Në takimin e mbajtur në kujtim të 100-vjetorit të lindjes së Sabiha Kasimatit, ishin të pranishëm shumë prej atyre që burgun e diktaturës e kanë pësuar në kurriz. Sabiha Kasimati njihet si gruaja e vetme që u pushkatua në 1951 mes 22 vetave të akuzuar për bombën në Ambasadën Sovjetike. Ndërsa studiuesit filluan të flasin për të si intelektuale, femra e parë që guxoi të niste më 1927 studimet në Liceun e Korçës, biologjia dhe shkencëtarja që studioi në Torino dhe u punësua në Institutin e Shkencave, ajo që siç u tha dje në sallën “Tefta Tashko” në MTKRS, “shkëlqente në bisedat me Eqrem Çabejn dhe intelektualët e kohës”, Didi Biçaku solli kujtimet e fundit për të. Ajo tashmë është 86 vjeçe, me flokët e zbardhur krejt, me një ton që nuk e fsheh përlotjen, tregon takimin e fundit në qelitë e burgut, kur edhe ajo vetë ishte një hap larg ekzekutimit. “Mua më arrestuan më 23 shkurt të vitit 1951. Atë natë ishte një i ftohtë i madh.
Në orën 12.00, trokitën në derë 3 të Sigurimit. Pasi kontrolluan shtëpinë, na pyetën secilin për emrin. “Në emër të popullit jeni e arrestuar”, më thanë kur ju tregova emrin. Ngrita duart lart dhe dola. U bëra e fortë në ato momente dhe ndërsa nëna ime mbushi sytë me lot, u thashë mos u mërzisni se unë do të kthehem shpejt se nuk kam bërë asgjë. Tre të sigurimit më shoqëruan, më thanë ta mbaja kokën ulur, të mos shikoja as majtas, as djathtas. Vetëm kur arrita te sheshi te sahati, pashë me qindra të burgosur të tjerë. Na shoqëruan të gjithëve tek ai që e quanim burgu i ri. Më futën në një kaush ku ishte errësirë e plotë. Kur në moment u ndez një fije shkrepëse. Më pyeti kush je. Jam Didi Biçaku i thashë. Ishe Sabihaja. ‘Hajde”, më tha. Në vend që të më qante hallin se kisha përfunduar aty, u gëzua sepse ishim të njohura prej kohësh”, tregon Didi teksa përlotet. Ajo e kishte njohur Sabiha Kasimatin si mësuese në Korçë. “Më futi brenda në krevatin e saj që ishte bërë akull, por vetë digjej nga temperatura. Të tjerët nuk i shihnim.
Më në fund, se ishte e nesërmja apo e pasnesërmja, nuk merrej vesh, dëgjoj që bram u hapën dyert. Edhe sot e kësaj dite nuk e harroj zhurmën e atyre dyerve. Hyjnë dy-tre të sigurimit dhe me një dritë të vogël feneri që të mos shihnim njëri-tjetrin, na nxorën mua e Semihanë jashtë. Na lidhën duart dhe na çuan në një sallë. Atje ishin të gjithë ata të shkretët që e pësuan. Ishte vetëm një tavolinë, një dritë e vogël ndezur dhe të gjithë të burgosurit me kokën ulur. Aty diktova vetëm Mehmet Shehun, i cili përplaste dorën në tavolinë dhe thoshte: Këta janë armiqtë e popullit, për këta nuk duhet të kemi mëshirë se na përmbysin pushtetin tonë popullor”.
U habitëm e thosha çfarë kemi bërë. Sabihaja më shtrëngoi dorën e donte të thoshte se e kemi punën keq. Kur mbaroi komplet biseda e Mehmet Shehut, u dëgjua prapë zhurma e dyerve dhe një makinë e madhe ndaloi aty. I morën të gjithë, i futën me kokën ulur brenda në makinë. Erdhi dhe radha ime me Sabihanë. Ajo doli përpara dhe mua më tërhoqi një gardian pas. Si duket nuk figuroja te lista me kryq. Unë mendoja se ata që u futën në makinë do të liroheshin dhe e mallkova atë që më tërhoqi. Dora ime dhe e Sabihasë mbetën në ajër teksa na shkëputën. Ishte hera e fundit që e pashë. Më çuan në një birucë ku ndenja dy net.
Nuk e mora vesh se ku i çuan ata që hipën në makinë. Kur më nxorën nga biruca, i thashë njërit prej gardianëve: Po çfarë kam bërë, pse nuk më hipët edhe mua në makinë. “Pse deshe të shkosh edhe ti tek ura e Beshirit”, m’u përgjigj. Më vonë e kuptova se çfarë kishte ndodhur. Për 2-3 muaj rresht më merrnin në pyetje edhe pse nuk kishim bërë asgjë”, tregoi dje Didi Biçaku. Sabiha Kasimati e kishte njohur personalisht Enver Hoxhën në Liceun e Korçës e madje thuhet se dënimi i saj ishte një hakmarrje personale ndaj saj, ngaqë ajo e kritikonte për ato që po ndodhnin. Familjarët e saj kanë kërkuar që këto figura të marrin mirënjohjen e duhur. O. Lila