Dhjete zotet e botes

Dhjetë
Ndryshojë fatet dhe njëkohësisht tregjet e botës. Debutojnë të ashtuquajturat ekonomi me zhvillim të shpejtë, me një rritje që shkon nga 7 deri në 15 për qind dhe në shtatë vjet, kanë "pushtuar" thuajse 20 për qind të GDP-së globale. Me sa duket, nuk do të jetë vetëm gjeopolitika ajo që do ta zhvendosë qendrën e gravitetit, nga SHBA-ja, superfuqia e dikurshme, drejt një pjese tjetër të botës. Edhe fuqia ekonomike decentralizohet, duke nxjerrë protagonistë të rinj, padronë të rinj që sfidojnë hapur në shoqëritë e përparuara kampionët e vjetër të industrisë, financës, të tregtisë.

Janë sheikë të pasur arabë, që nuk i shpenzojnë më lekët për shërbime luksoze si në vitet ‘70-‘80, por mendojnë për të ardhmen duke e ditur mirë që një ditë, nafta do të mbarojë. Janë njerëz që investojnë në shoqëritë shumëkombëshe në vështirësi apo në gjigantët bankarë të destinuar për të dështuar. Sipërmarrës që operojnë në shkallë globale, që besojnë te të rinjtë e dalë nga universitetet më të mira të botës, por mbi të gjitha dinë të rrezikojnë. Sipas raportit të "Boston Consulting Group", pjesa më e madhe e këtyre sfiduesve vijnë nga Kina dhe India, por pas nuk ngelen edhe vende si: Meksika, Brazili, Turqia dhe Hungaria.

Carlos Slim

Themeluesi i "America Movil" dhe djali i një familjeje emigrantësh libanezë, është meksikani më i pasur në botë.

Sipas revistës "Fortune", është njeriu që ka zbritur nga karrigia e klasifikimit si njeriu më i pasur i botës, Bill Geitsin, dhe mendohet se ka një pasuri prej 59 milionë dollarësh.

Carlos Slim, 67 vjeç, është pronari i "Telekomit" meksikan dhe i kompanisë më të madhe të telefonisë celulare në të gjithë Amerikën e Jugut. Slim konsiderohet si i papërmbajtshëm dhe që nga viti 1990 pasuria e tij po rritet në mënyrë marramendëse. Në dy vitet e fundit ka arritur të fitojë 20 miliardë dollarë falë bursës së fuqishme meksikane dhe fitimeve nga shoqëria telefonike

"America Movil", operatori më i madh i telefonisë celulare të Amerikës Latine. Shoqëritë tij përbëjnë 1 të tretën e gjithë bursë së qytetit të Meksikos dhe 5 për qind të GDP-së meksikane. I biri i një emigranti libanez, Carlos Slim, është një lloj John Rockefeller i kontinentit ose diçka më shumë, aq njerëzit flasin për "Slimlandia" për të përshkruar shtirjen e rrjetit të biznesit të tij. Në vitin 2006, Slim ka shpenzuar 3,7 miliardë dollarë për të blerë gjigantin amerikan "Verizon" duke e shtrirë perandorinë e tij në Porto Riko dhe Santa Domingo, hapi i parë për të pushtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë tregun amerikan.


2. Zsolt Hernadi, kreu i grupit "Mol", është një nga hungarezët më të pasur të globit.


Në klasifikimin e vitit 2008, të 100 sfiduesve botërorë sipas "Boston consulting group" është ngjitur ndjeshëm shoqëria hungareze e naftës dhe gazit "Mol", e cila prej qershorit të vitit 2001, drejtohet nga një menaxher 47-vjeçar, Zsolt Hernadi. Me një xhiro vjetore prej 13.7 miliardë dollarë, filiale në 12 vende të botës dhe 5 mijë punëtorë jashtë vendit, grupi "Mol" duket se do të bëhet një protagoniste e energjisë në Evropë. Hernardi dëshiron të fusë rrjetet e shpërndarjes së gazit në qendër dhe juglindje të Evropës. Hungarezi që është i përfshirë edhe në projektin e gazsjellësit transevropian "Nabuço", është një menaxher i ashpër dhe luftarak që ka edhe mbështetjen e qeverisë së Budapestit.


Mohammed al-Nahyan

Sheiku nga Abu Dhabi ka 875 miliardë dollarë për të investuar.



Veç të tjerave sheiku nga Abu Dhabi merr vesh edhe nga politika. Në shtator të vitit 2008, princi trashëgimtar nga Abu Dhabi do të arrijë të kurorëzojë ëndrrën e tij për të vizituar "Ferrarin" në Maranelo, duke qenë se zotëron 5 për qind të aksioneve të tij.

Por, sheiku 46-vjeçar i shkolluar në akademinë më të mirë ushtarake angleze është në krye të disa investimeve ndërkombëtare. Pjesë e "Abu Dhabi Investment Council" që, me një pasuri prej 875 milionë dollarësh është investitori i dytë më i madh në botë pas Bankës së Japoninë. Lëvizja më e fundit e tij është blerja e 4.9 për qind të "City group" me një vlerë prej 7.5 miliardë dollarësh, gjë që e bën Abu Dhabin aksionistin më të madh të Bankës Amerikane.


Jack Ma

Krijuesi i portalit "Alibaba", mund të shpëtojë Yahoo-në.

Jack Ma, 43 vjeç është themeluesi i grupit "Alibaba", portalit më të famshëm të internetit në Kinë. Të mirinformuarit tregojnë se miku i tij më i mirë Jerry Yang, bashkëthemelues dhe administruar i deleguar i "Yahoo"-së, i kërkon me ngulm thuajse çdo ditë që të ndërhyjë për të shpëtuar kompaninë gjigante të "Silicon Valley"-t. I lindur në qytetin e Hangzhout, rreth 180 kilometra në jugperëndim të Shangait, Jack Ma, mësues anglishteje e ka zbuluar internetin pas një udhëtimi në Kaliforni. Ma, e themeloi shoqërinë "Alibaba" me tre mijë dollarë, që i kishte marrë borxh nga miqtë e tij. Sot, portali u vjen në ndihmë 12 milionë përdoruesve në 200 vende dhe në vitin 2003 ka prezantuar Tabaco.com, një faqe interneti për blerje online, pothuajse njëlloj me Ebay-n. "Alibaba duhet të fitojë një famë botërore, por në fillim duhet të jetë më i mirë pastaj më i madhi në botë", përsërit sipërmarrësi kinez në intervistat e shpeshta që jep. Kur grupi i kinezit Ma u kuotua në bursë 22 tetorin e kaluar në Hong Kong, suksesi ishte i menjëhershëm: "Alibaba" mblodhi rreth një miliardë e gjysmë dollarë për të financuar zgjerimin dhe përmirësimin e saj.

Mustafa Koç

Brezi i tretë i dinastisë më të fuqishme në vend. Turku është ortak i "Fiat"-it dhe "Unicredit"-it


"Duhet të përqendrohemi në katër bizneset tona kryesore: makinat, bankat, energjia dhe shtëpitë. Por në 10-15 vitet e ardhshme do të përpiqemi të rrisim xhiron, duke realizuar 50 për qind të eksportimeve dhe 50 për qind të importimeve. Të paktën kështu shpresoj". I lindur në zonën aziatike të Stambollit, në

Nakkastepe, Mustafa Koç, 47 vjeç, është trashëgimtar i brezit të tretë të dinastisë më të pasur sipërmarrëse të Turqisë. I diplomuar në Uashington, në "Georgetown University", presidenti i "Koç holding" me 106 shoqëri, 95 mijë punëtorë, një xhiro prej

34,5 miliardë dollarë, është ortak i "Fiatit" dhe bankës "Unicredit". Në dy vitet e fundit ka blerë

"Tupras", kompaninë më të madhe turke që operon, në zbulimin, përpunimin dhe transportin e naftës. Jashtë vendit, sapo ka blerë 100 për qind aksionet e Grundig, shoqëria gjermane e pajisjeve elektronike, një markë me një të kaluar të lavdishme që Koç kërkon t‘i kthejë sërish.


Mohammed Al Maktoum

Në Dubai të gjithë e thërrasin miqësisht Sheiku Mo. Më shumë se sa emir, mund të konsiderohet një administrator i deleguar i

"Dubai SPA", qytet-shtetit që Mohammed al-Maktoum, 57 vjeç, e ka shndërruar në një Hong Kong me një qendër të madhe financiare, me lagjet ku gjenden firmat më të rëndësishme të botës, me mega- qendra tregtare dhe një kompani ajrore, mes më të mirave në botë "Emirates", që është kulla më e lartë e planetit që do të inaugurohet në vitin 2009, përveç Al Bourj al-Arab, i pari hotel në botë me 7 yje. Vetëm brenda 15 vjetësh GDP-ja e Dubait ka kaluar nga 8 në 37 miliardë dollarë. Përmes "Dubai Holding", arrin të kontrollojë shoqëri imobiliare, spitale dhe shoqëri bioteknologjike. Mohammed Al Maktoum është edhe aksioner i shoqërive shumëkombëshe si Mercedes, Eads, Hsbc dhe Sony-t.

Ratan Tata

Kreu i konglomeratit të Mumbait blen Perëndimin. Indiani është edhe profeti i makinave low-cost në vend


"India do të investojë jashtë vendit duke ndjekur dy drejtime kryesore: resurset minerale dhe natyrale dhe tregjet për ndërmarrjet tona, për produktet tona". I krahasuar me Xhovani Anjelin për shkak të interesave të industrinë e automobilizmit. Blerja e fundit? Një Jaguar marramendës. Pavarësisht prejardhjes nga një familje e varfër indiane, Ratan Tata, gjithmonë ka kërkuar t‘i habisë njerëzit me të cilët punon. Për të festuar 70-vjetorin e lindjes hodhi në treg makinën "Nano", që kushtonte rreth 2 mijë dollarë, ndërsa në mes të shkurtit deklaroi se do të ndërtonte një makinë motori i të cilës punon me ajër të ngjeshur, Eolo. I themeluar në kohën e mbretëreshës Viktoria, grupi "Tat" është një konglomerat me qendër në Mumbai, që zhvillon një xhiro vjetore prej 30 miliardë dollarësh, përbëhet nga 98 shoqëri aktiviteti i të cilave shtrihet në shtatë sektor nga energjia te hotelet luksoze me markën "Tat", me 220 mijë punëtorë në 85 vende të botës.

Vagit Alekperov

Presidenti i Lukoil dëshiron të pushtojë Amerikën.


Është rritur mes naftës dhe havjarit, Vagit Alekperov, rusi 57-vjeçar. I lindur në qytetin e Bakut në Azerbajxhan, një nga qendrat e para të industrisë së arit të zi, në Bregun Perëndimor të Detit Kaspik. Gjithçka e nisi në vitin 1979 në Siberi si menaxher dhe pati një vlerësim aq të madh sa në vitin 1991, në vitet e fundit të Bashkimit sovjetik u nominua për të qenë zëvendësministër i energjisë. Alekperov që sot është president i Lukoil, një nga perandoritë më të fuqishme në naftës në botë, ka një rezervë prej 20 miliardë fuçish. Alekperov, që gëzon edhe mbështetjen e Vladimir Putinit, ka qenë menaxheri i parë rus që bleu një shoqëri amerikane, Getty Oil, dhe rreth 1300 pompa benzine nga SHBA-ja. Qëllimi i tij është të eksportojë benzinë drejt e në Amerikë pas nënshkrimit të një marrëveshjeje me "ConocoPhillips". Alekperov ka arritur të marrë lejen për të zhvilluar një vendburim naftën në Arabinë Saudite, pasi ka fituar kontrata të ndryshme në Iran, Gjirin e Suezit, Azerbajxhan dhe Kazakistan. Rrezja e veprimit të tij është shtrirë deri në Kolumbi, ku Lukoil ka nisur të eksplorojë basenin e Llanosit.

Lakshimi Mittal

Pronar i grupit më të madh siderurgjik të planetit. Mbreti i çelikut tani kërkon arin e zi të Kazakistanit.


Në kohën e globalizimit, Lakshimi Mittal, 56 vjeç, i lindur në fshatin e vogël, Sadulpur, në Rajastan, ka monopolizuar tërësisht biznesin botëror të çelikut, pasi fitoi betejën për të pasur nën kontroll edhe shoqërinë evropiane "Arcelor". Sot shoqëria Arcelor-Mittal, me 350 mijë punëtorë në 60 vende të botës ka përmasa gjigante; është rreth 3 herë më e madhe se kundërshtarja e saj direkte "Nippon steel". Por këto janë vetëm fillimet, sepse Lakshimi Mittal, njeriu i pesë më i pasur në botë, me një pasuri rreth 32 milionë dollarësh, nga shtëpia e tij përrallore në Londër, deklaroi se tashmë ka ndërmend të operojë edhe në tregun indian dhe kinez. Madje, sipas disa zërave që qarkullojnë, edhe në Rusi. Por, ëndrra e ndaluar e tij është një tjetër: të hyjë edhe në Japoni për të sfiduar drejtpërdrejt kundërshtarin e tij më të madh. "Mittal" po zgjeron rrezen e veprimit edhe mbi sektorë të tjerë. Ka paguar në dorë rreth 980 milionë dollarë për të blerë gjysmën e shoqërisë së naftës në Kazakistan, "Caspian Investment Resources", e dyta për nga madhësia pas ruses "Lukoil".

Ren Zhengfei

Themeluesi i Huawei dëshiron të sfidojë Ciskon. Menaxheri që frymëzohet nga Mao

Një nga sipërmarrësit më të suksesshëm kinezë ka qenë edhe ish-zyrtari i ushtrisë së popullit, Ren Zhengfei, themelues i Huawei (telekomunikacion): me një xhiro vjetore rreth 8,2 miliardë dollarë dhe 44 mijë punëtorë. Ren Zhengfei, që ka dhënë shumë pak intervista në jetën e tij, por në njërën prej tyre pyetjes se kush kishte ndikuar më shumë mbi të i ishte përgjigjur: "Presidenti Mao dhe Louis Gerstner", ish-administrator i deleguar i IBM-së. Sipas tij, Mao e kishte mësuar të përdorte teknikën e luftës në betejat e Huawei kundër shoqërive shumëkombëshe të telekomunikacionit, ndërsa Gernster e ka ndihmuar me idenë e menaxhimit modern mes të cilave edhe përkrahja e klientëve që gjithmonë duhet të jetë në nivele të larta. Objektivi i vitit 2008 i misteriozit Ren, është hyrja në tregun amerikan për t‘u ndeshur me kundërshtarin e tij kryesor, "Cisko"-n.

Marre nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama