Dilemat e numerimit elektronik

Dilemat e numerimit elektronik
Zgjedhjet e qershorit pritet t’i bëjnë vend dy projekteve elektronike pilot, që do të zbatohen në qarkun e Tiranës dhe një tjetër në atë të Fierit për numërimin elektronik. Deri më tani, afatet e provave për këto projekte janë shtyrë disa herë, duke u lënë vend akuzave se bëhet fjalë për një dështim të mundshëm dhe hapësira për manipulim. Nga ana e tyre, anëtarët e KQZ, të të gjitha kaheve, nuk flasin për këtë pjesë, por secili ka një shpjegim të vetin lidhur me vonesat. Sa i takon dështimit të projektit të Fierit, ky, sipas tyre, mund të vinte nga tejkalimi i numrit 42 të lejuar për regjistrimin e partive pjesëmarrëse në zgjedhje. 13 prilli është data që do të vendosë edhe dështimin ose jo të këtij projekti pilot

Zgjedhjet kanë njohur së fundi dështimin e parë të madh. Ai lidhet me numërimin elektronik dhe të dy krahët politikë i janë hedhur sakaq njëra-tjetrës. E megjithatë, ka ende një opsion shpëtimi, që lidhet me ditët në vijim. Është një fletë me 42 opsione emrash partish, e cila mund të lexohet nga projekti elektronik fitues. Është dhe një tjetër me 66 opsione. Kjo e fundit, ishte edhe mundësia më e mirë, por politika shqiptare e hodhi poshtë këtë mundësi, që në propozim. Ndaj, në atë që është hedhur deri më tani ka mbetur fleta me 42. Si për ironi, të gjitha palët e dinë mirë se subjektet politike që do të prezantohen janë shumë më tepër se 42 parti! Por, a do të quhet i dështuar operacioni me fletën me 42 subjekte?

Arsyeja e vonesave në lidhje me të gjitha procedurat e të dy projekteve elektronike, si të Tiranës, ashtu edhe të Fierit, sepse që të dy janë të vonuar, është formalisht konstituimi i vonshëm i trupës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Gjë, e cila duhet thënë se nuk varej nga komisioni por nga politika që solli me vonesë kandidaturat dhe ngriti me vonesë procedurat, thonë anëtarët e saj. Por, nga ana tjetër, në thelb, kjo nuk e shfajësoi asfare administratën e KQZ, e cila ishte në dijeni të kërkesave ligjore që me hyrjen e ligjit në fuqi dhe periudhën e shkuar dy mujore duhet ta kishte shfrytëzuar për të hartuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe madje duhet të kishte nisur me procesin e tenderimit të projekteve në fjalë.

Për hir të së vërtetës, pranohet se numërimi elektronik, votimi elektronik, verifikimi elektronik, janë procedura që edhe shtete me teknologji shumë të zhvilluar nuk kanë mundur t’i aplikojnë, shfajësohen shqiptarët. Madje aplikimi i këtyre metodave te reja, me teknologjinë e re të votimit, ka plot faktorë pro dhe plot faktorë kundër të sjellë nga ekspertët më të njohur në botë të kësaj fushe. Kjo mjafton që ta bëjë tollovinë shqiptare më të madhe.

Kleçka e madhe lidhet me regjistrimin e partive që do ndodhë deri në datën 13 prill, datë që koincidon edhe më afatin e fundit të përcaktuar për provën e parë të testimit të projektit për numërimin elektronik të Fierit (gjithmonë nëse nuk do të kemi të papritura të tjera). Nga numri i partive varet dhe procesi, nëse do të funksionojë apo jo?

Firma që fitoi projektin është firmë shumë prestigjioze, me të cilën lidhen procese të suksesshme votimi në Angli e në Norvegji, por kjo s’do të thotë se garancitë dhe background-i kësaj firme mjaftojnë që procesi i numërimit elektronik në qytetin e Fierit të shkojë në përputhje me ato detyrime që përcakton kodi. Sepse nuk llogariten dot kurrë hilet e politikanëve shqiptarë dhe aparatçikëve të tyre, që shikojnë në çdo cep nga një grackë të vogël.

Përballë qerthullit të tyre, anëtarët e KQZ, deri dje të pashprehur lidhur me këtë çështje, më tepër sesa të rezervuar, kanë dashur të vënë pikat mbi “i” dhe gishtin tek përgjegjësit kryesorë, partitë politike. Duke i shpjeguar vonesat dhe shtyrjet e afatit më tepër si çështje teknike, ata kanë bërë komentet e tyre për “JAVA”-n lidhur me zhurmën e madhe se zvarritjet e vonesat mund ose jo të lënë vend për manipulime apo dështime të projektit pilot të numërimit elektronik në Fier.
 
Denar Biba: Vonesat i mbolli politika qysh me konstituivin e komisionit

Arsyeja e vonesave në lidhje me të gjitha procedurat e të dy projekteve elektronike, si të Tiranës, ashtu edhe të Fierit, sepse që të dy janë të vonuar, është formalisht konstituimi i vonshëm i trupës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Gjë kjo që, duhet thënë se, nuk varej nga ky komision por nga politika që solli me vonesë kandidaturat dhe ngriti me vonesë procedurën për konstituimin e komisionit. Por, nga ana tjetër, në thelb, kjo nuk e shfajëson administratën e KQZ e cila ishte në dijeni të këtyre kërkesave ligjore që me hyrjen e ligjit në fuqi dhe këtë periudhë dy mujore duhet ta kishte shfrytëzuar për të hartuar të gjithë dokumentacionin  nevojshëm dhe madje duhet të kishte nisur me procesin e tenderimit të projekteve në fjalë. Nga ana tjetër, në këto momente, personalisht, refuzoj të vendosem të rolin e profetit dhe të parashikojë apo të paralajmëroj dështime të mundshme të këtyre dy projekteve. Koha, pra mungesa e saj, mbetet sidoqoftë një shqetësim jo i vogël dhe duhet të them se ka qenë një shqetësim konstant, të paktën i minorancës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Numri prej 42 partish si numër maksimal i fletës erdhi në një mënyrë të detyrueshme nga respektimi nga ana e KQZ-së i dëshirave dhe kërkesave, gati të panegociueshme, të aktorëve politikë, pra të partive politike. Ne vërtet bëjmë rregullat e administrimit të zgjedhjeve, pro këto rregulla, në fund të fundit, do t’i shërbejnë një loje që do të luhet nga partitë politike. Ishin pikërisht ato që këmbëngulën, në mënyrë të panegociueshme për një fletë e cila të kishte hapësira të përcaktuara nga njëri rresht në tjetrin dhe për një madhësi të caktuar germash të cilat, sipas tyre, do të ndihmonin votuesit për të bërë përzgjedhjen e duhur.

Në fjalët e z. Niazi Kosovrasti, të perifrazuara prej meje,  - ne na intereson votimi dhe më pas numërimi. Pikërisht se u kërkua një hapësirë e caktuar mes rreshtash dhe një format i caktuar gërme, rrjedhojë mekanike e kësaj kërkese ishte dhe numri 42 si numër maksimal që mund të përmbante një fletë në formatin portret, pasi prej tyre u refuzua kategorikisht formati landscape ngaqë binte ndesh me fletën historike, me të cilën sipas tyre janë mësuar prej vitesh qytetarët.
 
Ilirjan Muho: Nëse regjistrohen më shumë se 42 parti, kemi votuar dështimin

E vërteta është që ligjërisht ishte planifikuar që prova e parë duhet të realizohej në datë 23 mars. Por, për shkak të disa problemeve që u zgjatën në fazën e negocimit të kontratës me firmën, testi u shty për në datën 13 prill. Nuk kam arsye të mos besoj se në këtë datë do të ketë një test prove, siç edhe është parashikuar. Vonesat, duhet ta pranojmë që, mbi të gjitha, janë të karakterit objektiv, sepse ky është një proces që ndodh për herë të parë në Shqipëri dhe natyrisht që ka kompleksitetin e vet. Nga ana tjetër nuk besoj që këto vonesa i shërbejnë ndonjë manipulimi të mundshëm, siç pretendohet, por, përkundrazi, janë disa momente, të cilat natyrisht kërkojnë kohën e duhur për të parashikuar hollësisht çdo detaj me qëllim për t’i dalë përpara ndonjë situate të pakëndshme. Ky do të jetë një test i hapur, në praninë jo vetëm të anëtarëve të KQZ, por edhe të përfaqësuesve të partive politike, të medias etj.

Megjithatë, ajo që shoh unë si moment që mund ta vërë në dyshim dhe në rrezik projektin lidhet me numrin e partive që do të marrin pjesë në zgjedhje. Firma fituese ka siguruar që mund të bëjë numërimin elektronik të fletës së votimit vetëm në rastin kur numri i partive që do të marrin pjesë në zgjedhje nuk do të jetë më i madh se 42, pasi kaq është numri i mundshëm i zërave që mund të shkruhen në fletën e votimit që ka marrë përsipër firma që të lexojë elektronikisht. Ky është një moment që mbetet për t’u verifikuar në ditët e ardhshme, pasi regjistrimi i partive ndodh gjithashtu deri në datën 13 prill.

Në fakt, ata paraqitën edhe një variant tjetër, të një flete votimi që parashikonte deri në 66 parti, i cili, sipas mendimit tim personal ishte një variant më i mirë, por ai nuk u hodh fare në votim. Unë gjatë diskutimeve në KQZ kam mbajtur qëndrimin duke përkrahur këtë variant dhe nuk e kam votuar fletën me 42. Nisur nga deklarimet që bëjnë drejtuesit kryesorë të partive politike për koalicione të gjera kësaj radhe, është detyrë e KQZ-së të parashikojë dhe të lejë të hapur mundësinë e regjistrimit të partive në zgjedhjet e pritshme, në një numër më të madh se 42. Unë nuk e di se çdo të thonë partitë politike të cilat votuan projektin me fletën e votimit me 42 parti në rast se do të na paraqiten në zgjedhje më shumë se kaq. I bie që përfaqësuesit e partive politike në KQZ kanë pranuar me votën e tyre dështimin e këtij projekti.
 
 
Hysen Osmanaj: Personalisht jam optimist, vonesat janë thjesht teknike

Numërimi elektronik, votimi elektronik, verifikimi elektronik, janë procedura që edhe shtete me teknologji shumë të zhvilluar nuk kanë mundur t’i aplikojnë. Plus që aplikimi i këtyre metodave te reja, me teknologjinë e re të votimit, ka plot faktorë pro dhe plot faktorë kundër të sjellë nga ekspertët më të njohur në botë të kësaj fushe. Por, kuptohet, Kodi Zgjedhor dhe ligjvënësi na ka vënë ne si KQZ detyrën e kryerjes së këtyre eksperimenteve në dy qarqe. Në qarkun e Tiranës për verifikimin elektronik të kartave dhe në qarkun e Fierit për numërimin elektronik. Tek ne ka kohë që ka filluar puna me përkushtim për vënien në zbatim të kësaj teknologjie në të dy projektet. Janë përcaktuar termat e referencës nga drejtoria përkatëse në administratën e KQZ-së, janë këshilluar edhe struktura të tjera në vend për të parë se sa këto terma reference i përgjigjen qoftë nga ana juridike, qoftë nga ana teknike kodit zgjedhor.

Siç edhe është bërë me dije janë përcaktuar firmat fituese për të dy projektet dhe jemi në fazën e pritjes së kryerjes së provave. Shtyrja e afatit të tyre ka ardhur për arsye tërësisht objektive që kanë të bëjnë me përgatitjet teknike për realizimin e tyre. Nuk mendoj se ka arsye për të thënë se projekti po rrezikon dështimin. Unë mendoj që është çështje e procedurave që ndjek administrata për përcaktimin e kompanisë fituese, plus pastaj miratimi i fletës së votimit për qarkun e Fierit. Për shkak të specifikës që ka ky projekt, aty nuk mund të përdorej e njëjta fletë votimi që do të përdoret në të gjithë republikën. Pas miratimit të kësaj flete është administrata ajo që cakton datën e provave, siç edhe e ka përcaktuar.

Unë mendoj dhe uroj që eksperimenti të dalë me sukses. Në rast të kundërt, pra nëse provat eksperimentale nuk dalin me sukses, atëherë, me konsensus, KQZ vendos më pas të përdoret apo të mos përdoret kjo teknologji, qoftë për numërimin e votave në Fier, qoftë për verifikimin e kartave në Tiranë. Nëse eksperimenti nuk do të japë rezultat, normalisht ne nuk kemi si të vijojnë me projektin. Ligjvënësi ka vendosur kritere të qarta dhe ka përcaktuar mirë edhe marzhin e gabimit të lejuar. Kështu, projekti nuk do të zbatohet nëse përqindja e këtij gabimi tejkalohet. Të gjitha këto janë të përcaktuara në kodin zgjedhor. Personalisht jam optimist.

Sa i takon zërave e diskutimeve që vonesat mund të jenë duke paralajmëruar një dështim të mundshëm apo të krijojnë hapësira për manipulimin e projektit, dua të theksoj se kodi ynë zgjedhor ecën me parimin partizan. Sa ka përgjegjësi pozita ka edhe opozita, për çdo parregullsi, për çdo të papritur. Po të shikoni mënyrën sesi kodi zgjedhor është ndërtuar, e gjithë struktura zgjedhore, që nga komisionet e qendrave të votimit e deri te komisioni qendror i zgjedhjeve janë të ndara 50 me 50. Në qoftë se të dy kahet nuk e kanë vullnetin politik për të realizuar zgjedhje të drejta dhe të lira dhe për të arritur standardet, pa diskutim që nuk mundet KQZ që pa mbështetjen e tyre të arrijë standardet e kërkuara. Ndaj dua të theksoj se për arritjen e standardeve në këto zgjedhje, përgjegjëset kryesore janë absolutisht forcat politike, në të njëjtën masë secila.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama