"Perfeksion nuk do të thotë vetëm definicion formal, por më tepër dashuri e skajshme për natyrën e sidomos për atë pjesë të saj që konsiderohet e pavlerë dhe e harruar herë-herë deri në anatemë apo përbuzje. Këto "shkurre" janë të bukura edhe pse morfologjia e tyre në trajtën e veshjes jo mikpritëse duket se të largon.
"Dinjiteti" i tyre meriton vëmendje për t`i përkthyer apo riparaqitur me dashurinë dhe vëmendjen hulumtive leonardeske. Natyra është monument dhe rivitalizimi e ridimensionimi i saj është pjesë e "hipereales" sonë."
Koncepti i veprës "Perfeksion" me të cilën Entela Kasemi u prezantua në "Onufri 2010". Punë e vitit 2010, vaj dhe laps, 135x63 cm. Është debutim në një skenë shqiptare të artit pamor i Entela Kasemit, 40 vjeç. Objekt është një lloj gjembi që rritet në kanale, anë rrugës. Objekt i pikturimit nuk është paraqitja në mënyrë të përsosur e formës së kësaj luleje të egër, e cila thahet dhe shumë shpejt kthehet në shkurre, mosha e saj permenante. Objekti i perfeksionit, në këtë rast bart një kundërshti që lidhet me vetëdijen që ka njeriu i zakonshëm për të bukurën: është pa aromë, pa ngjyrë, pa stinë, nuk demonstron, nuk merret lehtë në dorë, nuk është i rëndomtë për poetët, as për piktorët. Nuk është megjithatë e anasjellta e Kuazimodos.
Teksti që shoqëron punën "Perfeksion" dhe që flet për pikturën si për poezinë, është shkruar nga një skulptor, Ilmi Kasemi, bashkëshorti i Entelës. Duket që e ai e njeh mirë punën e saj. Sepse ka 13 që shikon të shoqen të pikturojë dhe vizatojë "shkurre". Edhe pa atë tekst, vepra që pamë të ekspozuar për një muaj e gjysmë në Galerinë Kombëtare të Arteve, është një ikje shumë domethënëse nga arti retinal, ndërkohë që është i lartë rreziku ta marrësh për të tillë.
Familja Kasemi që jetoi në emigrim për afro dhjetë, në Itali, është kthyer në Tiranë. Gruaja ka gati tani ekspozitën personale, një cikël gjembaçësh hiperealë. Entela, puna jote veç ndjesive, të çon te një çështje e vjetër: arti si pasqyrë apo riprodhim i natyrës. Si fillim donim të dinim arsyen e prezantimit në "Onufri 2010" me një pikturë, një gjembaç i tharë, skulptural, i quajtur "Perfeksion". Sepse "Perfeksion" i përgjigjej më shumë tekstit kuratorial, sepse tërheq më shumë vëmendjen kur e sheh në këtë gjendje të thatë, sepse jam unë vetë dhe me sa di, nuk ka njeri tjetër që i bën për momentin lulet e thata.
Po thua se është një objekt yti?
Kam vite që e bëj këtë lloj luleje, 13 vjet, këtë dhe kaktuset.
Ç'të lidh me të?
Një ditë në vitet 1990-'91 duke udhëtuar rrugës Durrës-Tiranë, kam ndaluar dhe i kam marrë në shtëpi për zbukurim, sepse nuk i doja lulet artificiale që dolën atëkohë. Atëherë vendosa t'i vizatoj, këtë dhe një lloj tjetër gjembaçi me më shumë gjemba. Nga vizatimi kalova në pikturë. Kam prej vitit 1995-'97 që i realizoj.
Sa ke realizuar?
Të të them me qindra? Shumëzoi pastaj për gjemba, i bien me mijëra. Gjatë emigrimit në Itali kam realizuar shumë, njerëzit i kërkonin këto dhe kaktuset, me një lloj luleje që del një herë në vit.
E çelur apo e thatë, cilën nga gjendjet e bimës ndjen më afër?
E thata më qëndron më besnike sepse nuk më prishet asnjëherë. Kurse me natyralen unë duhet të jem shumë e shpejt gjatë pikturimit, sepse ajo vyshket dhe më ikën.
Ti në pozitën e piktorit flet për procesin e pastër të pikturimit, ndërsa shikuesi shpesh ndalet tek leximi dhe përjetimi i objektit, te historia që ngjall ai.
Gjatë procesit të punës e kam fjalën. Gjembaçi i thatë është më besnik.
Është edhe më afër konceptit të perfeksionit?
Është aq perfekt sa unë dua gjithmonë ta arrij, por s'e arrij dot kurrë, sepse është natyrë dhe pikërisht për këtë s'e arrij dot.
Emri i saktë cili është?
Disa i thonë shkurre, kurse në gjuhën popullore i thonë "lule gomari" sepse i hanë kafshët, tamam gomerët. Mua më pëlqejnë sepse bëjnë një punë, ushqejnë atë kafshë pune që është më e rëndësishme në fshat. Por gjembaçë janë, gjembaçë uji.
E përmenda që janë perfekt, majat e tyre janë perfekte. Që t'i vizatosh, nuk të lejojnë as të lëvizësh, as të shtosh. Janë misterioze, janë shumë të ndërthurura.
Pak a shumë i kam qëndruar besnike dhe sfondit që është në natyrë. Është grija në okër e tokës, e ngrohtë dhe ajo jeshile që e jep pranvera. Tani çelin, në mars-prill, rrinë pak natyral. Në rrugë i gjen të thata, të zeza.
Ti do të riprodhosh në mënyrë besnike atë që është në natyrë, e megjithatë kjo nuk është natyra.
Atë që punoj unë kërkoj ta kem afër.
Nuk dua të merrem me problemet sociale në pikturën time. I rri larg mjedisit, kur bëhet fjalë për njerëzit dhe problemet. Gjithmonë kam zgjedhur këtë lloj pikture. Piktura ime është më shumë studim. Pak shtoj, tjetër gjë është kompozimi që e krijoj nga fillimi, por i qëndroj asaj që shoh, objektit: studim, vizatim, edhe ngjyra pothuajse siç është në natyrë.
Çfarë do të thuash me "nuk shton", sepse e gjithë kjo punë je ti. Kjo është shtesa, gjëja e arritur, gjëja e fituar.
Si të thuash, nuk më pëlqen transformimi, modernizimi i asaj që shoh. Unë bëj thjesht atë që shoh, zbërthej mirë atë që shoh. Dikush do thoshte, oh, po kjo është lule e zezë. Një tjetër mund ta shohë vetëm të errët, sepse ashtu duken kur i sheh. Po ta këqyrësh me vëmendje si unë, kanë shumë ngjyrë brenda.
Shkarkoj shumë te kjo punë. Tani që pohoj këtë nuk do doja që të ma përkthejnë "Entela është si gjembat". Kur ulem të punoj ia shkarkoj gjithçka penelave dhe lapsit. Punoj natën dhe në atë qetësi, si duket atëherë fillojmë e flasim...
Kjo lule është bërë enkas për "Onufrin" dhe kam mbyllur një cikël. Tani po merrem vetëm me pjesën e poshtme të lules, vetëm me gjembat. Them që këtë pjesë ta zhvilloj duke ecur.
Ku do të shkosh me këtë anatomi që bën ti?
Për të treguar që duhet studiuar, që duhet bërë natyra. Ky është gjithë qëllimi im.
Duhet bërë natyra?
Mos të idealizohet, mos të bëhet përmendësh. Unë nuk kërkoj shumë. Kërkoj thjesht të bëj natyrën, ta bëjnë dhe tjerët se e kanë harruar. Kur them të tjerët e nis nga fëmijët e mi.
Çfarë kupton me natyrë dhe me kthim të dinjitetit të natyrës?
Jetësoren. Më kuptoni, nuk po them që piktorët t'i rrinë strikt modelit, por le t'i rikthehen njëherë në kaq vite modelit.
Është aq perfekt saqë në momentin që mendon se e ke arritur, ai të lë. Faktikisht asnjëherë s'e kam bërë këtë lule përmendësh, por puna është se unë i kthehem dhe më duket e pambaruar.
Qëllimi im është që njerëzit ta njohin atë që kanë, bukurinë dhe vlerën e asaj që mund ta hedhin nesër.
Për t'ia rritur duhet dashuria hulumtive leonardeske?
Dashuria hulumtive leonardeske është mënyra e të punuarit në të gjithë pjesët. Janë lule që kanë shumë frakturë. Gjethja është e vrazhdë, ndonjëherë më e vrazhdë se sa vetë gjembi.
Punimi me laps dhe me ngjyrë të jep më shumë kënaqësi. E kam provuar dhe me bojëra vaji, ka një moment që të velet. Duhet të jesh kurajoze ta gërryesh, ta pastrosh, ta rinisësh... pastaj nuk të jep dëshirën t'i kthehesh të nesërmen.
Po flas për një lloj mënyre me lëngje me laps: i hedh lëngun e vajit të linit dhe e punoj me majën e lapsit, gjithmonë me maj të mprehur, me dhjetë lapsa, që të qëndrojë e freskët. Ka dhe një gjë që e punoj si afreskun, me pjesë, me dhjetë centimetra. Kështu që një lule bëhet me një muaj punë. Është me shumë djersë. Pa katër orë punë në darkë...
Entela, për ty dimë vetëm që ke lindur më 1971 në Durrës.
Unë prindërit nuk i kam pasur piktorë dhe nuk jam rritur me pikturën. Ka qenë mësuesi i vizatimit që më tërhoqi vëmendjen drejt pikturës kur pa se kisha realizuar një akuarel. Pastaj ndoqa Liceun në Durrës, kam mësuar me Gavril Priftulin.
Cilët kanë qenë profesorët e tu në Akademinë e Arteve?
Në Akademi kam punuar me pedagogët Gazmend Leka, Jorgji Gjikopulli, Bashkim Ahmeti dhe Bujar Asllani. Kam bërë shkollën dhe fëmijët njëherësh. Në atë kohë sa shpërtheu arti: filluan katrorët, trekëndëshat, të errëtat.
Ti i hyre kësaj pune?
S'kam bërë asnjëherë art modern. Unë dua që kur ta shohin një vepër arti, të qëndrojnë dhe mundësisht edhe të afrohen. Këtë kam për qëllim.