Që edukata jonë qytetare është e cënosur rëndë, kjo s’ka nevojë të afirmohet më apo të vihet në diskutim. E pohojnë kaq shumë, një shumicë dërrmuese qytetarësh të vërtetë, pjesa më e ndjeshme që vuan efektet e trysnisë së shumicës. E vërejnë edhe ata që janë vetë protagonistë të sjelljeve jo të hijshme në ambiente publike. Biseda, përshëndetje me zë të lartë, sharje, pështyma përtokë, kruarje hundësh, gojë me erë të keqe, ecje duke bllokuar krejtësisht trotuarin e të tjerë, e të tjerë. ‘Nuk ka të thotë shkolla. Ka shumë të arsimuar që kanë edukatë që lë për të dëshiruar…
“Dhe a mjaftojnë vetëm shkollat për t’iu dhënë edukatë njerëzve?”, do të pyesë shkrimtari aspak komunist, as religjoz, algjeriani Tahar Ben Jolloun në romanin e tij ‘Hijet e një vendi të ëndërruar” në kërkim të zhvillimit të bashkëkombasve të vet, kur emigruan në Francë.
E duam apo nuk e duam njëri-tjetrin ndërsa nuk dimë ta respektojmë edhe në detaje domethënëse apo thjesht nuk dimë t’i mendojmë? Kur i japim marshit me sa na i do qejfi edhe pse kemi përpara kemi vija të bardha dhe kalimtarë, vallë e duam njëri-tjetrin? Mësohemi siç duhet në shkolla dhe familje? Kur tekstet e shkollave apo vullneti i mësuesve duket se nuk ka mjaftuar për një pjesë të mirë të shoqërisë, po media përse vlen?
Ne qytetarët vetë në marrëdhënie të komunikimit direkt në terren me njëri-tjetrin çfarë ndryshojmë? Nëse kihet guximi dhe përgjegjësia qytetare për të qortuar njëri-tjetrin me kujdes për të ndryshuar në dobi të të gjithëve, shpesh reagohet edhe pozitivisht. Si dikush që vjen në vete, pasi ka bërë një gabim. Sikur askush tjetër nuk iu kishte folur më parë, por edhe e kundërta me inat dhe mllef. Nuk ka gjoba tek ne për vese si kalimi i semaforit, hedhja e mbeturinave, mosrespektimi i vijave të bardha etj. E përveç kulturës së mangët qytetare, e duhura do të ishte arritja ideale, a mos ka ardhur koha e provës së gjobave, se ndoshta diçka prej saj për më mirë do të mbetet?
Me celularë në vesh
Normal që celulari është bërë për t’u mbajtur në vesh. Normal që shumë punë sot shkurtojnë kohë kur zgjidhen me celular. Por është bërë po normal edhe tejkalimi i masës së përdorimit të celularit ‘punë e pa punë’. Veshi na ka kapur të gjithëve jo thjesht biseda të rëndësishme, emergjente, kur s’ke nga ia mban dhe sa mirë që është shpikur celulari! Por rrofshin ofertat dhe fjalë të stërzgjatura deri në kotësi, me hollësi që mund të konsumohen edhe nga afër. Pa konceptuar dëmin që iu bëhet në shëndet nga llogjet boshe. Kudo, por më të rrezikshme ato bëhen sidomos në autobusët e transportit urban. Aty njerëzit rrinë ngucur dhe përdorimi i celularëve për telefonata, mesazhe shpërthen kokë më kokë, sikur aq sa mezi presnin të rehatoheshin, dhe duke bërë një miksim valësh, që një Zot e di se sa më të dëmshme bëhen. Pa llogaritur paratë që harxhohen lumë. Nëse gjendesh në tren, tramvaj, metro në vende më të qytetëruara, e dallon ndryshimin e dukshëm mes qytetarëve jashtë dhe në vendin tonë mesdhetar ku nuk pushojnë fjalët, telefonat dhe zhurmat.
Plehrat sheshit
“Vdiqëm duke pastruar gjithë ditën. Aq pis bëjnë!”, thonë pastrueset e rrugëve. Edhe në zonën e ish-Bllokut në Tiranë po të njëjtat ankesa. Hedhja e mbeturinave përtokë vihet re se bëhet jo vetëm nga të vegjëlit, pasqyrë e më të mëdhenjve, por nga të gjithë grupmoshat. Mbarohet së ngrëni diçka nëpër duar dhe hop!, letra, qese mbështjellëse, paketa apo bishtat e cigareve, lëkurat e bananeve, e deri tek shishet e kanaçet,
me radhë ç’të jetë, hidhen ku të gjenden. Qoftë në rrugë dytësore, kryesore, park, lulishte…s’përbën ndonjëlloj kriteri. Edhe pse koshat e mbeturinave janë vendosur shumë të shpeshtë në Tiranë. Edhe pse në to mblidhen jo pak hedhurina të atyre qytetarëve të ndërgjegjësuar, pastrueset e rrugëve pastrojnë dhe mbushin koshat plot gjithë ditën. E mirë që prej disa vitesh Tirana pastrohet edhe ditën, e jo vetëm natën, se po të lihej në dorë të qytetarëve tanë!..Plehra edhe jashtë derës së shtëpisë apo rreth e qark pallatit. Duke parë vetëm ‘derë e brenda’, thua se çka është jashtë derës nuk rrezikon të futet brenda dhe nuk duhet të na e godasë vështrimin estetik po njësoj!
Trotuarë ku s’ke ku kalon
As në trotuarët në qendër të Tiranës. Janë plot dhe mezi kalohet. Jo vetëm nga popullsia e lartë në të ashtuquajturin metropol, e cila grumbullohet sidomos në qendër të kryeqytetit, aty ku zgjidhen punët kryesore. Por edhe sepse nuk mendohet për t’i lihet hapësirë tjetrit që vjen pas. Shpeshherë njerëzit zënë tërësisht rrugën, duke ecur krejt të ngeshëm e të patrazuar fare nga ndonjë koncept minimalist edukate apo një mençuri fare e thjeshtë për të menduar dhe respektuar hapësirën e atij që vjen më pas. Nëse iu drejtohesh me: “Të lutem! Mund të kaloj pak?”, zakonisht i kap si në faj dhe menjëherë reagojnë pozitivisht për t’u ndrequr për momentin. Mjerisht nuk e kishin menduar më parë. E mjerisht duket se prapë do ta përsërisin. Sipas një studimi amerikan, një ide e re duhet përsëritur shtatëmbëdhjetë herë për t’u bërë pjesë e zakoneve të njeriut.
Kapadaillëku i theksuar
Kur Kadare dhjetë vjet më parë në një intervistë në shtypin shqiptar vërejti se shoqëria shqiptare ‘ka shumë kapadaillëk’, nuk duket se pati gabuar. ‘Sëmundja’ vazhdon. Mund të jetë përmirësuar apo përkeqësuar? Matjani ju peshën e ndryshimit apo mosndryshimit!
Kush ka disa parametra matës më bashkëkohorë, mund të konstatojë, qoftë duke ecur në rrugë, të panjohur anonimë që parakalojnë sikur duan t’i bëjnë ‘karshillëk’, sfidë njëri-tjetrit, që në kumtin që tejçojnë në fytyrë. Dhunë shtypëse psikologjike, garë ‘pa lidhje’ ku asnjë nuk ka të mirë. “Në vend të kënaqësisë dhe sheshimit të dallimeve me butësi, ëmbëlsi, mirësi njerëzore, e për rrjedhojë duke dhënë më shumë kënaqësi”, thotë sociologu Zyhdi Dervishi. Nuk mungojnë këto, por edhe shumë ngrefosje, arrogance. ‘Krenaria shqiptare’ vallë do të thotë kryelartësi qesharake dhe kokëboshe? Vallë mençuri është kjo?!
Pamje joelegante
Specialistja e elegancës, Linda Kalemi, do të vërejë që kemi probleme të rënda si shoqëri në ecjen me hapa të mëdhenj, me lëvizje të shpeshta dhe të gjata duarsh në ecje. Gishta në hundë, ngërdheshje në fytyrë, qeshje me zë të lartë, dëftim me gisht i njerëzve, shikim me ngulm, duar nëpër xhepa kur bisedohet, trup që mbahet i kërrusur, burra me bark të dalë, duke e përjetuar këtë si diçka normale, pa ndjerë pikën e shëmtimit në vetvete.
Jo elegancë, jo vetëm në veprime, por edhe në veshje të papërshtatshme për jetën e përditshme, të parehatshme, që krijojnë një elegancë qesharake, nëse përdoren në mjedisin dhe kohën e gabuar.
Era e keqe trupore
Pavarësisht kushteve dhe varfërisë, shumë shqiptarë edhe në zonat rurale jetojnë në vila shumëkatëshe dhe prapë në trupin e tyre kanë disharmoni me shtëpinë, me sa duket më e rëndësishme. Që nga era e keqe e gojës. Sidomos kujdes i pamjaftueshëm ndaj mirëmbajtjes së gojës. Dhe kjo vërtetohet kur sheh buzëqeshje që zverdhojnë, sa nga duhani e sa nga moslarja. Varfëri materiale, varfëri kulturore apo të dyja bashkë? Sa kushton një pastë dhëmbësh? Apo larja me kripë nëse mungon pasta? Era e djersës gjithashtu, sa e ka koston materiale dhe kulturore?
Jo pak mbi pesëdhjetëvjeçarë shqiptarë, të cilët kanë probleme me tensionin, nuk përdorin medikamentet shpesh pa efekt, por hudhër. Pa konceptuar si problem erën e tmerrshme të gojës prej saj. Kjo bëhet e tmerrshme sidomos në kontakte të afërta në ambiente publike, siç janë autobusët, zyrat publike etj.
‘Do të doja mos e përdorja makinën, por vetëm prej erës së keqe të gojëve, djersës, ngjeshjes në urbanë, s’kam ç’ bëj”, ankohen rëndom qytetarë të ndryshëm të Tiranës.
Me zë të lartë
‘Zhurmë, shumë zhurmë, sa zhurmë!’. Lajmotivi i një qyteti si Tirana, që zhurmë prodhon me shumicë. E nuk ka nevojë të përmenden fare numra të stërthënë decibelësh, që na mbingarkojnë çdo ditë në caqe të papërballueshme të sistemit nervor. Ndihemi të superlodhur dhe shpërqendruar. Ata që mësohen përgjigjen se ‘vështirë të ç’mësohemi, kështu e kemi zërin”. Një zë qe nuk ua kanë edukuar që në mosha fëminore, sepse ashtu ka folur edhe gjyshja, edhe babai dhe nëna e me radhë. Siç nuk konceptojmë zërin, ashtu nuk konceptojmë edhe boriet, të cilave iu mëshojnë fort. Po ashtu dhe në raste komunikimi me zë të lartë nga një cep i zyrës në tjetrin, nga një cep i shtëpisë në tjetrin, nga ulërimat nëpër korridore pallatesh, muzika e lartë nëpër bare sikurse të jenë pube, e pubet sikur të jenë mitingje në natyrë. E në vend të të qetësojnë, të mbingarkojnë me padobi që në mëngjes. Dil jashtë, futu brenda, hap një derë, mbyll një derë, sulm dhe vetëm sulm zhurmash. Dhe pastaj janë 4500 shqiptarë të sëmurë në vit me kancer, vetëvrasje e të tjerë e të tjerë. Që zanafillën e kanë edhe tek këto grimca, që në pamje të parë duken të parëndësishme. A ka shpëtim?
Nxirja e vijave të bardha
Vijat e bardha janë sikur të mos jenë të bardha, por gri si asfalti, të padukshme, inekzistente. Nuk respektohen as ato. Nëse në qytete të zhvilluara të BE-së, shoferët metra larg vijave të bardha uniformë ulin shpejtësinë, tek ne harroje! Duhet të jemi vigjilentë në kulm që të mos na shtypin! Jemi të kërcënuar pothuajse nga të gjitha autoveturat. Epidemia e shpejtësisë skëterrë që përdoret brenda një qyteti si Tirana, sikur të ishin rrugët e saj të zakonshme autostradë, është përhapur tek të gjithë. Këmbësorët shajnë nëpër dhëmbë, por edhe shoferët dikur ishin këmbësorë. Po të ishin në vendin e tyre një pjesë e mirë xhanëm atë do të bënin! Në këtë shoqëri bëjnë pjesë.
Ja dhe një kalimtar i moshuar, që fillimisht ka frikë të kalojë vijat e bardha, por dhe kur merr guximin, shihni se si në qendër të tyre i avitet turiri i makinës m’u tek këmbët.
Pështymën përtokë
Pështymë edhe gëlbazë bashkë. E se mos vetëm në periferi! Shkoni shihni edhe tek rruga e bllokut të ambasadave, se dhe atje trotuaret plot do t’i gjeni. Edhe tek ish-Blloku, rruga ‘Myslym Shyri’, rruga e Durrësit e me radhë. T’ia fusësh pështymës përtokë kur ajo të vjen, është mëse normale në Tiranë. S’përbën kurrëfarë turpi për shumëkënd. Ca edhe mjedisi i ndotur stimulon të pështysh shpesh. Por edukata morale në fillore se ‘kur kemi nevojë të pështyjmë duhet ta bëjmë në shami” …keni parë ndonjë të tillë rrugës??
Shpejtësi makinash, ngadalësi këmbësh
Makinat brenda qytetit ecin me shpejtësi sikur të jenë jashtë tij. Sikur përpara të mos kenë këmbësorë. Shpejtësia është aq e madhe, saqë edhe kur iu duhet të frenojnë afër semaforit, të kallin tmerrin se po të hidhen përsipër e po të ‘hekurosin’ për në tjetër botë. Pale në raste të tjera!! Përkundrejt këmbësorëve, të cilët në Tiranë të gjitha punët i bëjnë duke ecur dalëngadalë. Çfarë ndryshimi me metropolet e zhvilluara të botës, ku njerëzit gati vrapojnë! Tek ne vrapojnë makinat.
Semaforë ‘të pabindur’
Për të qarë e qeshur bashkë është edhe respektimi i semaforit. Si nga kalimtarët, si nga shoferët, të dy të karakterizuar shpesh nga padurimi. Edhe pse ka edhe respektim të ngjyrave të tyre, ka jo pak raste kur edhe shkelet rregulli. Si në këtë foto tek rruga ‘Sami Frashëri’. Një tjetër shpërthim anormal në kryqëzim janë edhe boriet, kur semafori nuk hapet, dhe shoferët shqiptarë ua shfryjnë atyre nervat, pse nuk hapen atëherë kur duan ata. Me borie të zgjatura dhe arrogante edhe ndaj makinave pararendëse në rresht, edhe kur thjesht po presin radhën. A ka ndonjë që koncepton në këtë rast dhunën akustike? Se mos është si jashtë, që ke frikë se ha gjobën po e bëre!