Dialogu me Julian Assange

Dialogu me Julian Assange
Gazeta britanike “The Guardian”, një nga gazetat që ka publikuar përmbledhjen e të gjitha dosjeve të “Wikileaks” (Afganistan, Irak, diplomacia) ka krijuar një dialog mes lexuesve dhe Julian Assange përmes internetit. Ja cilat janë disa nga pyetjet që i janë bërë këto ditë pas publikimit të dokumenteve diplomatike dhe përgjigjet që ai ka dhënë.

Do të doja ta nisja me këtë pyetje. Ju keni pasaportë australiane. A do të donit të ktheheshit në vendin tuaj, apo në këto kushte e keni të pamundur, për shkak të rrezikut të arrestit?

Unë jam nënshtetas australian dhe më merr malli shumë për vendin tim. Megjithatë gjatë javëve të fundit, Kryeministrja australiane Julia Gillard dhe Prokurori i Përgjithshëm e kanë bërë të qartë se jo vetëm që kthimi im në Australi është i pamundur, por qeveria e Australisë është duke bashkëpunuar aktivisht me qeverinë amerikane në sulmet ndaj meje dhe njerëzve të “Wikileaks”.

Në ç’mënyrë mendoni se i keni ndryshuar çështjet ndërkombëtare? Në këtë mes keni marrë të gjithë vëmendjen e njerëzve, a mendoni se edhe ata që jua kanë dhënë këtë informacion meritojnë një fjalë mirënjohjeje nga ju?

Gjatë katër viteve të fundit një nga qëllimet tona ka qenë që të vëmë në pah vlerën e jashtëzakonshme të atyre që japin informacionin dhe rrezikut të madh dhe real që ata ndërmarrin në të gjitha vendimet për të publikuar materiale të rrezikshme. Nëse siç e thotë edhe vetë Pentagoni, ushtari i ri Bradley Manning është personi që na ka furnizuar me disa materiale, atëherë pa dyshim që ai është një hero me vlera të jashtëzakonshme.

A keni publikuar ose do të publikoni materiale me emrat e informatorëve afganë apo ndonjë gjë tjetër të ngjashme? A jeni i gatshëm që të censuroni emrat e atyre që mendoni se mund të rrezikojnë jetë njerëzish?

“Wikileaks” ka një histori publikimesh 4-vjeçare. Gjatë kësaj kohe nuk ka pasur asnjë akuzë të besueshme, madje as nga ana e Pentagonit, që qoftë edhe një njeri i vetëm është dëmtuar si pasojë e aktivitetit tonë. Dhe kjo pavarësisht një pune të jashtëzakonshme për të manipuluar, spiunuar apo dezinformuar njerëzit për të kundërtën. Në këtë drejtim do të vazhdojmë siç e kemi nisur.

Departamenti i Shtetit është duke ngritur dyshime në lidhje me faktin nëse ju jeni një gazetar, apo jo. Në fakt a jeni gazetar? Për sa i përket publikimit të këtyre materialeve që keni publikuar a ka në fund të fundit rëndësi fakti i të qenët apo jo gazetar?

Librin tim të parë e kam shkruar në moshën 25-vjeçare dhe kam marrë pjesë në realizimin e dokumentarëve, kam shkruar në gazeta, kam qenë pjesë e televizionit dhe internetit për shumë vite. Megjithatë nuk është e nevojshme që të debatohet në lidhje me të qenët apo jo gazetar për sa i takon personit tim. Megjithëse unë ende shkruaj, kërkoj dhe hetoj, roli im parësor është ai i botuesit dhe kryeredaktorit që organizon dhe drejton gazetarët e tjerë.

A ju kanë sjellë deri më tani dokumente që kanë të bëjnë me çështjen e UFO-ve apo jashtëtokësorëve?

Na janë dërguar shumë materiale të ndryshme në lidhje me këtë çështje, por deri më tani ato nuk kanë përmbushur dy nga rregullat tona thelbësore për publikimin e materialeve:
dokumentet nuk duhet që të kenë për autor dërguesit apo të jenë dokumente personale;
dokumentet duhet të jenë origjinale.

Megjithatë është për t’u theksuar se ndër materialet që pritet të publikohen ka prej tyre që kanë të bëjnë me UFO-t.

Çfarë ka ndodhur me të gjitha dokumentet që janë publikuar në “Wikileaks”, para daljes së dokumenteve të fundit, pra atyre për Afganistanin, Irakun dhe diplomacinë? A do t’i vendosni sërish online në një tjetër moment?

Një pjesë e mirë e tyre janë ende online te mirror.wikileaks.info dhe pjesa tjetër do të kthehet në sajt sapo të gjejmë pak kohë të lirë për të zgjidhur të gjitha komplekset teknologjike, me të cilat po merremi aktualisht. Që nga muaji prill i këtij viti jemi përpjekur që të pengojmë të gjitha llojet e sulmeve abuzive ndaj sajtit tonë nga ana e qeverive dhe organizata që kemi kundër. Por sigurisht që nuk jam i lumtur që puna e bërë për 3 vjet e gjysmë nuk mund të publikohet ende e plotë në sajt, pra nuk është e plotë në dispozicion të publikut.

A e keni pritur këtë lloj impakti nga e gjithë bota para publikimit të materialeve që nga muaji prill? S’keni frikë për sigurinë tuaj?

Unë kam besuar gjithmonë se “Wikileaks” si koncept do të luante një rol global dhe deri në njëfarë mase ishte e qartë që po e bënte një gjë të tillë që nga viti 2007, kur sajti ynë ndryshoi rezultatin e zgjedhjeve në Kenia. Mendoja se në vend të katër viteve do të duheshin 2 vjet që sajti të njihej dhe të kryente funksionin që kryen sot, pra atë të publikimit të materialeve sekrete, ndaj mund të them se në këtë rast jemi pak mbrapa me planin, të cilit i kishim vënë vetes dhe kjo tregon se kemi shumë punë për të bërë. Për sa ka të bëjë me kërcënimet për jetët tona ne jemi duke marrë masat e duhura, ndërsa na duhet që të përballemi me superfuqi.

Unë jam një ish-diplomat britanik. Gjatë detyrave të mia në të shkuarën kam ndihmuar në koordinimin e veprimeve shumëpalëshe ndaj një regjimi gjakatar në gadishullin e Ballkanit, vendosjen e sanksioneve ndaj një shteti që kërcënonte ndërmarrjen e spastrimeve etnike dhe kam negociuar për programet e ndihmës në favor të vendeve të varfra. Asnjë nga këto përpjekje nuk do të kishin qenë të mundura pa mbajtjen të fshehtë të korrespondencës diplomatike dhe mbrojtjes së kësaj korrespondence nga publikimi në media sipas ligjeve të Britanisë së Madhe dhe shumë shteteve të tjera që konsiderohen si demokraci liberale. Një ambasadë që nuk është në gjendje që të sigurojë fshehtësinë e përcjelljes së informacioneve është një ambasadë që praktikisht nuk mund të operojë. Diplomacia nuk mund të operojë pa fshehtësinë dhe mbrojtjen e burimeve. Kjo gjen aplikim në Britaninë e Madhe, OKB dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në publikimin masiv të dokumenteve “Wikileaks” nuk është duke nxjerrë në pah raste të veçanta gabimesh, por është duke minuar një proces të tërë diplomatik. Kur ju arrini që të publikoni materiale diplomatike, atëherë nuk e keni problem të publikoni edhe email-e personale apo telegrame. Pyetja ime është: përse nuk duhet që t’ju bëjmë përgjegjës për një krizë të ardhshme, nëse diplomacia nuk funksionin për shkak të mungesës së fshehtësisë?

Nëse do ta reduktoni gjithë këtë shënim të gjatë në një pyetje të vetme, atëherë do të jem i lumtur që t’ju jap një përgjigje.

A mund të shpjegoni censurën e identiteteve si xxxxx në materialet e publikuara? Disa identitete problematike janë lënë siç janë, ndërkohë disa materiale kanë një shfaqje të pjesshme të materialeve. Kush mund ta bëjë këtë gjykim përveç qeverisë amerikane? Me sa di unë kërkesa për ndihmë që i bëtë Departamentit të Shtetit ju është refuzuar. A ka një rend të përcaktuar në publikimin e materialeve apo përzgjedhja e tyre është e rastësishme?

Materialet që kemi publikuar korrespondojnë me histori të publikuara nga partnerët tanë të mediave dhe vetë ne. Ata janë redaktuar nga gazetarë që kanë punuar për këto ngjarje, sepse ata e dinë mirë përse bëhet fjalë. Redaktimet më pas rishikohen edhe njëherë nga gazetari, apo botuesi.

Ju keni nisur diçka që nuk mund të ndalet më. Fillimin e një bote të re. Mos harroni se njerëzit janë me ju dhe ju mbështesin (nga Sllovakia). A keni materiale për ACTA?

Po. Ne kemi materiale për marrëveshjen tregtare kundër falsifikimit, një marrëveshje tregtare që mund të konsiderohet një Kalë Troje që nga krijimi, sepse është në favor vetëm të lojtarëve të mëdhenj. Në fakt “Wikileaks” ishte e para që e vuri këtë organizatë në vëmendje të opinionit publik me një material të botuar.

Tom Flanagan, një këshilltar i vjetër i Kryeministrit kanadez, së fundi ka deklaruar: “Unë mendoj se Assange duhet të vritet dhe se Obama duhet të bëjë një kontratë për këtë. Nuk do të më vinte keq nëse Assange zhduket”. Si ndiheni në lidhje me këtë deklaratë?

Është e saktë. Z. Flanagan dhe të tjerë i bëjnë seriozisht këto deklarata dhe ata duhet që të akuzohen për nxitje vrasje.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama