçarët që do vijnë do të jenë ata që deri tani nuk i kemi konsideruar as fisnikë, dhe as shumë fitimprurës.
Kështu, sipas shifrave, ekonomia amerikane do të kërkojë rreth 18 për qind më shumë kopshtarë se sa gjithë këto vite, dhe po ashtu rreth 825 651 kujdestarë për të moshuarit apo të vegjlit. Për më tepër, si pasojë e efekteve anësore të rritjes së shitjeve në internet, për dorëzimet nëpër adresat e caktuara do të duhen 1.8 milionë shoferë.
Dy milionë e 700 mijë më shumë do të jenë përfaqësuesit e shërbimeve ndaj klientëve apo recepsionistët e kompanive të mëdha, që gjithmonë e më shumë duhet të asistojnë në problemet teknike dhe dhënien e informacioneve të detajuara për klientët. Por, për t’i seleksionuar, kompanitë do ta ngrenë gjithmonë e më shumë kufirin: pra, do të duhen 22 milionë të diplomuar më shumë brenda vitit 2018. Shpjegimi? “Për zyrat e burimeve njerëzore, të kërkosh tituj të avancuar studimi ndihmon në seleksionim, duke eliminuar automatikisht një pjesë të kandidatëve. Ndërkaq, diploma ndihmon edhe në zotërimin e një kulture të përgjithshme më të formuar, e detyrueshme edhe për punë të tilla”.