Dicka e turpshme…

Diçka e turpshme…
Komunikimi i fëmijëve me prindërit e tyre për çështje intime ende çalon. Në përgjithësi, konsiderohet se raportet prindër-fëmijë në këtë aspekt janë mjaft të mbyllura, edhe pse kohëve të fundit mund të thuhet se ndihet një liri më e madhe për të biseduar për çdo çështje, pra edhe për ato tema që deri dje konsideroheshin “tabu.

Informacionet e domosdoshme

E reja Florentina Sinani thotë se në përgjithësi sa herë që ka probleme që lidhen ngushtë me botën tonë intime të femrave, është shumë e lirë me prindërit t’i diskutojë pa kurrfarë ngurrimi. “Ajo që jam më shumë e lirë për çdo gjë, është nëna ime, e cila më ka përkrahur, por edhe më ka ndihmuar në çdo lloj sfide që kam pasur para veti”, tha Florentina. Sipas Florentinës, për shumëkënd bota e seksit është diçka e turpshme, por edhe një temë tabu, që në veçanti në zonat rurale mund të thuhet se janë të paprekshme.

Ajo mendon që praktikisht nevoja e madhe dhe informacioni mbi problemet dhe seksin në përgjithësi janë shumë të domosdoshme për të rinjtë, ngase vetëdija e tyre, në krahasim më koleget e tyre në rajon, është shumë e ulët. Seminaret e ndryshme që do të duhej të mbaheshin në shkolla, ashtu si edhe ligjëratat e kurset e ndryshme, se si duhet mbrojtur nga sëmundjet seksuale, shtatzënësia e padëshiruar, pasojat dhe koha e përgatitjes për të hyrë në botën e pjekurisë, do të na ndihmonin neve si të rinj shumë, thotë ndër të tjera, Florentina.

Edukata seksuale si lëndë e veçantë

Malësore Shabani ( 23), nga Prishtina, konsideron se komunikimi më prindërit mbi problemet intime që lidhen ngushtë me botën e seksit janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e tyre. “Komunikimi mbi edukatën seksuale është shumë i rëndësishëm të bëhet në mënyrë të lirshme, dhe do të duhej të hynte si një lëndë e veçantë në programet e shkollave fillore dhe të mesme, në mënyrë që nxënësit dhe të rinjtë do ta kishin më lehtë për të mësuar elementet bazë për jetën e nesërme në çift”, thotë Malësorja . Ajo shton se shthurja e adoleshentëve ndodh pikërisht atëherë kur të rinjtë nuk kanë njohuri, siç është përkujdesja seksuale dhe edukimi seksual. Prandaj, në përgjithësi te ne këtë temë shumë njerëz e konsiderojnë si temë ‘tabu’, ngase disave u vjen turp ta përmendin jo vetëm në shoqëri, por edhe me prindërit e tyre, ndërsa edukata është një plus i madh, sepse sidomos ne të rinjtë duhet të dimë më shumë, ngase sigurinë në çdo proces e kemi më të madhe”, shprehet Malësorja.

Psikologët: Komunikimi, i domosdoshëm

Komunikimin mbi këto probleme, psikologët e konsiderojnë si një vlerë të çmuar, ku të rinjtë duhet ta ndërtojnë jetën e tyre më të sigurt. Adoleshentët edukatën seksuale dhe komunikimin me prindërit medoemos duhet ta marrin shumë seriozisht, ngase i ndihmon ata më lehtë për t’i përballuar sfidat. “Bota e fuqishme e ndjenjave në raport me veprimet dhe hapat që duhet ndjekur asocohet vrullshëm, sidomos te të rinjtë, ngase ata e ndiejnë veten më burrëror dhe ecin nën ndikimin e asaj që duhet kuptuar si një proces që kënaq ndjenjat e veta, duke harruar dhe duke mos qarë kokën për pasojat e mundshme që do të vijnë e do të shfaqen patjetër më vonë, e një komunikim me prindërit është i domosdoshëm”, thotë psikologja Anita Behrami.

Sipas saj, konsultimi më prindërit, por edhe më të rriturit do t’u ndihmonte shumë të rinjve që fazën e tyre të adoleshencës ta përballojnë pa vështirësi dhe me një kujdes të shtuar. Duke ditur më shumë për edukatën dhe botën seksuale, do të shmangen disa procese që pa dashje mund të ndodhin, si shtatzënësia e padëshiruar, infektimin nga ndonjë sëmundje ngjitëse, siç është Aids e shumë të tjera. Dhe, komunikimi i lirë ndihmon të rinjtë që të mos ballafaqohen me këto rreziqe që mund të kenë pasoja, thotë psikologja Behrami. Të rinjtë duhet thyer tabutë dhe duhet të jenë më të lirë dhe të hapur për çdo problem që ata kanë në jetën e tyre të përditshme.


/kosovasot/

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama