Diktatori dhe Gjuhetari sipas Nexhmije Hoxhes (Pj.II)

Diktatori dhe Gjuhëtari, sipas Nexhmije Hoxhës (Pj.II)

Edhe Eqrem Çabej kishte besim në miqësinë e sinqertë të Enverit. Kur iu sëmur djali, ai iu drejtua Enverit, duke i kërkuar ta dërgonte për kontroll në Vjenë dhe ai vajti vetë pa qenë i shoqëruar nga ndonjë person tjetër, si ishte rregulli.

Po kështu, kur i ndodhi fatkeqësia të sëmuret vetë, përsëri iu drejtua Enverit ta ndihmonte të shkonte për kontroll dhe kurim jashtë shtetit. Ai u dërgua më shumë se një herë në Itali, ku u operua në mushkëri.Madje, Enveri interesohej personalisht për shëndetin e mikut të tij gjuhëtar, gjë që duket edhe në radiogramin që ai i dërgonte ambasadës sonë në Itali më datën 29 dhjetor 1979, ku thuhet: "T'i transmetohet nga ana juaj profesor Eqrem Çabejt sa më poshtë: Ju uroj nga zemra një vit të lumtur dhe të gëzuar. Ju uroj, gjithashtu shërim të shpejtë e të na kthehesh me shëndet të plotë".

Por vetëm pas 6 muajsh, kur Enveri i uronte mikut të vet shërim të shpejtë, më 1 gusht 1980 kur ne ishim në Pogradec për pushime, sekretari personal i Enverit na njoftoi se kishte marrë në telefon Eqrem Çabejn dhe kërkonte të dërgohej për të tretën herë në Itali, pasi ndjehet shumë keq nga operimi që kishte bërë në mushkëri.Enveri, i prekur për gjendjen shëndetësore të mikut të tij, më porositi t'i telefonoj ministrit të Shëndetësisë, Llambi Ziçishtit dhe t'i thosha që ta nisnin menjëherë, megjithëse s'kishte shpresa.

Enveri i trishtuar më tha: "Po humbasim një njeri me vlera të veçanta shkencore në fushën e gjuhësisë". Më 14 gusht na mori në telefon Ramiz Alia dhe na njoftoi për vdekjen e Eqrem Çabejt.Enveri i bëri telegram Presidiumit të Akademisë së Shkencave dhe një telegram bashkëshortes së tij, Shyhretit. Po ashtu, edhe unë i bëra telegram ngushëllimi asaj.

Ky lajm i hidhur e bëri Enverin të mbyllet në një heshtje të gjatë, që unë e respektova, duke menduar që ai, me siguri, po përjetonte kujtimet me mikun e tij të çmuar. Gjatë kësaj heshtjeje, mua m'u kujtua një bisedë telefonike që bëri Enveri me Eqremin aty nga viti 1978, nëse nuk gabohem.

Një natë, pas darkës me fëmijët, u ngjitëm në studio. Një ditë më parë Enveri kishte pasur një nga krizat e zemrës dhe mjekët i kishin rekomanduar të pushojë e të mos shkojë në zyrë. Këto pengesa krijonin tek ai një gjendje shpirtërore jo të mirë, nuk e duronte apatinë dhe shkëputjen nga punët që e prisnin.

Edhe këtë natë ai ishte i heshtur, i menduar, i ulur në tryezën e punës, kur papritur më tha: "Do të marr në telefon Eqremin". - "Cilin Eqrem?" - pyeta unë. - "Çabejn" - m'u përgjigj. "Mos është vonë? - vërejta unë. "Jo, -më tha,- s'është vonë për një studiues si Eqremi, që me siguri tani është duke lexuar ndonjë libër për të gjetur çfarë ka ndonjë të re në fushën e studimeve albanologjike". Dhe ai ngriti receptorin dhe kur linja dha sinjalin, filloi bashkëbisedimin:

- "Eqrem, jam Enveri, të mora se më mori malli, të të kujtoj herë pas here... Si shkon me studimet?" Unë nuk e di ç'i thosh miku i tij në anën tjetër të telit, por po e shikoja se Enveri po përlotej, siç e kish zakon kur emocionohej. Vazhdoi t'i flasë: "Kam nevojë, mo Eqrem, të shkëmbejmë mendime edhe të evokoj kujtime me miq të vjetër...

Unë, si zakonisht, kam shumë punë dhe prapë ndihem i vetmuar... të bën dhe mosha, mo Eqrem". Unë kurrë s'e kisha dëgjuar Enverin të fliste me një gjuhë të tillë, kaq të malluar, me kaq afërsi shoqërore, deri edhe me një farë ndjenje trishtimi, ndoshta edhe sepse ato ditë ishte edhe i pamundur. Në fund Enveri i tha: "Do të dëshiroja të takoheshim. Të pres ndonjë ditë kur të kesh kohë të lirë. Mbaje numrin personal të telefonit dhe më merr kur të duash".Por fatkeqësisht, nuk kaloi shumë kohë dhe prof. Çabej u sëmur rëndë dhe dy miqtë nuk u takuan dot që të çmalleshin. U çmallëm ne, dy familjet e tyre, duke përkujtuar 100 vjetorët e tyre, si dy djem vërsnikë të Gjirokastrës.

Gjithë ato ditë kam kujtuar shoqen time, Shyhretin, bashkëshorten e jetës së prof. Çabejt, e cila edhe ajo iku para kohe dhe i mbeti vajzës së tyre të vetme, Brikenës, të merret me organizimin e festimeve përkujtimore të 100 vjetorit të babait të saj të nderuar dhe të marrë pjesë vetë në intervista e të botojë dokumente e libra, që e nderojnë për kulturën e përkushtimin e saj.

Me këtë rast dëshiroj të përkujtoj disa momente që më kanë pas lidhur me Shyhretin

Është një koincidencë e këndshme që dy vërsnikë gjirokastritë u martuan me dy vajza vërsnike dibrane, të dyja me po të njëjtën diferencë moshe me bashkëshortët e tyre.Unë nuk e di datëlindjen e saktë të Shyhretit, por ne të dyja shkuam në të njëjtin vit në shkollën fillore dhe ishim vajzat e para dibrane që shkelëm zakonin e sheriatit mysliman, të veshjes me çarçaf e mbulimit në publik të fytyrës me perçe e ndoqëm shkollën e mesme të vajzave, Institutin Pedagogjik në Tiranë.

Shyhreti ishte rritur dhe edukuar në kushte të ndryshme nga ato të miat, që ishin ato të një nëpunësi të thjeshtë dhe e një shtëpiakeje që dilte me çarçaf e perçe. Kurse babai i Shyhretit ishte tregtar i kamur, njëri nga vëllezërit Turkeshi, të njohur në Tiranë për tregtinë me Turqinë dhe Italinë.Nëna e Shyhretit ishte një zonjë e hijshme, që vishej bukur dhe dilte kokëjashtë ose me kapele. Pavarësisht se ne të dyja u rritëm e u edukuam, në moshën fëminore, në kushte të ndryshme, që në vitet e adoleshencës ne u lidhëm me idetë revolucionare, në fillim nën ndikimin e librave revolucionarë, po edhe nga një shtysë e brendshme për t'i parë të lira dhe të arsimuara vajzat dhe gratë shqiptare.

Shtëpitë tona, në rrugën "Qemal Stafa" i ndante një mur i ulët. Ne vinim dy - tre tulla përkëndej dhe andej murit e hipnim, bënim "muhabete" shkolle e vajzash, por atë që kujtoj më fort, për emocionet që na krijonte, ishte kur shkëmbenim fshehurazi fashikuj - fashikuj të librit "Nëna" të Gorkit, përkthyer në shqip nga Tajar Zavalani dhe që botoheshin vetëm kështu, fashikuj - fashikuj, se nuk lejohej botimi i librave të tillë.

Këto qarkullonin dorë më dorë në mes të rinjve dhe të rejave, sidomos në mes të vajzave të Institutit Femëror të Tiranës dhe djemve të Gjimnazit. Ishte një ngjarje që elektrizonte të rinjtë, sepse gjatë regjimit të Zogut, përveç disa intelektualëve, që zotëronin ndonjë gjuhë të huaj dhe njihnin disi letërsinë botërore, masa e të rinjve madje edhe ajo shkollore, ende nuk kish në duar romane të përkthyera, por as edhe të vendit, prandaj bëri aq bujë dhe u lexua po aq me etje edhe romani i Haki Stërmillit "Sikur t'isha djalë" për temën që trajtonte, po që nuk ishte i ndaluar.

Ky komunikim mbi mur konspirativ tregon se ne të dyja ishim angazhuar në një rrugë revolucionare, por asnjëra s'i kishim thënë njëra - tjetrës se ishim të organizuara në grupe komuniste, unë me grupin e Shkodrës, ajo me grupin e të Rinjve. Kur nga grupet komuniste po bëheshin përpjekje për pajtim e bashkim në një parti të vetme, shokët e mi drejtues, Vasil Shanto e Qemal Stafa, më ngarkuan mua të shkoja në një takim me një shoqe të Grupit të të Rinjve, më dhanë adresën e rrugës së shtëpisë si dhe parullën (se takimi bëhej me marrëveshje të krerëve të dy grupeve).

Kur shkova atje ku më drejtuan, pa pandehur u ndodha para Shyhretit. U përqafuam dhe u çmallëm si dy shoqe të vjetra, por kur i hymë bashkëbisedimit politik, ideologjik dhe organizativ, ne të dyja ishim tepër të impenjuara secila me pikëpamjet e grupit të vet, që e bënin më të vështirë kapërcimin e kontradiktave mes nesh. Bëmë edhe një takim të dytë në një kafe - bar, në hyrje të rrugës "28 nëntori" ose që quhej edhe rruga e Sahatit.Edhe në këtë takim nuk bëmë ndonjë lëshim nga pozicionet tona. Kur u themelua Partia (më 8 nëntor 1941), celula e parë e shoqeve nga shkrirja e grupeve komuniste u bë në shtëpinë e saj. Lufta nacionalçlirimtare mori përmasa të gjera. Ne u ndamë në zona të ndryshme. Shyhreti, më duket, u dërgua pranë çetave partizane të Vlorës.

Shyhreti kishte një trup të hedhur, të mbushur, zë të trashë, pushka në krahë dhe gjerdani me fishekë në mes i jepnin pamjen e hijshme të një partizaneje të vërtetë, trime në luftë, e dhembshur dhe gjithnjë e gatshme për të ndihmuar shokët e plagosur.Unë, vetëm gjatë vitit të fundit 1944, në pamundësi të vazhdoja punën time ilegale në Tiranë, kalova me punën e rinisë në brigadat partizane dhe i rashë me këmbë pothuajse gjithë Shqipërisë së Mesme që nga Elbasani, Korça (Panariti), Skrapari e gjer në Përmet e Zagori pastaj në kthim deri në Dibër.

Gjatë gjithë këtyre viteve të luftës dhe në vitet e para të çlirimit unë nuk u interesova se si i kishte kaluar këto vite. Shyhreti ka pasur disa peripeci me Partinë dhe unë nuk ia fal vetes që nuk kam treguar interes e guxim për ta ndihmuar dhe mbështetur. Kur dëgjova se ajo ishte martuar me prof.Eqrem Çabejn u gëzova se më në fund, Shyhreti kishte gjetur qetësinë e sigurinë që meritonte, si grua e dashur tepër e sinqertë, e hapur dhe me një kulturë të denjë për të qenë bashkëshortja e një dijetari.

Në këto kushte të reja, u përpoqa të lidh hallkat e këputura të miqësisë, vonë, por më mirë vonë se kurrë. Qëlloi që disa takime të bëheshin në raste të dhimbshme. Shyhretit i vdiq e motra më e vogël se vetja, ende pa krijuar familje.Nekën unë e njihja që kur bënte pjesë në skuadrën e korriereve më të besuara pranë Komitetit Qendror të Partisë për Tiranën, vajza të reja, të shkathëta, të zgjuara, të guximshme që merreshin kryesisht me shpërndarjen e materialeve propagandistike të luftës, buletine, trakte etj.

E tillë ishte Neka. Shkova e ngushëllova Shyhretin. Por kur ndodhi fatkeqësia e hatashme, humbja e djalit të vetëm, i shkova për ngushëllim jo vetëm si shoqe, po edhe si bashkëshorte e Enverit, në emër të të cilit i transmetova ngushëllimet asaj dhe prof. Çabejt. Kur u kthyem nga pushimet i shkova edhe një herë për ta ngushëlluar gojarisht. Edhe pas humbjes së bashkëshortit të saj, Shyhreti përsëri kërkoi mbështetjen tonë për çështje familjare dhe ne bëmë çmos për t'ia plotësuar.

Në 100 vjetorin e lindjes së Eqrem Çabejt ishte një surprizë e bukur për publikun edhe për mua, botimi i libërthit elegant me sonete që shkencëtari ia ka kushtuar gruas së vet, Shyhretit. Ishte surprizë, se e njohëm edhe si shkencëtar edhe si poet, me poezi që të japin kënaqësi të thellë për shijen e hollë e stilin e veçantë estetik.

Fakti që i shoqi i ka kushtuar Shyhretit sonete dëshmon se ajo kishte gjetur lumturinë në jetën e saj. Cila grua në botë në botë nuk do të ishte e lumtur, kur burri i saj i kushton poezi dhe letra dashurie, si në ditët e para të njohjes dhe deri në pleqërinë e bardhë!?

 

(Pj.I) Nexhmije Hoxha: Miqësia e Enverit me Eqerem Çabejn

 

 

Gazeta Shekulli

 



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama