Dhune policore per te mbrojtur hunjte rrethues te Kryebashkiakut Veliaj

Dhunë policore për të mbrojtur hunjtë rrethues të Kryebashkiakut Veliaj

Dhjetra qytetarë dhe veprimtarë shoqërorë janë përleshur sot me policët që mbronin rrethimin me hunj të hapësirës ku Kryebashkiaku Veliaj ka vendosur të ndërtojë një kënd lojrash në parkun e liqenit.

Të paktën 4 qytetarë janë arrestuar dhe dhjetra të tjerë janë keqtrajtuar nga policia.

Qytetarët kishin paralajmëruar një protestë për sot në orën 11:00. Kur kanë mbërritur pranë vendit të rethuar nga bashkia , ata janë ndeshur me një rrethim të ngjeshur policor, me të paktën 80 policë të vendosur çdo gjysëm metri nga njëri-tjetri, në mbrojtje të gardhit.

Forca policore përbëhej në shumicë nga policë bashkiakë, si dhe policë të rendit dhe të policisë rrugore. I gjithë operacioni drejtohej nga policë civilë.

Qytetarët janë pritur me ofendime nga policët, të cilët kanë shtyrë qytetarët që kalonin pranë tyre.

Në momentin që ata kanë tentuar të hyjnë në pjesën e parkut brenda rrethimit, kanë ndeshur me kundërshtimin fizik të policisë.

Situata është acaruar dhe ka pasur përleshje me trup mes policëve dhe qytetarëve.

Policët kanë qenë përgjithësisht agresivë dhe të ashpër në reagimet e tyre. Disa prej tyre janë hedhur sharje dhe fyerje vulgare ndaj qytetarëve--gjëja që i ka acaruar më shumë qytetarët.

Më në fund, qytetarët kanë mundur të thyejnë një pjesë të rrethimit dhe kanë hyrë në pjesën e brendëshme të rrethimit.

Ndërkohë policët filluan ndalimin dhe arrestimin e disa prej qytetarëve më aktivë.

Mbas arrestimeve, qyetarët janë larguar nga parku dhe i janë drejtuar Rajonit 1 të Policisë ku po mbahen qytetarët e arrestuar.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama