Drejtoresha e Autoritetit Shëndetësor Rajonal, Liljana Ramasaço, pohon se mbi 70 përqind të rasteve kanë qenë të sëmurë kronikë, të cilëve mbi ushqyerja u ka sjellë shqetësime në zemër. Diabetikëve e ngrëna e tepërt u ka sjellë rritje të nivelit të sheqerit në gjak dhe pjesa tjetër janë helmuar. Ndërsa të tjerët kanë qenë të rinj, 12 prej të cilëve janë trajtuar pasi kanë konsumuar tej mase alkool. “Prej datës 31 dhjetor deri në 2 janar kanë marrë shërbim mjekësor pranë urgjencës së Tiranës rreth 200 qytetarë. Ky shërbim i është ofruar kryesisht në përqindje më të madhe pranë banesës së qytetarëve dhe nga këto, rreth 70 për qind e rasteve janë transportuar për shërbim më të specializuar pranë qendrës spitalore. Problemet nga alkooli kanë qenë rreth 12 raste, pjesa tjetër kryesisht intoksikacione dhe mbingarkesa me ushqime”, thotë Liljana Ramasaço, drejtore e Autoritetit shëndetësor rajonal.
Në fakt mjekët janë ndalur sidomos në problematikën që shfaqin personat diabetik dhe kanë dhënë edhe këshilla. “Padyshim që personat diabetikë duhet të jenë të kujdesshëm me produktet që konsumojnë, pasi sheqernat dhe yndyrat u shkaktojnë atyre dëme të rënda. Në fakt, ndonëse janë pacientë kronikë dhe i dinë pasojat e sëmundjes nëse konsumojnë produkte të papërshtatshme, duket se shumë prej tyre nuk i rezistojnë tavolinës së Vitit te Ri dhe përfundojnë në urgjencat e spitaleve”, theksojnë mjekët e urgjencës duke shtuar se kjo është një eksperiencë me të cilën ndeshen çdo vit dhe po ashtu edhe me këtë kategori pacientësh, ndonëse mjekët nuk i kursejnë këshillat që ata duhet të tregojnë kujdes në këtë aspekt. Sipas tyre më problematikë kanë qenë sidomos fëmijët diabetikë, pasi ata e kanë më të vështirë të realizojnë të gjitha këshillat që u japin mjekët. Ndërkohë, ndryshe nga vitet e shkuara mjekët pohojnë se asnjë shqiptar nuk është dëmtuar nga fishekzjarrët. Po kështu nuk është shënuar ndonjë aksident me pasoja të rënda. Mjekët e lidhin me faktin se këtë vit janë hedhur më pak fishekzjarre dhe kjo mund të ketë lidhje edhe me krizën ekonomike. Vetëm në njërin prej aksidenteve që ndodhi natën e ndërrimit të viteve, një person pësoi dëmtime të lehta dhe mori ndihmën e parë në Spitalin Ushtarak.