Ceremonia e diplomimit të studentëve “bachelor” dhe “master” bëhej bashkë me 5-vjetorin e këtij institucioni të arsimit universitar privat për t’u kthyer në një mbrëmje gala që ka filluar në Teatrin Kombëtar e është mbyllur me festën në një prej komplekseve të periferisë së Tiranës. Gjithçka ka filluar me tingujt e himnit kombëtar që ka ngritur në këmbë lozhat, skenën dhe platenë e Teatrit Kombëtar. Moderatorja, pas hapjes së ceremonisë së diplomimit, ka ftuar presidenten e UET, Dr. Teuta Dobi, për të përshëndetur me anë të fjalës së rastit. Dobi është ndalur jo vetëm te sfidat e një viti universitar, te falënderimet për studentët dhe prindërit e tyre që bënë të mundur shkollimin e bijve e bijave, por edhe te statusi i UET, i potencuar së fundmi nga rankimi i kompanisë gjermane CHE.
Në vazhdë të kësaj, presidentja Dobi ka thënë: “UET ka afirmuar arritjet e tij në hapësirën shqiptare në: kualifikimin më të mirë të personelit në fushën e shkencave juridike, treguesit e punësueshmërisë në vend në fushën e shkencave ekonomike, diplomimin brenda afateve, cilësinë e mësimdhënies, publikimet më të mira shkencore në të tre fakultetet, reputacionin në kërkimin shkencor, reputacionin në arsim, infrastrukturën më të mirë, si dhe orientimin ndërkombëtar në fushën e Shkencave sociale”. Dekanët e fakulteteve të UET, që janë ngjitur në skenë pas Dobit, kanë përshëndetur dhe kanë ftuar me radhë studentët e Ekselencës. Ky, me sa duket, përveçse 5-vjetori i Universitetit Europian të Tiranës ka qenë edhe 5-vjetëshi i vajzave: të gjitha fitueset e diplomave “magna cum laude” dhe “summa cum laude” kanë qenë të gjinisë femërore. Studentet e Ekselencës kanë përshëndetur me radhë për t’ia lënë vendin një intermexoje me muzikë klasike. Klasikja ka vazhduar edhe pas dorëzimit të diplomave për gjithë studentët “bachelor” dhe “master” të kurorëzuar në këtë 5- vjetor. “Himni i Gëzimit” të Beethovenit fillon dhe bashkë me të edhe fishekzjarrët dhe një det i kaltër kapelesh.
Salianji, studenti i parë i UET që braktisi universitetin publik
Ervin Salianjit nuk mund të mos ia shquash notat e idiomës korçare kur flet. Është i gjatë dhe qëndron një kokë mbi shumicën e çdo salle. Por ka edhe një të veçantë tjetër: është një nga studentët e parë të UET. Madje i pari që ka braktisur universitetin publik për t’u regjistruar në një privat, Universitetin Europian të Tiranës. “Unë jam një nga studentët e parë që bashkë më UET kemi bërë një rrugëtim të gjatë, njëkohësisht edhe të shkurtër, por të suksesshëm për institucionin e UET. Para 5 vitesh, ishin të shumtë skeptikët, ata që mendonin se arsimi i lartë privat nuk ishte cilësor. Sot, pas 5 vitesh, UET i ka bindur të gjithë. Sot, pas 5 vitesh ne jemi të parët të certifikuar edhe nga Ministria e Arsimit”, ka thënë dje Salianji në ceremoninë e diplomimit. Ai shton se ai dhe studentët e tjerë të kryeherës ndihen krenarë për zgjedhjen e tyre, ashtu siç, sipas tij, ndihet çdo student i diplomuar në UET. “Ne ndihemi pjesë e kësaj familje të madhe, ne besuam, siç besuan edhe themeluesit, që UET mund të ishte një institucion serioz i arsimit të lartë. Kjo logo do të na shoqërojë gjatë gjithë karrierës sonë në të ardhmen. Sot ne diferencohemi nga cilësia. Kjo edhe falë profesoratit të UET”, ka përfunduar Salianji. Ai është një ndër studentë më aktivë të UET duke u bërë pjesë e veprimtarive të shumta të këtij institucioni dhe njëkohësisht është president i Klubit të Studentëve të UET.
Oriola Musa, nënë dhe studente e shkëlqyer
Sjellja në jetë e një fëmije gjatë kohës që vazhdonte universitetin nuk e ka penguar studenten e Ekonomikut Oriola Musa që t’i përfundonte studimet me rezultate të shkëlqyera. Në ceremoninë e diplomimit, vajza 23-vjeçare rishtazi nënë, ka bërë një përshëndetje të veçantë, në të cilën ka treguar dy gëzimet e saj më të mëdha në jetë, që i ka përjetuar pranë e pranë e që janë vajza dhe diploma. “Kur kam filluar studimet në këtë universitet, plot 3 vite më parë, isha e mbushur me frikë dhe dyshime të mëdha. Do të investoja tre vite të jetës sime pranë këtij institucioni, vite këto që përkuan edhe me ardhjen në jetë të gëzimit tim të parë, vajzës sime. Por, sot gjërat janë të qarta, studimet e kryera në UET kanë qenë zgjedhja ime më e mirë në jetë. Staf i përkushtuar akademik, ambient i ngrohtë dhe familjar mjaftuan që unë të përfundoja shkëlqyeshëm këtë cikël të parë studimesh”, është shprehur ajo dje gjatë ceremonisë së diplomimit.