Dinim pak dhe dinim keq

Dinim pak dhe dinim keq
Dy ditë përpara, një ditë e zakonshme si gjithë të tjerat, në sallën e studimit në Arkivin Qendror të Shtetit nuk kishte vende bosh. Rreth 40 vetë poshtë te tryezat e punës po edhe te në aparaturat e mikrofilmit. Janë rritur ndjeshëm kërkesat ndaj Arkivit Qendror Shtetëror, qoftë për çështje personale biografike apo të pronësisë, qoftë për çështje studimore. Ne po ndalemi te këto të dytat.

Në gjashtëmujorin e 2012-s, u është shërbyer mesatarisht 33 studiuesve shqiptarë edhe të huaj (grek, gjerman, kanadez, spanjoll, kolumbian, italian, anglez, amerikan). Nëse në vitin 2011 këtyre studiuesve u janë shërbyer 32 141 fletë fotokopje dokumentesh, në gjashtë muajt e parë të vitit 2012, ky tregues është 23 537.

Arkivi Qendror Shtetëror ofron informacion nga shek.VI deri në ditët tona. Mjetet e informacionit janë të ndryshme dhe shfrytëzimi i dokumenteve mund të bëhet në origjinal ose në mikrofilm. Dixhitalizimi, proces që është akoma në fillime, i ka shkathtësuar mundësitë e shërbimit të Arkivit dhe të ruajtjes së materialeve origjinale.

E kanë fituar shqiptarët kulturën e dokumentit? Pyesim specialisten Vera Dode, 30 vjet në Arkiv. Fjala është për kategorinë e kërkuesve joprofesionstë. “Ka nga ata që s’dinë se ç’kërkojnë por kjo kulturë do kohë që të krijohet. Ne kemi raste kur iu themi mbani mirë indikacionet arkivore”, përgjigjet zonja Dode. Ajo thotë se sfera e kërkimeve sa vjen e zgjerohet dhe arkivi ofron mundësi për profile dhe periudha të ngushta studimi. Një pjesë e studiuesve po merren me vitin 1911-1912. Paskal Milo është një ata këta historianë. Pritet prej tij një studim për politikën e jashtme të Shqipërisë. Por ka të pasionuar për vulat e ndryshme që janë përdorur në vitet 1912-1913.

Më këtej në historinë e Shqipërisë, objekt interesi përbëjnë kërkimet për krimet e komunizmit, për fenë dhe sektet fetare për qëndrimin e shtetit ndaj fesë, për figurat historike të anatemuara si Xhevat Korça apo Ali Begeja, sa për shembull.

Zonja Dode pohon se mjaft të huaj janë të interesuar për kodikët, për aspektin muzikor, të shkrimit, të imazhit të këtyre pasurive të rralla të trashëgimisë që ruhen në AQSH.

Edhe deklasifikimi i dokumenteve sekret ka një përqindje të vogël në këtë rritje të kërkesave studimore. Fondet e Arkivit të Historisë janë deklasifikuar në bllok, sepse në pjesën dërrmuese kanë qenë sekret. Janë deklasifikuar një sërë fondesh nga Kuvendi Popullor, Këshilli i Ministrave, nga ish-Arkivi i Komitetit Qendror, pa prekur kufirin e 25 viteve të fundit.

Edhe pse materialet më interesante për Shqipërinë dhe botën shqiptare vazhdojnë të vijnë nga studiues dhe arkiva të huaja, drejtoresha e AQSh Nevila Nika e vlerëson burimin vendës të pakonkurrueshëm. 

Kërkesat studimore që i drejtohen Arkivit të Shtetit, ku janë përqendruar? Kanë lidhje kjo rritje me jubileun e Pavarësisë?

Nuk ka një përqendrim vetëm te Periudha e Pavarësisë, por edhe tek ajo që vjen pas qeverisë së Vlorës. Në vitin 1962-‘63 ka pasur një botim për Kuvendin e Vlorës nga arkivi ynë, por ne jemi duke përgatitur tani një botim pa censurë të të gjithë dokumentacionit të Qeverisë së Vlorës për shkak se kërkesat janë nga më të ndryshmet. Pra ofrojmë gjithë dokumentet e plota pa asnjë retushim. Shkenca nuk ta lejon atë që është bërë përpara ’90-s.

Ka të tjerë që interesohen për Luftën e Parë Botërore edhe pse shqiptarët nuk janë pjesëmarrës por viktima. Por gjithsesi janë periudha të ndërlikuara. Fjala vjen, për Haxhi Qamilin diskutohet ende, megjithëse dokumentacioni është shumë i qartë, qëndrimet e njerëzve janë paradoksale.

Pak botime me materiale arkivore ka nga historianët shqiptarë. Është konkurrueshëm arkivi juaj për informacionin që ofron për periudhën e pavarësisë?

Unë personalisht jam marrë me kryengritjet e mëdha anti-osmane 1910/’11/’12. Duke punuar shumë me fonde dokumentare me prejardhje vendase, domethënë shqiptare, gjykoj që pak janë parë. Letërkëmbimi midis atdhetarëve, veprimtarëve të Lëvizjes Kombëtare është mjaft interesant, që s’mund të të japin dokumentet në arkivat e botës. Konkurrimi nuk është në plan sasior por të elementeve vendas.

Ka një memorandum nga shqiptarët dërguar Lordit Bikonsfild, kryeministrit britanik Benxhamin Dizraeli, që është një nga memorandumet më të bukura drejtuar Fuqive të Mëdha për çështjen shqiptare në Lidhjen e Prizrenit 1878. Është burim shqiptar vendas.

Ndërsa kur lexon qoftë edhe letërkëmbimet e tregtarëve për çështje ekonomike, gjen të dhëna që s’t’i jep dot asnjë konsull i huaj. Personalisht e pranoj burimin e huaj, por parapëlqej atë vendas, megjithëse burimi vendas ka një problem, është i lodhshëm sepse janë dorëshkrime origjinale, njerëzit shkruajnë në dialektet e tyre. Por është i bukur sepse ti lexon një letër shqip më 1850 që është burim për çfarë bëhet në Shqipëri dhe marrëdhëniet që shqiptarët kanë me njëri-tjetrin. Informojnë ata që janë me Ismail Qemalin, por janë ata që udhëtojnë me Ismail Qemalin. Siç është rasti i letrave të Faslli Toptanit që me Luigj Gurakuqin dhe Ismail Qemalin udhëtojnë nga Nisa në Romë, nga Roma në Napoli, në Cetinjë, Bukuresht etj..

Çfarë do të ofronin të re materialet arkivore për periudhën 8-vjeçare, siç e quajtët ju fazën pas pavarësisë 1912-1920?

Janë vite jashtëzakonisht të ngarkuar me ngjarje, të trishtueshëm në pikëpamje historike. Fati i vendit, i shqiptarëve ishte në pikëpyetje të madhe. Nuk u realizua ajo për të cilën u luftua shumë. Që nga Lidhja e Prizrenit dhe deri më 1912 u bë një përpjekje titanike që të arrihej ajo ditë. Është periudhë shumë e rëndësishme dhe ka kërkesë nga studiuesit edhe për këtë periudhë.

Periudha që vjen pas pavarësisë, 1912-1920 është ende e pazbuluar tërësisht. Janë shfrytëzuar shumë pak fondet e komuniteteve fetare, të cilat janë shumë të pranishme. Shteti ndahet nga feja pas Kongresit të Lushnjës, kjo qeveri sanksionoi përdorimin e gjuhës shqipe, ndahet përfundimisht nga periudha e mëparshme. 1912-1920 është një periudhë tranzitore me mjaft probleme, me zona të zbrazëta dhe shumë të thjeshtëzuara deri tani nga historianët. Ka figura që janë lënë në hije.

Shikoj kërkues të një brez të ri mjaft të interesuar. Ndonjëherë janë edhe të përciptë sepse është dhe fillimi. Arkivi vetëm në këto pak vite të fundit e ka marrë qytetarinë e të qenurit institucion i lirshëm që gjithkush mund të vijë të studiojë në sallë. Megjithëse ka prej tyre edhe që ankohen. Po bëjmë përpjekje maksimale për t’i bërë dixhitale fondet tona.

Por ajo që dua të them që edhe për periudha që i mendojmë se i njohim nuk mbarojnë me kaq. Kështu që për t’iu kthyer pyetjes suaj, them se arkivi ynë konkurron realisht edhe me arkivat në botë. Edhe për ata atdhetarë, po marr rastin e Faik Konicës që gjithë jetën e vet e pati jashtë, nuk përjashtohen nga arkivat tona. Konica është i pranishëm me letrat që i ka nisur mbretit. Pra arkivi ynë konkurron për vlerën e tij shqiptare, që është e jona, dhe unë këmbëngul për këtë vlerë.

Kujtoj një letër të Edit Durhamit të vitit 1921 që është vizita e saj e fundit në Shqipëri. Durham është në moshë të thyer dhe në letrën që i dërgon Rexhep Jellës, i thotë pak a shumë këtë: Në Tiranë të gjithë që erdhën të më takonin e të më nderonin, filluan të ankohen për njëri-tjetrin. Unë mendova që Shqipëria u bë dhe nuk do të kishte më të tilla gjëra. Mos dëgjoni ç’ju themi ne të huajt, bëni një gjë vetë. Bëni vendin tuaj.

Letërkëmbimet janë me mjaft vlerë sepse s’ka më mundësi ta korrigjosh veten siç mund të bësh me kujtimet apo me shkresat zyrtare.

Periudha e komunizmit, deri ku keni mbërritur me deklasifikimin e fondeve?

Ne shqiptarët nga 1944 deri më 1991 jemi populli më pak i informuar dhe më keq i informuar për veten. I kishim të dyja: dinim pak dhe dinim keq, sepse na servirej keq informacioni, po edhe po të dije një të vërtetë, ti nuk e ndaje dot me një njeri.

Sot kemi mundësi ta njohim këtë pjesë të errët, aq e errët sa është e paimagjinueshme. Ne kemi punuar që ish-Arkivi i Komitetit Qendror të ecë në procedurat e deklasifikimit arkivor duke ndjekur dhe respektuar ligjin. Meqenëse është në tagrin e fondit tonë, Partia Socialiste ka marrë vendimin për ta dorëzuar në Arkivin Shtetëror me justifikimin apo me pretendimin që “ne nuk kemi lidhje më me atë parti, jemi një parti e re”.

Por kemi ecur mirë edhe për deklasifikimin e fondeve të klasifikuara sekret ose rezervat me ligjet e para nëntëdhjetës. Nuk ka sens sot që të jetë sekret numri i nxënësve të klasës së parë të vitit 1945-‘46.

Gjërat më serioze se kaq që janë deklasifikuar së fundi?

Kemi lënë nga Arkivi i Partisë edhe pjesë të padeklasifikuara, duke marrë parasysh rëndësinë kombëtare të disa çështjeve që kanë të bëjnë për shembull me Kosovën. Do të presim deri në formën e plotë të Pavarësisë së Kosovës.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama