Diplomacia Malta kufizon shitjen e pasaportave

Diplomacia: Malta kufizon shitjen e pasaportave

Malta iu nënshtrua presionit nga Bashkimi Europian mbi skemën e vet të re të debatueshme të marrjes së pasaportës nga nënshtetasit jo-europianë duke shtuar se tashmë aplikantët duhet të qëndrojnë së paku një vit në Maltë në mënyrë që të fitojnë të drejtën.

Kushti i ri u njoftua në një deklaratë të përbashkët mes Maltës dhe Komisionit Europian. Aplikantët do të duhet të investojnë së paku 1.15 milionë euro në Maltë për të marrë një pasaportë. Eurodeputetët e patën kritikuar skemën e Maltës duke thënë se diçka e tillë zhvlerëson nënshtetësinë europiane.

Më herët Malta nuk kishte vendosur asnjë kërkesë për të jetuar për një periudhë kohe në Maltë për të pasurit e huaj që dëshirojnë të marrin pasaportën e këtij shteti ishull.

Rregulli shtesë thotë se “asnjë certifikatë natyralizimi nuk do të lëshohet për sa kohë aplikanti nuk ka dorëzuar prova se ka banuar në Maltë për një periudhë prej së paku 12 muajsh para aplikimit”.

Komisioni Europian kreu bisedime duke kërkuar që nënshtetasit e rinj të kenë një lidhje të pastër me vendin dhe jo thjesht aftësinë për të paguar.

Malta si vend anëtar i BE-së dhe i zonës Shengen, lëshon pasaporta të vlefshme në rang europian. Ajo synoi të thithë rreth 1800 investitorë të huaj duke i joshur me pasaporta Shengen. Familjarët e investitorëve duhet të paguajnë veçmas. Skema po menaxhohet nga një kompani private amerikane.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama