Dhjetori ’90 sipas Aleksander Meksit

Dhjetori ’90, sipas Aleksander Meksit
Librat e dhjetorit 1990, nga Blendi Fevziu, Afrim Krasniqi, Aleksandër Meksi e së fundmi edhe Bislim Ahmeti, si dhe shumë dëshmi të mbledhura e të rrëfyera që janë, herë përhumbur e herë mbi-interpretuar me kalimin e viteve, duket se nuk e plotësojnë panoramën e ngjarjeve të Lëvizjes Studentore dhe Intelektuale shqiptare të dhjetorit 1990. Por kjo ka shërbyer si një proces paraprak për t’i hapur rrugën një studimi historik, që në një kohë jo të vonë do të jetë pjesë e historisë së shtetit shqiptar. Ish-kryeministri i parë postkomunist dhe protagonist i lëvizjes, po qëmton materiale për një libër, të cilit i ka përzgjedhur titullin “Kujtimet e Dhjetorit”.

Lëvizja studentore dhe e intelektualëve shqiptarë e dhjetorit 1990, rikthehet herë pas here në fokusin e dëshmitarëve dhe protagonistëve, qofshin ata të dorës së parë apo krejtësisht periferikë. Gjithkush që ka pasur diçka për të thënë për ato ditë, e ka thënë shpesh në këto 21 vjet përmes librave, intervistave, dokumentarëve, kronikave etj. Por, a është thënë gjithçka për ngjarjet e Dhjetorit të vitit 1990? “Padyshim që janë thënë shumë, por në këtë mori dëshmish ka dhe të pavërteta”, - thotë Aleksandër Meksi, një prej protagonistëve të ngjarjeve të dhjetorit 1990, i cili një vit më parë botoi librin “Dhjetor 1990”, botim i ‘UET Press’, një përmbledhje dokumentesh dhe materiale. Por gjithçka që është thënë e shkruar mbi ngjarjet e Lëvizjes së dhjetorit 1990, për Meksin ka qenë thjesht një proces paraprak për t’i hapur rrugën një studimi historik serioz.

Një studim historik, ku analizohen shkaqet, rrethanat, faktet, dëshmitë, rolet e individëve etj. Po kush mund ta shkruajë një studim të tillë? “Mbase jo gjithkush,- siç thotë Meksi, - mund ta bëjë një gjë të tillë”, por vetë ai prej kohësh ka nisur punën për të shkruar të parin studim historik mbi Lëvizjen antikomuniste në Shqipërinë e viteve ’90. Ndërkohë që ka shkruar një pjesë të kujtimeve të tij, ai ka nisur prej kohësh punën kërkimore; mbledhjen e materialeve, kërkimin e dokumenteve të pazbuluara, takime me protagonistët etj. Është një histori e tërë e asaj kohe që ai do ta ketë në fokus, ku një pjesë e saj është edhe ajo që Meksi e quan “Kujtimet e Dhjetorit”.

Ju jeni një ndër protagonistët e ngjarjeve të dhjetorit ’90 dhe këto ngjarje keni preferuar t’i sillni nën këndvështrimin e dokumenteve dhe materialeve, dhe jo mbi kujtimet tuaja. Përse zgjodhët këtë mënyrë të “rrëfyeri”?

Që nga vitit 1991-1992, në Shqipëri janë shkruar shumë komente mbi ato ditë të dhjetorit që kontribuuan për të fundosur regjimin komunist. Për të ardhur tek ngjarjet e dhjetorit, ka një parapërgatitje që fillon me Gorbaçovin, me rënien e Murit të Berlinit, me vrasjen e Causheskut, që është realisht fundi i sistemit botëror komunist, një sistem që dështoi në idenë që të krijonte një botë të ndryshme nga ajo që ishte...Komunistët shqiptarë, si më të mbrapshtët e këtij sekti, sigurisht që nuk do të dorëzoheshin, mendonin se shqiptarët do të vazhdonin të hanin bar, kështu që e shtynë pafund dorëzimin dhe ndryshimin. Do të ishte shumë me interes për të njohur historinë e vërtetë të agonisë së komunizmit shqiptar, botimi i të gjithë bisedave, fjalimeve dhe plenumeve, që janë e dëshmojnë këtë periudhë, pra që nga fundi i viti ’89 deri në dhjetor të ’90-ës.

Ato janë mjaft indikative për të kujtuar e kuptuar sesi komunistët rezistuan, u munduan të trukojnë ecurinë e jetës shoqërore dhe politike shqiptare, që të dukej sikur po ndërronte sistemi, të dukej sikur po krijohej një sistem demokratik, por të ishin po të njëjtët njerëz, po e njëjta mendësi, po i njëjti sistem që do të qeveriste. Dhe kjo tentoi të realizohej me të ashtuquajturën pluralizëm të mendimit, pluralizëm “politik” të shoqatave, të partive të vogla. Kjo nuk është hetuar si duhet në Shqipëri dhe për shumicën nuk është e qartë sesi ka ndodhur. Kur nuk jepen dokumente, është e lehtë të flasësh çfarë të duash nga inati që ke për njërin apo për tjetrin. Unë u mundova të bëja të kundërtën; kam mbledhur të gjitha çfarë botoheshin ndër vite për ’90-ën e për më vonë, dhe kam parë se si shumë persona thonë ndryshe atë që kanë thënë para 10 vjetësh, mbase ngaqë nuk i mbajnë mend mirë detajet.

Në këtë drejtim, unë mendova se do të ishte e dobishme që të dimë së pari faktet. Çfarë është thënë, çfarë është bërë ato ditë. Sigurisht, një kontribut kanë ato që janë thënë në vitet e para pas ’90-ës. Problemi është se nuk kanë folur shumë njerëz dhe kjo e vështirëson shkrimin e historisë së vërtetë. Prandaj është e nevojshme krijimi i një mozaiku sa më të besueshëm kur janë sa më shumë pika të vërtetueshme. Qëllimi i këtij libri ishte që të paraqiste përpara publikut dokumentacion historik autentik, që ndodhitë, për aq sa vërtetohet, të bëhen të qarta për publikun; pra emrat, datat etj. Ndërkohë janë dhe 2-3 libra me vlerë për kohën që janë shkruar pa ndonjë interes personal dhe pranë në kohë atyre ditëve historike, si ai i Blendi Fevziut, apo i Afrim Krasniqit, që rrëfejnë ato ngjarje si kronika dhe të shoqëruara me përshtypjet e tyre dhe me gjykime personale.

Në këto 20 vjet, në çdo përvjetor dhe jo vetëm, gjatë nëntorit e dhjetorit janë dhënë dëshmi pa fund nga protagonistë të ‘dorës së parë’, por dhe protagonistë periferikë të atyre ngjarjeve. Ju si e komentoni këtë?

Siç e kam thënë në parathënien e librit, dy librat e Blendit Fevziut dhe Afrim Krasniqit janë të nevojshëm, pavarësisht se janë kronika dhe impresione personale, pavarësisht se në ndonjë rast kanë edhe gabime, pavarësisht se në ndonjë rast dëshmojnë edhe gjëra që nuk kanë qenë vetë protagonistë, por i kanë me të dëgjuar. Por në këto libra ka mjaft dëshmi ku ata kanë qenë dëshmitarë direkt. A duhen përfshirë këta libra në dokumentime të dorës së parë për atë periudhë? Sigurisht duhen përfshirë në dokumentet e dorës së parë, por si këta dy libra janë edhe shkrimet e Shinasi Ramës. Pavarësisht nga interpretimet që mund të ketë bërë, ato pasqyrojnë gjerësisht se çfarë ka ndodhur, sidomos për fakte që ai ka qenë protagonist kryesor.

Edhe në librin që u botua me nismën e lavdërueshme të Bislim Ahmetit, i cili duhet përgëzuar, ai ka mbledhur dëshmitë e rreth 46 njerëzve që kanë shkruar dëshmitë, kujtimet dhe mendimet e tyre për atë kohë. Mundet dhe të thuhen gjëra që bien në kundërshtim nga njëri tek tjetri, sepse në fund të fundit janë kujtime personale dhe interpretime personale. U takon historianëve dhe studiuesve të asaj periudhe të gjykojnë dhe të nxjerrin në pah të vërtetën, për aq sa është e mundshme. Por ky libër ka dhe një gjë të mirë, se ata persona që kanë dhënë dëshmitë e tyre nuk mund të thonë të kundërtën nesër, përndryshe bëhen të pabesueshëm. Secili ka kujtimet e veta, ku ka marrë në fokus dhjetorin e vitit ’90 dhe sigurisht ka përfshirë dhe çfarë ka mësuar nga të tjerë. Ndër vite kujtime kanë shkruar të tjerë protagonistë të dorës së parë, si Arben Demeti...etj, por i kanë shkruar nëpër gazeta dhe jo në libra.

E rëndësishme është që të kuptohet një gjë, unë kam shkruar një artikull për rishkrimin e historisë dhe kam marrë spunto nga botimi i disa kujtimeve të Ramiz Alisë, e vërejtja ime në artikullin: “Historia dhe dëshmitarët e saj” është se dëshmitarët e historisë janë të detyruar të thonë të vërtetën, të gjithë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, përndryshe të mos flasin fare, sepse nuk është e drejtë të thuash vetëm çfarë ke qejf ti dhe të mos i thuash të gjitha, të thuash gjëra që ti nuk je i sigurt nëse i di. Nëse unë nesër do shkruaj një tjetër libër për dhjetorin, nuk shkruaj dot se çfarë ka ndodhur më datë 8 apo 11, se nuk kam qenë i pranishëm, por si historian, ajo që do shkruaj do mbështetet në dëshmitë e besueshme të të tjerëve dhe në dokumentacionin e kohës.

Si qëndrojnë këta dy libra që ju morët në konsideratë; “Piedestale pa statuja” i Blendi Fevziut, dhe “Fundi i Siberisë shqiptare” nga Afrim Krasniqi, në raport me librin tuaj “Dhjetor ‘90”?

Blendi Fevziu ka qenë dëshmitar real i atyre ditëve, i cili i rrëfen në librin e tij dhe i shkruan në një kohë shumë të shkurtër, që do të thotë se ka mbajtur dhe shënime dhe i mban mend me shumë saktësi. Kjo është shumë e rëndësishme. Ndërsa Afrim Krasniqi është mbështetur përveç të tjerave edhe në gazetat e asaj kohe. Në këta libra ata flasin si dëshmitarë, në librat e këtyre të dyve nuk ka ndonjë dëshirë për protagonizëm, thjesht kanë shkruar ngjarjet ashtu si ata i kanë parë. Përveç kësaj kanë pyetur, kanë mbledhur materiale, kanë lexuar për të sjellë ato ngjarje. Tashmë ka mbetur që gjithë ky proces paraprak t’i nënshtrohet një studimi historik.

Po kush mund ta bëjë këtë studim historik?

Këtë mund ta bëjë gjithsecili. Unë për vete kam ndërmend ta bëj siç bëhet një studim historik, ku të analizohen shkaqet, rrethanat, faktet, dëshmitë, rolet e individëve etj. Është një histori e tërë e kësaj kohe, ku një pjesë e saj është edhe kjo që unë e quaj “Kujtimet e dhjetorit”, që do paraprihen nga një shpjegim si erdhëm ne deri atje.

Pra, po thoni se Dhjetori i ’90-ës do rikthehet sërish në vëmendjen tuaj në formën e kujtimeve?

Unë mund t’i kem shkruar herë pas here këto kujtime. Disa pjesë nëpër media, ku jam munduar të jem tepër i saktë. Kam rrëfyer ato ngjarje edhe në një intervistë te Blendi Fevziu në vitin 1996, e cila fillon pikërisht me këto ditë.

Po merreni ndërkohë me shkrimin e këtij studimi historik?

Jo, nuk jam marrë intensivisht. Po grumbulloj materiale, çfarë mbaj mend e po sistemoj shënimet e mija të atëhershme, duke kërkuar në shtyp për periudhën pas ’90-ës, duke takuar protagonistë që një ditë të mund të ulem e t’i shkruaj. Boshtin kryesor të këtij libri që dua të shkruaj, e përbëjnë fakte të dokumentueshme, ndodhi të vërteta e të dokumentuara.

Po thoni se kujtimet tuaja do jenë të mbështetura vetëm në materiale të mbledhura dhe dokumente?

Unë do shkruaj dhe kujtimet e mia duke pasur parasysh dhe duke u mbështetur në dokumente, në dëshmitë e të tjerëve, kujtimet e të tjerëve; do them ku ka ndodhur, si ka ndodhur. Për ato që kam paqartësi, do them se ka paqartësi.

A janë të mjaftueshëm këta libra, daljet publike dhe rrëfimet e protagonistëve të asaj kohe nëpër media të ndryshme për ngjarjet e dhjetorit. Si i konsideroni ju?

Janë pak, sepse në të nuk jepen kryesoret, dokumentacionet për të kuptuar sesi erdhëm deri tek protestat e dhjetorit, cila ishte gjendja e Shqipërisë, roli i Ramiz Alisë. Gjithë këta libra që janë bërë në kohë, shkrimet, dëshmitë, pamjet filmike etj., kanë vetëm disa të vërteta.

Edhe Ramiz Alia i ka dhënë dëshmitë e tij për ato ditë dhjetori?

Po, por këto janë kujtime të personave që nuk duan të thonë të gjithë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Ti mund të thuash disa gjëra të vërteta, por nuk ke thënë asgjë dhe ne nuk kuptojmë se çfarë ka ndodhur. Por me kalimin e kohës do të jetë shumë e vështirë për të folur shtrembër.

Pra, ju po thoni se gjithë këta libra, intervista, dëshmi, dokumente... etj., nuk kanë arritur gjithsesi të zbardhin atë se çfarë ndodhi në ato ditë dhjetori të vitit ’90?

Janë tejet të dobishme, por të pamjaftueshme. Janë të dobishme sepse fiksojnë mendimet dhe gjykimet e individëve që kanë qenë protagonistë, por ka shumë dokumente, shënime dhe shumë ngjarje që ende nuk janë zbardhur për atë kohë, që ende qëndrojnë nëpër arkiva.

Kush nga miqtë tuaj kishte zakonin e mbajtjes së shënimeve për atë periudhë, që mund t’i shërbejë sot zbardhjes së të vërtetës?

Gramoz Pashko mund të ketë mbajtur shënime. Edhe Azem Hajdari mbante shënime. Shënimet si ato të Blendi Fevziut, Shinasi Ramës etj., marrin vlera, se janë thënë që në atë kohë dhe janë edhe të mbajtura më mirë. Fenomeni i të kujtuarit deformohet nga mbishtresat që ti lexon, nga ato që dëgjon dhe të thonë, madje disa gjëra të ikin nga kujtesa, harrohen.

E ndjetë si obligim për të shkruar për Dhjetorin e vitit 1990 dhe që t’u riktheheni sërish atyre ngjarjeve, tashmë me një studim historik?

E konsideroj si një detyrim, jo vetëm për nga profesioni që vij nga shkencat historike, e veç kësaj vij nga një edukim shkollor i shkencave ekzakte (kam mbaruar inxhinieri), por e kam për detyrë që të flas sepse jam edhe dëshmitar i historisë, jam dëshmitar i atyre ditëve të dhjetorit 1990 dhe për vite të tëra që pasuan, të mbushura me ngjarje, me përmbysje të mëdha e me rëndësi për vendin, dhe që nuk duhen harruar, por as nënvleftësuar.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama