Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi në një deklaratë për mediat, ka treguar për mënyrën si po zhvillohen hetimet në lidhje me zbulimin e ‘grupit të zjarrit’, personat të cilët qëlluan për 5 ditë policinë e që më pas arritën të largohen nga Lazarati. Sipas tij, ky grup ekziston dhe policia i është vënë nga pas.
“Po ta dinim vendndodhjen e tyre do i kishim kapur. Ju ishit vetë atje dhe e konstatuat që ka një grup kriminal që ka goditur policinë, që tentoi të rezistonte, këtë ne e quajmë grup kriminal, ndërsa ju grupi i zjarrit. Krahas veprimeve që vazhdojnë në Lazarat, ne jemi në kërkim të këtyre personave. Nuk kemi ende një numër, sapo t’i identifikojmë do ju bëjmë me dije”- tha Didi.
Ndërsa, në lidhje me procedimin penal për Dasho Alikon, kryekomunarin e Lazaratit, Didi u përgjigj që vetë fshati i mbushur me kanabis e armë është prova më e madhe.
“Për të vendosur për masën e sigurisë kompetenca kalon tek prokuroria, e më pas ia kërkon gjykatës. Ne përderisa kemi bërë procedim penal kemi prova, personi në fjalë duhet të përgjigjet. Prova e gjallë është Lazarati, gjetëm armë e kanabis”, shtoi ai.
I pyetur nëse në këtë fshat ka pasur edhe trafikim të drogave të forta, pas zbulimit të laboratorëve të drogës, Didi tha:
“Patjetër, si një territor ekstra, ku nuk vepronte ligji, ku s’kishte kontroll është shfrytëzuar edhe si bazë e sigurt për të bërë edhe transitin e drogave të forta”.
Kreu i operacionit në Lazarat tha ndër të tjera se policia ka identifikuar policët që dekonspiruan operacionin.
“Dekonspirimi nga policë të Gjirokastrës për shkak të afërsisë por edhe aferave të ndryshme ka pasur, por ne mendojmë që këta persona i kemi të identifikuar, një pjesë prej tyre janë larguar nga operacioni”.
Ndërkaq, Didi mohoi kategorikisht spekulimet se punonjësit e policisë kanë marrë sende me vlerë gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e Lazaratit.
“Nuk është vërtetuar asnjë rast që të jenë marrë sende me vlerë, dhe nuk është e vërtetë që punonjësit e policisë kanë marrë sende me vlerë nga Lazarati”, tha Didi.