Dimri dhe goditjet ne zemer

Dimri dhe goditjet në zemër

Astrit Lulushi, Zëri i Amerikës

Për të shpëtuar nga bora e shiu i ftohtë, shumë njerëz parapëlqejnë rajonet me klimë të ngrohtë. Por një studim i ri thotë se ata mund t’i shmangen të ftohtit por jo goditjeve në zemër.

Studimi i paraqitur në Shoqatën Amerikane të Zemrës, shqyrtoi çertifikatat e vdekjeve nga 7 zona të Shteteve të Bashkuara ku klima varion nga e ftohta në të ngrohtë.

Autorët zbuluan se numri i vdekjeve nga të gjitha shkaqet përfshi sëmundjet kardiovaskulare, gjatë dhjetorit dhe janarit ishin njësoj të larta në të gjitha rajonet, pavarësisht nga klima. Ata vunë re se në çdo zonë klimatike kishte një rritje 18 për qind të vdekjeve në dimër; dhe një rënie 10 për qind në verë. Në pranverë, vdekjet fillonin të pakësoheshin dhe në vjeshtë fillonin të shtoheshin.

Studimi sugjeron se diçka tjetër, përveç temperaturës, luan rol në këtë çështje.

Gjatë dimrit, thonë ata, ditët janë më të shkurtra, me më pak diell, dhe njeriu merr më pak vitamin D, burimi kryesor i së cilës është Dielli. Po ashtu, gjatë dimrit njerëzit kryejnë më pak veprimtari fizike, pasi nga të ftohtit priren të qëndrojnë brenda.

Por pavarësisht nga klima, njerëzit ka më shumë gjasa të vdesin nga problemet në zemër gjatë dimrit sesa gjatë verës.



http://astritlulushi.wordpress.com/2012/11/11/dimri-dhe-goditjet-ne-zemer/

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama