Dikens me 500 leke faqja

Dikens me 500 leke faqja
Në Tiranë diskutohej dje në nivel institucionesh dhe përfaqësish diplomatike evropiane se ku është Shqipëria me mbrojtjen e të drejtës së autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me të. Raportet zyrtare flasin për ndjeshmëri të ulët ndaj çështjes, ndërsa ministri i Kulturës premton një projektligj të ri të standardit evropian.

Diskutimi për pronën intelektuale, përgjithësisht, kur ka ardhur në debat publik, përqendrohet në shkeljen e të drejtave të autorit në kuptimin klasik të termit. Por shkelje e të drejtave është edhe një punë intelektuale e paguar keq në kushtet e një tregu të vogël si Shqipëria, që është vrasës për autorin i cili do duhej të jetonte nga haka që merr nga qarkullimi i veprës në një rreth “të mjaftueshëm” konsumatorësh. Java që shkoi shënoi 200-vjetorin e lindjes së shkrimtarit Çarls Dikens. Vendasit e kujtuan ndër të tjera si nismëtar, – si pakkush me autoritetin e tij, – të mbrojtjes së të drejtave të shkrimtarit britanik. Me Dikensin të drejtat e pronës intelektuale nuk do të ishin më çështje abstrakte për etikën e biznesit.

Përkthimi në shqip i një pjese të veprës së Çarls Dikensit u bë kur gjithçka në fushën e botimit funksiononte brenda ndërmarrjeve shtetërore e sipas të drejtave kolektive intelektuale. Çfarë ka ndryshuar sot?

Përkthyesi Klodian Briçi (34 vjeç), ka rimarrë traditën e mjeshtërve të përkthimit të veprës së Dikensit, traditë që kishte mbetur në vitet gjashtëdhjetë në përkthimet e Skënder Luarasit, Vedat Kokonës e Bujar Dokos. Briçi, emri i të cilit u kritikua rëndë më 2003 për përkthimin e veprës së parë në shqip të nobelistit John M. Coetzee, ka sjellë tri vepra voluminoze nga Çarls Dikens: Shpresat e mëdha, Klubi Pikuik dhe Kohë të vështira (pritet të dalë në qarkullim, nga i njëjti botues “Fan Noli”). Mbi 2000 faqe përkthim paguar me 500 lekë faqja. Kjo punë ka kaluar në heshtje, e për pasojë asnjë fjalë për nivelin e përkthimeve të Klodianit. Ka përkthyer në vite nga Oskar Uajlld “Portretin e Dorian Greit”, përrallat e Dikensit, “Bashkë me erën” e Margaret Miçëll.

Dhe “pa dashur” rasti i tij, flet se të drejtat e përkthyesit shqiptar kanë mbetur në nivelin e të drejtave të përkthyesit çirak të dikurshëm.

Lexuesi në shqip e ka lënë kontaktin me veprat e Dikensit te vëllimet e ndërmarrjeve shtetërore të botimeve. Si vazhdon me ty?

Në adoleshencë kam pasur leximet e para nga ky autor me David Koperfildin. Më kishin pëlqyer dhe ekranizime të hershme të veprës së tij që i qëndrojnë besnik veprave burimore. Të rejat priren të humbasin nga realizmi dikensian. Në vitet e universitetit kisha menduar për përkthimin e tij. Që prej vitit 2008 nisa punën intensive për këtë dëshirë të rinisë që vazhdon. Para tij kam përkthyer të tjera gjëra, ca me hir e ca me pahir. Letërsia që bën Dikensi është letërsia që pëlqej. Realizmi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, një epizëm-lirik si i Dikensit, është realizmi që më pëlqen.

Kokona, Doko, Luarasi, bëhet mbi gjysmë shekulli nga përkthimet e tyre. A ka vend për të diskutuar këtu për “ripërkthimin e klasikëve”?

Vedat Kokona është i pari që ka përkthyer Dikensin. David Koperfildi i tij është një përkthim i mirë, i viteve gjashtëdhjetë. Ribotuar disa herë, sepse etja ka qenë e jashtëzakonshme për të si vepër. Përkthyesi ka dhënë më të mirën për atë periudhë. Është Oliver Tuisti i Skënder Luarasit, përkthim shumë i mirë, rreth 1957-ës dhe Dombi e biri i Bujar Dokos, një përkthyes i rrallë, skrupuloz. Gjithsesi mendoj që duhen risjellë në shqip, duhen rifreskuar, pajisur me shënime. Është nevojë e zhvillimit të gjuhës. Nuk do doja të thyeja ndonjë mit të përkthyesve të vjetër të pagabueshëm. Por përkthimi është çështje rrethanash, pasqyrim i gjendjes emocionale, lodhjes e të tjerave kushtëzimeve që përkthyesi ka pasur. Një përkthyes nuk mund të japë gjithmonë maksimumin.

Cili është maksimumi me këtë autor sipas teje?

Gjuha angleze ka një frazë të tensionuar. Në përkthimin letrar duhet çliruar në shqip ky tensionim. Dhe kjo bëhet me një ripërkthim. Është i nevojshëm krahasimi nga një gjuhë tjetër, për shembull nga italishtja, sepse ka gjëra që për mua janë të errëta në përkthimin anglisht.

Personazhet e Dikensit vijnë nga shtresa të ndryshme shoqërore dhe nuk mund të pretendohet që këta të flasin gjuhë zyrtare angleze. Mirëpo në përkthimet tona ndodh që personazhet jepen sikur flasin gjuhë zyrtare. Personalisht, i rri larg këtij unifikimi. Kush flet me një anglishte gati-gati të pakuptueshme, e kam dhënë me një dialekt të veriut.

Për mua, botimet bazë janë Botimet e Oksfordit, të pajisura me shënime kritike. E njëjta gjë për të tri veprat: Shpresat e mëdha libri i parë që përktheva, Klubi Pikuik dhe Kohë të vështira që pritet të dalë në mars.

Dikensi shkrimtar social: do të ishe dakord me këtë etiketë apo edhe me përjashtimin që i bëjnë këtij emri nga lista e autorëve të shquar viktorianë?

Natyra njerëzore ka një të metë të madhe. Njerëzit japin lloj-lloj justifikimesh vetëm e vetëm për të përligjur mendimet e tyre. Dikujt i pëlqen Dikensi, dikujt Uilliam Thekëri që mbahet si rivali i tij i mundshëm. I pari shkroi për fisnikët e bujarët, i dyti për shtresat e mesme e të ulëta. Unë shijoj frazën e Dikensit që është e qëmtuar, e lëmuar, e bukur, qoftë kur është e zgjatur e ndërlikuar, qoftë kur është thukët. Për të mos folur për vlerat aktuale e të pakoha që ka vepra e tij. Me Britaninë kapitaliste të shek. XIX në veprat e Dikensit, lexuesi merr një pamje të përpiktë të shoqërive ku u zbatua kapitalizmi.

Respektivisht: Shpresa të mëdha vlerësohet nga kritikët si më e arrira, veçanërisht në pikëpamje të stilit. Ai nuk shkroi ndonjë vepër më të bukur, në perëndim të jetës. Dhe Klubi Pikuik, libri i fillimit të karrierës si shkrimtar kur Dikensi vinte nga gazetaria. Duken influencat. Pa Klubin Pikuik nuk mund të kuptohen dot as David Koperfildi, as Dombi e biri, as Shtëpia e shkretë, as Nikolas Nikëllbi.

Cila vepër duhet të ndjekë serinë e përkthime?

Secila nga veprat që ai shkroi ka individualitetin e vet. E gjithë kjo vepër duhet të vijë e plotë në shqip. Unë do të vazhdoja me “O miku ynë i përbashkët”, vepër voluminoze, një mijë faqe, e cila ka përshkrime drithëruese të mjerimit shoqëror të shek. XIX. Dhe tjetra është një vepër shumë aktuale për kohën tonë: “Shtëpia e shkretë”, me korrupsionin e zyrave, hipotekave, prona që nuk i shkon pronarit. Këto di t’i japë mendja pjellore e Dikensit. Vepra e tij është si një teatër me digresione ku futen shumë ngjarje, por të gjitha rikthehen dhe lidhen me trungun, me historinë kryesore.

Me interes do të ishin Leksionet mbi gazetarinë. Mahnitesh!

Ke ardhur te Dikensi nëpërmjet përkthimeve të dy veprave të nobelistit J. M. Coetzee, nga të cilat “Turpi” është kritikuar për rezultatin e dobët. Është një njollë “Turpi” për mua. Përmenda rrethanat e përkthimit pak më lart. Përkthimi i “Turpit” është bërë në rrethana jetësore krejt të papërshtatshme në vitin 2003. Unë si çdo përkthyes që ka bërë gabime, kam bërë gabime me atë vepër. Pastaj përktheva “Jeta dhe koha e Majkëll K.-së”. J. M. Coetzee ka vepra të madhërishme.

Aktualisht po përkthej nga Thekëri “Kujtimet e Barry Lyndonit”. Nuk është porosi e ndonjë botuesi. Më ka pëlqyer libri, po e punoj.

Sa paguhesh? A ka ndryshuar gjë në mentalitetin e botuesve, a ka ndryshuar gjë në rrethanat e tregut edhe për përkthimin letrar?

Puna shtohet, shtohet kërkesa për cilësi.  Por pagesa mbetet po ajo: 500 lekë për faqe kompjuterike. Duhet të ndryshojnë shumë gjëra, por mjerisht kjo nuk mund të ndodhë.

Shtypja e librave kushton më shumë se sa haka e përkthyesit. Tirazhet janë 1000 kopje.

Tregu i librit është i vogël, po dhe blerës nuk ka më si dikur. Ai që vendos çmimet, është edhe blerësi i cili sot është krejt i painteres për librin. Është telemania për të gjithë, për të gjetur çdo gjë gati, e për të mos e vrarë mendjen.

Por gjithë problemi është tjetërkund. Njeriu është qenie që ndikohet e prej këtu duhet parë edhe roli i letërsisë që është i padisktueshëm. Të mos çuditemi që ka krime seksuale, ka shkurorëzime, probleme familjare, sepse njerëzit në masë veprojnë e reagojnë sipas atyre që shikojnë dhe lexojnë. Prandaj duhet t’i besojmë letërsisë së mirë.

Histori

Amerikani i parë “pirat” është ndoshta Benxhamin Franklin (1706-90), ndër të tjera edhe një botues nga Filadelfia i cili ribotonte veprat e autorëve britanikë pa të drejtë autori ose pa ofruar asnjë shpërblim. Poeti Uilliam Uordsuorthi e çoi çështjen para drejtësisë dhe për këto të drejta do të flitej gjithnjë e më shumë në fillim të nëntëqindës.

Në dy udhëtimet e tij për lexime në Amerikën e Veriut më 1842 dhe 1867-’68, Dikens i bënte apel Kongresit Amerikan që të njihte të drejtën e autorit për shkrimtarët britanikë, por pak gjë u bë sepse duhej të kalonte patjetër nëpër këtë proces grabitjeje të pronës intelektuale biznesi i ri i editorisë amerikane. Ai pat deklaruar se letërsia amerikane do të lulëzojë kur botuesit amerikanë në vend që të piratojnë të huajt, të mos i dekurajojnë e t’i paguajnë autorët vendas. Marrëdhënia me tij me Amerikën për këtë çështje mbeti e nderë.

Botimin në vëllime i “Klubit Pikuik” pas botimit në serial në 1836-’37, Dikensi ia kushtoi veprës së dramaturgut dhe politikanit Tomas Nun Tejlford, ngaqë ky, në 1836 kishte çuar deri në parlament një projekt-ligj për të drejtën e pronës intelektuale. Dikensi ishte i vetëdijshëm se sa shumë para po humbiste si rezultat shpërdorimit në masë të së drejtës së tij të autorit qoftë në vendin e tij, nga përshtatjet për teatër, qoftë përtej, në Amerikë nga ribotimet.

Projektligji u bë ligj në 1842. Dhe në krye të vitit 1844, Tejlford në pozicionin e përfaqësuesit ligjor të Dikensit mbron çështjen kundër Richard Egan Lee dhe Henry Hewitt për plagjiatin e tyre flagrant “Përrallë Krishtlindjesh”.

Fitorja e Dikensit ishte si e Pirros, sepse më shumë i kushtuan shpenzimet gjyqësore sepse përfitimi nga shitja e gjashtë mijë kopjeve të librit në fund të vitit 1843.

Bashkimi Evropian, 800 mijë euro për të drejtën e autorit

Zyra Shqiptare për të Drejtën e Autorit (ZSHDA) dhe Human Dynamics Consortium mbyllin këto ditë projektin “Asistencë Teknike për forcimin e kapaciteteve të Zyrës Shqiptare për të Drejtën e Autorit”. Projekti prej 800,000 € mbështetet nga Bashkimi Evropian. Që nga gushti 2010, ekipi i projektit ka trajnuar ZShDA-në (në varësi të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve), për zbatimin më të mirë të ligjeve, për ngritjen e ndërgjegjësimit të autorëve, bizneseve dhe qytetarëve për rëndësinë e autorit dhe të drejtave që lidhen me të. Raporti i Progresit 2011 arriti në përfundimin se treguesit e mësipërm nuk janë pozitiv për Shqipërinë: ligji i ri është në proces dhe zbatimi i ligjit aktual është i dobët; është e ulët njohja e vlerave të së drejtës së autorit nga operatorët ekonomikë dhe nga publiku. Këtë e tregojnë rastet e pakta për shkelje që kanë shkuar në sistemin shqiptar të drejtësisë, për tregtimin e përhapur të CD-ve e DVD-ve pirate dhe veprave të tjera. Edhe komuniteti i autorëve dhe krijuesve nuk është sa duhet i informuar për përfitimet që u takojnë nga zbatimi i të drejtave të tyre.

I pranishëm në takimin e djeshëm, Ministri i Kulturës Aldo Bumçi tha që “Projektligji i ri për të Drejtën e Autorit e përafron plotësisht legjislacionin shqiptar me atë të BE-së”. Dokumenti i është dërguar ministrive dhe “përfundimi i kësaj skeme ligjore institucionale dhe fushat e ndërgjegjësimit na japin garanci që Shqipëria në një periudhë afatmesme të arrijë standardet e vendeve të Europës”.

Çdo vit, doganat e Bashkimit Evropian ndalojnë me miliona produkte të falsifikuara ose pirate në kufijtë e jashtëm të BE-së. Kjo shkallë e tregtisë së mallrave të falsifikuara nuk është e mundur pa përfshirjen e krimit të organizuar. Kjo nënkupton miliona euro dëm të shkaktuar ndaj biznesit të ndershëm, konsumatorëve, krijimtarisë dhe shoqërisë në tërësi.

Për të mbrojtur konkurrencën e ndershme, biznesin e ndershëm dhe krijimtarinë, BE-ja ka ndërmarrë një sërë veprimesh për të mbrojtur të drejtat e pronësisë intelektuale. E njëjta gjë pritet edhe nga vendet që aspirojnë anëtarësimin në BE, si Shqipëria. Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, kontrata mes BE-së dhe Shqipërisë, specifikon mbrojtjen e autorit si një kërkesë për Shqipërinë për të bërë progres drejt anëtarësimit.

Në këtë kuadër është edhe ky projekt i financuar nga BE në ndihmë të Zyrës Shqiptare për të Drejtat e Autorit. Në fjalën e tij në konferencën përmbyllëse të projektit mbajtur dje, Shefi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, ambasadori Ettore Sequi theksoi se duhet të jetë më i ndjeshëm roli i mekanizmave që kryejnë inspektimet për të drejtat e autorit. “Është pikërisht vizioni dhe vullneti i politikbërësve dhe bizneseve që mund të korrigjojë hendekun historik të Shqipërisë në respektimin e të drejtës së autorit” tha ambasadori Sequi.

Që nga viti 2008, BE-ja ka dhënë rreth 7.7 milionë € nga paratë e taksapaguesve evropian për të drejtat e pronësisë intelektuale në Shqipëri, për mbrojtjen e konsumatorit, për mbikëqyrjen e tregut – të gjitha këto çështje që lidhen me rritjen ekonomike dhe sociale të vendit.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama