Kur e sheh në formë fizike perfekte mendon se ai mund të zbresë sërish në fushën e lojës, mes dy shtyllave për të mbrojtur portën. Diçka të tillë nuk e ka bërë prej vitesh. Tani është 74 vjeç, ndërsa detyrën e tij të përjetshme si portier i kombëtares italiane e la në vitin 1983. Që nga ajo kohë, Dino Xof nuk ka luajtur asnjëherë tjetër si portier, as në një ndeshje mes miqsh. I tillë ishte vendimi i "mitit" Xof, i cili mban mbi shpatulla shumë trofe të fituar me skuadrat ku ka luajtur, por edhe me kombëtaren italiane.
Është i vetmi italian që ka fituar kupën e botës dhe Europianin, por shpreson që edhe Bufon ta bëjë realitet diçka të tillë duke zhdukur përjetësisht hendekun që i ndan prej një jete. Xofit nuk i pëlqejnë aspak krahasimet mes tij dhe Bufonit, mes Nojerit dhe Bufonit. Ai thotë se të dy janë portierë të shkëlqyer në stilin e tyre. Ai nuk preferon të krahasojë as Antonio Konten me ish-trajnerin Bearzot. Sipas 74-vjeçarit, ndeshja e sotme mes Italisë dhe Gjermanisë është shumë interesante, sepse nuk vë përballë vetëm 2 skuadra futbolli.
Ai thotë se krenaria e tepërt gjermane ndonjëherë e ndihmon më shumë Italinë për të nxjerrë në pah karakteristikat e futbollit italian. Xof kritikon hapur edhe ata që e quajnë mbrojtës futbollin italian dhe i këshillon të shohin golat e shënuar në Botërorin e vitit 1982. Në një intervistë për "Gazzetta Dello Sport", legjenda italiane analizon duelin Nojer-Bufon, por edhe ndeshjen Itali-Gjermani. Ai ka besim se "axurrët" mund të shkojnë deri në fund të këtij turneu.
A i ngjason Konte trajnerit tuaj Bearzot, me të cilin fituat kupën e botës?
Le t'i lëmë këto krahasime. Për mua, njerëz si Bearzot nuk ekzistojnë më. Kjo nuk do të thotë se s'e vlerësoj Antonion. Ai ka qenë lojtari im në Europianin e humbur të vitit 2000. Ajo humbje është zhgënjimi më i madh i karrierës sime si trajner. Luajtëm shumë mirë ndaj Holandës, por e humbëm finalen në minutat e fundit. Përtej kësaj, Konte është një trajner i zoti dhe së bashku me Orialin kanë ardhur të më takojnë disa herë. E kam vlerësuar gjithmonë trajnerin Konte për atë që ka bërë.
Çfarë ju ka surprizuar nga Italia në këtë Europian?
Asgjë. E prisja të tillë, sepse e njoh Konten dhe punën që bën ai. Te Juventusi hodhi bazat e një cikli fitues dhe po përdor më së miri idetë e shkollës italiane. Duhet të ndihemi krenarë. Për këtë gjë them se nuk u surprizova aspak nga fitorja ndaj Spanjës. Ekipi ishte i përgatitur dhe i organizuar më së miri. Më e rëndësishmja është nesër (sot). Ndeshjet e tjera quhen të shkuara dhe duhet të shohim vetëm përpara. Dhe nëse gjermanët luajnë si gjermanë...
Çfarë do të ndodhë?
Në sensin që Gjermania është gjithmonë nga ato skuadra që krenohet shumë, por kjo ekzalton edhe kualitetin tonë futbollistik. Italia di t'i nxjerrë më mirë në pah të gjitha karakteristikat e saj kur të tjerët krenohen shumë dhe mendojnë se do ta mundin lehtësisht. Nuk është vetëm çështje precedentësh. Nëse ndeshja merr këtë logjikë dhe do të zhvillohet në këto binarë, atëherë do të bëhet më e bukur për ne.
Në portë do të jenë "të mëdhenjtë" Bufon dhe Nojer. Ende nuk kanë psuar asnjë gol. Mund të bëjnë diferencën te penalltitë?
Nuk mendoj se ndeshja do të shkojë me penallti, por do të vendoset më përpara. Ata janë të mirët në këtë turne dhe jo vetëm, por nuk mund t'i gjykojmë ne. Janë kampionë të mëdhenj që kanë bërë një karrierë të shkëlqyer me skuadrat e tyre, secili në stilin e vet.
Stili juaj ishte interesant. Bëtë një pritje madhështore ndaj Oskarit në vitin 1982, e cila do të mbahet mend si ndër më të bukurat e historisë. Mund të krahasohet për nga rëndësia me atë të Bufonit ndaj Pikesë?
T'i lëmë këto krahasime. Mua nuk më pëlqen shumë vendosja përballë e personave. Secili është i rëndësishëm në vendin e vet.
Është e pashmangshme përballja mes dy portierëve më të mirë italianë. Ju keni thënë se gjithçka do të varet nga mënyra se si Bufon do të "plaket".
Në fakt, Xhixhi është duke u "plakur" shumë mirë. I ka kaluar të gjitha problemet fizike, të cilat e ndaluan të merrte pjesë në Botërorin e vitit 2010. E shoh në formë shumë të mirë dhe ka dëshirë për të na surprizuar ende. Ai vjen pas një sezoni fantastik me skuadrën e Juventusit. Duhet të bëjë ende rrugë për të më kapur. Shpresoj që ta bëjë realitet diçka të tillë duke e fituar këtë Europian. Unë mbetem italiani i vetëm që kam fituar Botërorin dhe Europianin, por Bufon mund të më arrijë në rast se fiton trofeun gjatë këtij viti. Uroj shumë që të triumfojë.
Sigurisht, por as shorti nuk po e ndihmon Italinë. Fillimisht me kampionët e Europës, ndërsa tani me kampionët e botës.
Nëse do të arrish deri në majë, duhet të përballesh me më të mirët dhe t'i mundësh ata. Me strategjinë tonë dhe idetë e futbollit italian ne jemi gjithmonë kompetitivë. Duhet thjesht të besojmë.
Cilat janë surprizat e këtij Europiani?
Më pëlqen Uellsi. Kroacia shpërdoroi shumë dhe hodhi poshtë një mundësi të artë. Futbollistët e saj menduan se do ta kishin të lehtë me Portugalinë. Surpriza më e bukur është Islanda. Ata janë heronjtë e vërtetë, që me eliminimin e Anglisë kanë shkruar një faqe të artë të historisë së futbollit. Kanë demonstruar organizim, dëshirë për të luajtur dhe "fair play". Është diçka shumë e bukur që po ndodh në këtë Europian. Komplimente për ta.
Pse loja e Italisë duket ende si katenaço?
Janë fjalë koti. Shkolla jonë e futbollit është një miks i fantazisë, organizimit dhe ekuilibrit mes reparteve. Diçka të tillë e konfirmoi Marçelo Lipi në vitin 2006, e konfirmoi suksesi ynë në vitin 1982. Sigurisht që futbolli ndryshon, por gjërat bazë mbeten. Mjafton të shihni këtë Europian. Golat po shënohen nga goditjet e dënimit. Mendoj se është më mirë të luash si Italia, duke marrë topin dhe u nisur me shpejtësi drejt mbrojtjes kundërshtare. Nëse këtë e quajnë "katenaço", le ta quajnë. Le t'i kthehen edhe historisë për të kuptuar.
Cilës histori?
Mjafton të shihni ndeshjen Itali-Gjermani, finalen e Botërorit 1982. Në golin e parë të shënuar nga Rosi, krosimi është i Xhentiles. Pranë Paolos ishte edhe Kabrini, gati për të goditur topin. Dy mbrojtës krahu që ishin në sulm. Në golin e dytë, Rosi rikthehet të rikuperojë topin në mesfushën e tij dhe pastaj ia pason Tardelit. Aty ishin edhe Bergomi dhe Shirea. Ju duket skuadër mbrojtëse kjo?
Në fjalët tuaja ka shumë krenari italiane
Sigurisht. Shumë shpesh flitet vetëm për futbollin holandez, brazilian apo atë anglez. Harrojnë që bazat e vërteta të Italisë janë ato që po mbizotërojnë në futbollin e ditëve të sotme. Forca e grupit është kryesorja. Nëse të gjithë bëhen bashkë, atëherë mund të arrijnë rezultate shumë pozitive. Duhet të jemi të gjithë gati dhe duke besuar se mund t'ia dalim.