BESNIK DIZDARI
Ndoshta ajo që po ndodh është uniformiteti (përnjisimi) i futbollit europian. Ndryshe globalizimi i tij, siç është bërë kaq i kohës ky përcaktim në fjalorin e gjeopolitikës së sotme eurobotërore.
E që, detyrimisht po hyn edhe në sportet. Kështu, 11 ndeshjet e para (ky editorial është shkruar para ndeshjes Portugalia - Islanda) të Edicionit të 15-të jubilar të asaj që quhet Kupa e Europës "Henri Delaunay" - ndryshe Kampionati Europian i Futbollit - për herë të parë në historinë e jetës së saj gati 60-vjeçare ajo e kalon turin e parë përmes 11 rezultateve të ngushta, gati-gati të një baraspeshe unike midis të gjithë pjesëmarrësve.
Madje duke përfshirë këtu edhe debutuesen tonë "par excellence" ballkanike me emrin Shqipëri. I rritur deri në 24 shtete pjesëmarrëse, e kjo më tepër për hir të komercializimit fitimesh të sigurta (1 fitore vlen 1 milion euro), gara eprore e futbollit europian vërtetoi mbrenda pesë ditëve mû këtë baraspeshë. 6 ndeshje me fitore të vetëm 1 goli ndryshim, 2 barazime dhe vetëm 3 fitore "të thella", thjesht 2-0, të dy superfuqive të futbollit, Gjermani e Itali, shto Hungarinë, treguan se ajo që ka nisur nja 25 vjet më parë, pra afrimi i forcave, tash mund të mbërrijë kulmin e saj. Cila qe e veçanta që u ngrit lart mbi të tjerat? Pra, cila qe skuadra që na çuditi sadopak? Ndoshta asnjëra.
Ndonëse në shtypin europian u veçua tejet njëra: Shqipëria! Dhe më fort se për lojën, të duket se ajo u veçua për rastin e vëllezërve Xhaka në dy skuadra të ndryshme, për nënën e tyre, e cila kishte veshur një fanellë me dy gjysma flamujsh Shqipëri e Zvicër, për faktin se ishte skuadra e vetme midis të 24-rave, e cila më shumë se gjysmën e lojtarëve nuk i kishte prodhuar vetë, për ndodhinë e bujshme se ishte një bashkim i bujshëm ndërkombëtar Shqipëri - Kosovë. Dhe vetëm pak për sa i përket gjykimit teknik edhe pse kjo vinte prej faktit që me 10 lojtarë kjo Shqipëri debutuese gati e sfidoi Zvicrën që aq fort u gëzua për fitoren e ngushtë 1-0. E gati-gati sa nuk u tha - sidomos në Shqipëri - se "më mirë qenka kur luan me 10 lojtarë sesa me 11"! I pari këtë batutë e ka thënë nja 50 vjet më parë një trajner suedez i futbollit italian, i famshmi Nils Liedholm, çka i përmendet sot e kësaj dite sa herë që një skuadër luan mirë kur i përjashtohet një lojtar.
E, përballë një Zvicre diçka më të mpaktë se dy vjet më parë, në pjesën e dytë Shqipëria paraqiti një model taktikoteknik të stilit "catenaçio all'italiana" thuajse triumfuese, teksa kujtoj rastin "historik" të Gashit, që megjithatë nuk u bë historik!...
Ndeshjet e tjera? Funde spektakolare italo-gjermane, por jo futboll i madh. Fat francez dhe mosfat rumun. Fatalitet anglez dhe përtëritje ruse.
Befasi turke në humbje e sipër prej shkollës jugosllave të Kroacisë pra. Dhe "melankoli" barazuese suedeze për të mbërritur te një fitore hungareze në duelin danubian Austri - Hungari.
Të dy gati 100 vjet më parë të të njëjtit shtet që ende e quante futbollin një sport "proletar", tejet i panevojshëm për aristokracinë hausburge. Mandej? Mandej Ëundertimi i Hugo Meislit i viteve '30, thuajse një revolucion në futbollin europian.
E Mbasluftës "skuadra e artë" hungareze e Ferenc Pushkashit, që nis me 3-0 ndaj Shqipërisë, që ndalon me një 0-0 përtej historisë në Tiranë për të mbërritur për fat të keq te rekordi "i paharrueshëm" edhe ky, i një 12-0 shkatërrues dhe arratisës.
Sot, mbas kaq vjetësh, mbërrin Kombëtarja e Hungarisë e harruar për gati një gjysmëshekulli me një risi të pangjashme: tre lojtarë të saj, Fiola, Sallai dhe një i tretë me emrin e kujtimeve më të famshme: Kocsis, të cilët vijnë nga një klub që mban emrin e Ferenc Pushkashit legjendar: është skuadra "Puskas Akademia"!
Ky mund të jetë rasti i vetëm në historinë e futbollit botëror kur një klub i tanë merr emrin e një futbollisti. Madje, teksa është themeluar vetëm më 2005, klubi "Puskas Akademia" mbërrin sensacional në Kampionatin Europian me tre lojtarë të tij, dhe 2-0 Austrisë, e cila mendohej se është në vitet më të mira të sotme të saj.
Them se përveç rastit të shqiptarësisë që ia mbërriti të jetë midis finalistëve të Europës me 15.000 shikues të pranishëm në ndeshjen parë të saj, e gjitha kjo ndoshta është mû ajo "diçka" që po ndodh në futbollin europian.
Pa harruar barazinë midis skuadrave. Ndonëse për fat të keq me shterpësinë më të madhe të efektit të lojës sulmuese. Për herë të parë në historinë e një Europiani turi i parë i fundoreve (finaleve) të tij nuk mbërrin as 2 gola për ndeshje.
Është vetëm 1.8 gola për ndeshje! Kështu pra, "Diçka po ndodh" në futbollin europian. Dhe po ndodh, tash për tash, pa thënë thuajse asgjë të re fusha e blertë.
Po ai futboll kombëtaras që shohim tash sa vite, i përvetësuar të paktën në miniaturë stili, tashmâ prej të gjithëve.
E, dikush, një fort i guximshëm, thotë se pikërisht sonte në mbrëmje diçka tjetër do të ndodhë. Do të ndodhë shpërthimi i Shqipërisë ndaj Francës në shtëpinë e vet. Vërtet?...