Paulo Dibala është konfirmuar edhe një herë deciziv. Sulmuesi i "Zonjës së Vjetër" vulosi me dopietën e tij në pjesën e dytë atë që Mario Manxukiç nisi në fundin e së parës dhe tashmë, titulli kampion është vetëm pak ditë larg. Mëngjarashi 22-vjeçar flet i emocionuar në fund të sfidës së djeshme me Lacion dhe pranon se po përjeton një moment magjik.
Dibala, përpara ndeshjes kishte thënë se ju mungonte goli. Ndërkohë shënuat dy...
Po, fatmirësisht ia dola, ndonëse më parë kisha gabuar një me portën e boshatisur. Gjithsesi, unë mendoj se për mua kjo ishte një natë perfekte dhe shpresoj që të kem ende shumë të tjera si kjo. Personalisht po përjetoj një moment magjik, unik dhe jam më i lumtur se kurrë.
I dhatë një tjetër përgjigje të fortë Napolit, apo jo? K
jo fitore vlen 90 për qind të titullit kampion. Shpresojmë që këtë çështje ta mbyllim të dielën, në transfertë, në Firence dhe pas 10 ditësh të bëhemi të gjithë gati për festë.
Alegrin e pamë shumë të nervozuar me ju për disa goditje me thembër, ndoshta të tepruara në disa raste. Çfarë ndodhi?
Këtë ma bën vërejtje gjithmonë dhe në shumë raste ka të drejtë. Sepse ne sulmuesve disa herë na dalin në destinacion të tilla goditje, por edhe disa herë jo. Jam i sigurt që kur të zbres në dhomat e zhveshjes nuk do të më përgëzojë, por do më qortojë për to, por gjithsesi, unë i përgjigjem gjithmonë me shumë edukatë dhe kështu e dribloj (qesh).