Ilda Thomai recepsioniste në njërën në qendrën më të madhe të solarëve në Tiranë na tregon se vihet re dëshira gjithnjë e në rritje sidomos e femrave për t’u nxirë në solarë, por mbetet e rëndësishme një konsultë me dermatologun para se ti drejtohesh kësaj procedure të nxirjes artificiale. Pse është i këshillueshëm dermatologu? “Lëkurat me shumë nishane, lëkurat e bardha apo lëkurat me probleme kërkojnë një trajtim të veçantë. Ne gjithmonë i këshillojmë vajzat për rreziqet që mund të sjellë abuzimi me nxirjen e lëkurës. Kemi dhe rastet e grave shtatzanë. Ato nuk lejohen fare të futen për t’u nxirë”, pohon Ilda.
Pjesa më e madhe e vajzave dhe grave që përdorin solarin janë kryesisht grupmosha 20 deri në 40 vjeçar. Po djem a vijnë? Ilda na tregon se mbi 80 përqind e klientëve janë femra. “Për meshkujt mendoj se vazhdon të mbetet tabu sepse ndihen disi të paragjykuar për të ardhur dhe nxirë lëkurën. Mendoj se këto tabu do të fillojnë të rrëzohen me kalimin e kohës”, – thotë ajo.
Estetistja Elda Tomçini është e mendimit se kujdesi duhet të jetë edhe në varësi të tipit të lëkurës. Kemi 6 lloje lëkurash ku më delikatja është “fototipi 1” i lëkurës e cila digjet gjithnjë, kurrë nuk nxihet dhe është e ndjeshme nga dielli. Për këtë tip lëkure duhet të përdoret krem me mbrojtje shumë të lartë (merrni tubetat e kremit për mbrojtje që shkruajnë SPF 50 +). Njerëzit me këtë tip lëkure janë vërtet delikat. E “kundërta” e tyre janë njerëzit me “fototipin 6” të lëkurës. Këta kanë pigment të fortë dhe kurrë nuk digjen. Për këtë tip lëkure do të ishte e mjaftueshme një krem mbrojtje me SPF 10.
Nisur nga tipet e lëkurës znj.Tomçini shpjegon se jo të gjithë mund të marrin njësoj ngjyrë në solar. Për një lëkurë që ka pigment, do të mjaftonin deri në 3 seanca. Ndërsa për lëkurat e ndjeshme dhe pa pigment do të nevojiteshin deri në 8 seanca. “Megjithatë duhet të theksoj se lëkurat e ndjeshme dhe ato me nishane nuk duhet të bëjnë solar. Mund të rezultojë një veprim i rrezikshëm”, thekson Tomçini.
Elda Tomçini: Abuzimi me rrezet sjell edhe plakje të lëkurës
Ekspozimi i tepërt në diell shkakton jo vetëm plakje para kohe por edhe kancer të lëkurës. Ky është apeli që bën dermatologia dhe estetistja Elda Tomçini e cila shpjegonte rastet e kancerit të lëkurës janë në përqëndrim më të lartë tek njerëzit me lëkurë të bardhë krahasuar me lëkurën brune. Sipas saj 80% e plakjes së lëkurës shkaktohet nga ekspozimi në diell. “Lëkura humbet kolagenin, elasticitetin, dëmtohen enët e gjakut duke u plasaritur në sipërfaqe rremat e gjakut, shfaqen rrudhat, njollat. Djegia nga dielli jep teleangiektazi, puçra me origjinë pigmentare, ulje të elasticitetit dhe hollim të lëkurës”, shpjegon Elda Tomçini. Ndërkohë ajo shpjegoi se depërtimi i rrezeve UVA-UVB në lëkurë rezulton në prodhimin e melaninës. Ky duke lëvizur në sipërfaqe të lëkurës bëhet i dukshme me nxirjen e lëkurës. Nxirja nuk është një indeks i shëndetit të mirë. Disa mjeke e konsiderojnë nxirjen e lëkurës si përgjegjëse e dëmtimit pas ekspozimit në diell pasi rrezet e diellit kanë vrare disa qeliza dhe dëmtuar të tjera. Megjithatë djegia dhe nxirja e lëkurës varet nga disa faktorë. Në baze të tyre kemi 6 fototipe lëkure.
-fototipi -1- digjet gjithnjë, kurrë nuk nxihet, e ndjeshme nga dielli
-fototipi -2- digjet lehtë, nxihet minimalisht
-fototipi -3- digjet dhe nxihet gradualisht në ngjyrë kafe të lehtë
-fototipi -4- digjet pak, gjithmonë nxihet mirë në ngjyrë kafe të lehtë
-fototipi -5- rrallë digjet, nxihet shpejt
-fototipi -6- kurrë nuk digjet ka pigment të fortë, pak e ndjeshme
Njerëzit me lëkurë tipi 1 dhe 2 janë ata me rrisk më të madh.
Sipas filtrave solaret mbrojtës klasifikohen
SPF 6-10 mbrojtje e ulët
SPF 15-25 mbrojtje e mesme
SPF 30-50 mbrojtje e lartë
SPF 50+ mbrojtje shumë e lartë
Sa kushtojnë solaret për t’u nxirë
1 seancë kushton nga 800 lek deri në 1000 lek
1 paketë me 6 seanca kushton nga 500 lek deri në 7000 lek
1 paketa solar me 8 seanca kushton nga 400 lek deri në 6 lek
Ku mund të bëjmë solar
Qendra më e madhe Miami Sun Solar
Qendra Tutestetika
Qendra Magic Center
Qendra Frontera
Mund të qendën edhe në qendra estetike më të vogla
Si mund të mbrohemi nga dielli
Evito sa më shumë aktivitetet jashtë sidomos në orën 10.00 deri në 16. 00. Mund të vishni këmisha. Kapele dhe pantallona të gjata. Për sytë përdorni syze mbrojtëse me filtër mbrojtës. Për fytyrën dhe buzët kremra me filter me faktor SPF mbi 15.
Meqenëse solaret kanë datë skadencë ato rrojnë tre vjet nga data e prodhimit, në qoftëse hapen dhe përdoren kohëzgjatja e tyre është 12 muaj nga data e hapjes. Kujdes! Gjatë kohës së përdorimit të kremit solar ai duhet të ruhet nga temperaturat e nxehta pasi dëmtohet dhe bie efekti mbrojtës.
Çfarë janë rrezet UV
Rrezet UV janë rreze të padukshme të rrezatimit të diellit të cilat penetrojnë dhe ndryshojnë strukturën e qelizave të lëkurës. Ka tre lloj rrezesh UV:
UVA _me gjatësi valë të madhe (320-400nm) depërton në thellësi të lëkurës së njeriut duke shkatërruar qelizat dhe rritur riskun e kancerit të lëkurës.
UVB-me gjatësi vale të shkurtër (290-320nm) përthithet nga shtresa e ozonit. Deperton jo shumë në thellësi të shtresave të lëkurës por është shumë e fuqishme dhe shkakton djegie të lëkurës.
UVC-rrezet me të rrezikshme por që përthithen plotësisht nga shtresa e ozonit dhe nuk arrin në sipërfaqen e tokës.