Paulo Dibala, një lider i padiskutueshëm, i cili jo vetëm që nuk ka ndër mend ta lërë Juventusin pas ofertave joshëse, por mendon që të transformohet në një ikonë: "Do doja që të qëndroja për 20 vite te kjo skuadër, njësoj si Del Piero dhe Bufoni. Jam i bindur se ky është vendi i duhur për mua, për të fituar shumë trofe, por edhe 'Topin e Artë' pse jo". Sulmuesi argjentinas 20- vjeçar është një nga ata futbollistë që ecën me këmbë në tokë, ndaj kurrë nuk ka pasur dyshime mbi zgjedhjen e bërë.
Një start i vështirë për ju dhe për Juventusin sivjet... A kishte ndonjë moment kur i thatë vetes: "Paulo ke bërë zgjedhjen e gabuar"?
Jo, asnjëherë, edhe pse ishim 12 pikë poshtë Interit. Isha i ndërgjegjshëm që grupi ishte copëtuar shumë, kundrejt një viti më parë dhe pikësëpari më duhej të kuptoja se çfarë përfaqësonte Juvja.
Kur e bëra këtë, rezultatet u panë qartë nga të gjithë. Kishit parë ndonjëherë një përmbysje të tillë?
Po, ky vit i yni te ky Juventus më kujton Italinë e Botërorit 2006, ku pasi u duk se do dështonte që në grupe, në fund arriti të triumfojë.
Cilat kanë qenë momentet më të bukura të këtij sezoni për ju?
Ka pasur shumë të tillë, por do të thosha se momenti i parë kur vesha bluzën e Juves ishte drithërues. Më pas, fitorja e Superkupës së Italisë me një gol timin, goli im i parë në kampionat me Romën dhe hera e parë në "Juventus Stadium"...
Po më i keqi?
Pa dyshim eliminimi nga Bajerni i Mynihut. Mendoja se do t'ia dilnim, kishin mbetur pak sekonda, do kishim kryer një arritje madhështore, por në fund vuajtja ishte edhe më e madhe. E pashë në shtëpi, vetëm mbi divan, i dëmtuar dhe me aparaturën që më riaftësonte muskujt e dëmtuar në punë. Nervozizmi ishte aq i madh sa nga një kërcim rrezikova të përkeqësoja dëmtimin dhe, më pas, nuk do dija si t'ua sqaroja këtë mjekëve dhe drejtuesve.
Kanë nisur t'ju krahasojnë me Mesin. Ju shqetëson ky fakt?
Përkundrazi, më karikon që të eci në gjurmët e tij. Leo është një idhull, një kampion madhështor. Edhe Ronaldo është gjithashtu i fortë por që të dy, kurrsesi nuk do të shënonin nga 50-60 gola, në sezon, në Serinë A.
Pogba thotë që kërkon të bëhet i fortë sa Pele e Maradona. Po synimet tuja cilat janë?
Pol ka cilësi fantastike dhe mund të synojë pa frikë rolin e lojtarit më të fortë në botë. Por për këtë po punoj dhe unë, shpresoj që një ditë të fitoj Champions-in dhe "Topin e Artë" me bluzën e Juventusit.
Pogba mund ta lirojë bluzën me numër 10 në verë. Do ta pranonit ju?
Po. 10-ta më pëlqen, por nëse do kisha mundësi të zgjidhja, do doja që Pogba të qëndronte dhe unë do të isha gjithsesi i lumtur me numrin tim.