I ashtuquajturi " Cikli diplomatik ", një grup prej 23 ish-ambasadorësh grekë, shumica e të cilëve kanë shërbyer në postet kyçe jashtë vendit, i ka dorëzuar, pasditen e djeshme, një letër kryeministrit grek, Antonis Samaras, duke iu referuar të gjitha çështjeve të politikës së jashtme dhe duke paralajmëruar se kriza financiare nuk duhet t'u heqë rolin prioritar çështjeve kombëtare të Greqisë, raporton “Koha.net”.
Letra është nënshkruar midis të tjerave, nga ish-ambasadori grek në Turqi dhe ish-kreu i Shërbimit Informativ Kombëtar, Joanis Korantis, Konstantinos Politis, ish-ambasadorë në Shqipëri dhe ish-ambasadorë në Beograd dhe Qipro, raporton "Top-Channel".
Midis çështjeve kombëtare për Greqinë, si marrëdhëniet me Turqinë, Shkupin dhe çështjen qipriote, një vend të rëndësishëm në këtë letër zënë marrëdhëniet me Shqipërinë.
Ish-ambasadorët kujtojnë se Shqipëria është një vend i krijuar nga Fuqitë e Mëdha në 1913 dhe deri tani nuk ka treguar një qëndrim miqësor ndaj Athinës, duke u bërë një shtet problematik për Greqinë që nga formimi i tij.
"Pas zhvillimeve pozitive për Tiranën në çështjet e Kosovës dhe Shkupit, rivaliteti i Tiranës me Athinën rritet gjithmonë e më shumë", - kanë thënë ish-ambasadorët.
Sipas ish-diplomatëve grekë, "ndihma në anëtarësimin në NATO, pa asnjë shkëmbim si dhe mbështetja për integrim në BE, në të njëjtën mënyrë, duke lënë të ngrirë çështjen vorioepiriote, ka rritur ambiciet e Shqipërisë dhe kjo duket në radhe të parë me udhëheqësit Berisha dhe Rama, udhëheqës tipikë-ballkanikë, të zhdërvjellët, që më shumë kanë korrur fitime të konsiderueshme politike, pa asnjë shkëmbim nga kontaktet me Athinën zyrtare".
Për çështjen çame, ish-ambasadorët, ndërsa rikujtojnë se, "kjo popullsi myslimane duhej të ishte dëbuar në Turqi sipas marrëveshjes të Lozanës, theksojnë sa kanë bashkëpunuar me italianët dhe gjermanët në Luftën e Dytë Botërore dhe më pas kanë shkuar në Shqipëri dhe se shumica e politikës shqiptare e konsideron këtë periudhë historike si çështje holokausti për shqiptarët".
Këshilla përfundimtare që ish-diplomatët i japin kryeministrit grek është që Athina të korrigjojë gabimet e së kaluarës dhe të jetë më e kujdesshme me synimin e Tiranës për integrimin në BE.