Le të fillojmë me të parën
Sipas legjendës, Leofrik, konti anglosakson i Mercia, vendosi të rëndonte me taksa të rënda nënshtetasit e tij. Si rrjedhojë bashkëshortja e tij, Leidi Godiva, protestoi, duke kalëruar lakuriq nëpër rrugët e Convetry, pasi fillimisht ishte deklaruar që të gjithë banorët të qëndronin brenda shtëpisë të tyre. Vetëm flokët e saj të gjata arrinin që të mbulonin një pjesë të lakuriqësisë së saj. Legjenda e “Tom-it kurioz” tregon se një qytetar, një rrobaqepës i quajtur Tom, guxoi që të shikonte kalërimin e kësaj gruaje fisnike. Leidi Godiva është një figurë e vërtetë historike. Emri i saj shfaqet së bashku me bashkëshortin në dokumentet e asaj kohe, që përfshinin edhe oferta të shumta ndaj manastireve.
Kjo tregon që ajo ishte një grua bujare. Por historia e kalërimit të saj nuk shfaqet në asnjë dokument apo regjistrim të shkruar të paktën deri në 200 vjet pasi kjo ngjarje mund të kishte ndodhur. Rrëfimi më i vjetër është ai i Roxher Uendover në “Flores Historiarum”. Roxher aludon se kjo ngjarje mund të ketë ndodhur në vitin 1057. Një kronikë e shekullit të 12 përmend si Leofrik dhe Godivën, por asgjë nga kjo ngjarje e paharrueshme. Legjenda cilësohet nga shumica e studiuesve seriozë si jo e bazuar në një kalërim që me të vërtetë mund të ketë ndodhur. Për të përforcuar edhe më tepër këtë përfundim, Coventry u ndërtua vetëm në vitin 1043, kështu mendohet që deri në vitin 1057 ky vend nuk është zgjeruar aq shumë që kalërimi i kësaj gruaje të kërkonte kaq masa drastike nga ana e popullatës së kësaj zone. Historia e “Tom-it kurioz” nuk shfaqet në versionin historik të Roxher të Uendoverit. Ajo shfaqet fillimisht në shekullin e 17, pas një hapësire kohore prej 600 vitesh.
A ishte Kleopatra me ngjyrë?
Që Kleopatra ishte një mbretëreshë afrikane, kjo dihet nga të gjithë. Egjipti gjendet në Afrikë, por a ishte kjo mbretëreshë me ngjyrë?
Kleopatra VII ishte zakonisht e njohur thjesht si Kleopatra, edhe pse ajo ishte mbretëresha e shtatë që e mbante këtë emër. Ajo ishte edhe e fundit nga dinastia e Ptolemeut që të udhëhiqte Egjiptin. Kleopatra në ngjashmëri edhe me udhëheqësit e tjerë të kësaj dinastie në fillim u martua me një nga vëllezërit e saj dhe pas largimit të tij nga jeta, u martua me vëllain tjetër. Kur bashkëshorti i saj i tretë Jul Cezari e mori me vete Kleopatrën në Romë, ajo shokoi popullatën e këtij qyteti. Lind pyetja: A ishte ngjyra e lëkurës së saj fajtore për këtë? Nuk gjendet asnjë regjistrim historik në lidhje me këtë çështje. Nga ky boshllëk informacioni që gjendet, shumë studiues japin përfundimin që Kleopatra nuk ishte me ngjyrë ose më saktë zezake, ndërsa të tjerët pohojnë që kjo gjë mund të ketë qenë e vërtetë, pavarësisht se nuk janë plotësisht të bindur për këtë.
Shekspiri përdor fjalën “ezmere” për Kleopatrën, edhe pse ai nuk ishte dëshmitar okular i periudhës kur mbretëresha egjiptiane ka jetuar. Në disa vepra artistike të Rilindjes, ajo paraqitet me lëkurë të errët ose si “zezake” për terminologjinë e asaj kohe. Por këta artistë njëlloj si Shekspiri nuk ishin dëshmitarë okularë. Dhe interpretimi i tyre artistik mund të jetë bazuar në përpjekjet për të paraqitur veçantësinë e Kleopatrës ose më saktë konceptet e tyre mbi Afrikën dhe Egjiptin. Në portretizimet moderne kinematografike, në të kundërt nga paraqitjet e Rilindjes, ajo është portretizuar nga aktore të bardha si Vivien Leigh, Claudette Colbert dhe Elizabeth Taylor. Por skenaristët e këtyre filmave nuk ishin dëshmitarë okularë gjithashtu.
Dinastia e Ptolomeut e kishte prejardhjen nga greko-maqedonasi Ptolome Soter. Ai e vendosi veten sundues të Egjiptit pas pushtimit të këtij vendi nga Aleksandri i Madh në vitin 305 para lindjes së Krishtit. Shumë nga martesat e tyre u cilësuan si incest, ku vëllezërit martoheshin me motrat e tyre. Por jo të gjithë fëmijët e lindur në gjirin e tyre nuk kanë pasur si nënën ose babain e tyre, anëtarë të familjes Ptolome. Shumë studiues besojnë se një nga gjyshet e Kleopatrës ishte konkubinë.
Prejardhja e kësaj gruaje mund të ketë qenë si nga Aleksandria ose Nubiane. Ajo mund të ketë qenë egjiptiane, por nga ana tjetër mund të ketë pasur një trashëgimi që ne mund ta quajmë “zezake”. E ëma e Kleopatrës zakonisht identifikohet me hallën e saj, Kleopatra V, të bijën e Ptolomeut IX. E ëma e saj biologjike asnjëherë nuk është identifikuar. Kleopatra V nuk ishte vajza e një bashkëshorteje mbretërore. Por ne nuk e dimë nëse e ëma biologjike e Kleopatrës është e afërme e dinastisë Ptolome ose një konkubinë me prejardhje egjiptiane, afrikane semitike ose me prejardhje afrikane me lëkurë të zezë. Megjithatë, një gjë është e sigurt që termi “racë” në botën antike perceptohej ndryshe nga botëkuptimi i sotshëm.
Ajo përkufizohej në bazë të vendit të lindjes dhe trashëgimisë kombëtare dhe madje edhe në bazë të gjuhës së folur ndryshe nga si e konceptojmë ne sot. Kleopatra ishte gjithashtu edhe sunduesja e parë brenda familjes së saj që të fliste gjuhën vendase egjiptiane në vend të greqishtes së zakonshme të Ptolomenjve. Kjo do të shpjegonte më tepër tezën e një prejardhjeje egjiptiane sesa afrikane të zezë. Ajo mund ta ketë mësuar këtë gjuhë për arsye politike ose nga ekspozimi ndaj kësaj gjuhe, gjithashtu falë edhe një aftësie të lindur për ta mësuar atë. Megjithatë pas 300 vjetësh sundimi, linja e Ptolomenjve që nuk lejonte martesa jashtë familjes së tyre, nuk arriti dot të mbante “pastërtinë” e familjes së tyre, duke qenë se është i sigurt fakti se nënat e së ëmës dhe babait biologjik të Kleopatrës nuk kishin prejardhje greko-maqedonase.
Përfundimi është se Kleopatra nuk rridhte nga një linjë e pastër greko-maqedonase. Megjithatë studiuesit nuk mund të japin një përgjigje se prejardhja e saj përfshinte një trashëgimi afrikane të zezë dhe se ngjyra e lëkurës së saj ishte shumë e errët.
Papa Joana: Një tjetër mit i historisë së grave
Diku rreth shekullit të 13, një histori u publikua rreth një Pape të veçantë që rezultoi të ishte një grua. Gjatë Reformacionit, kjo histori qarkulloi gjerësisht midis Protestantëve. Një arsye më shumë për ta gjetur papatin të gabueshëm, madje edhe qesharak. Çfarë arsye më tepër për ta akuzuar Papatin për të qenë aq i gabueshëm, saqë kishte dështuar që të zbulonte se një nga papët e tij ishte një grua! Në pjesën më të madhe të historive, Papa “zbulohet” se është grua kur përballë turmës, atë e zënë dhimbjet e lindjes dhe nga ku lind një fëmijë. Çfarë prove e fuqishme se ajo është grua. Populli i thjeshtë iu përgjigj siç duhej këtij veprimi të paturpshëm nga ana e një gruaje.
Ata e tërheqin atë përmes qytetit dhe atëherë për t’i përforcuar këto masa ndëshkuese, e godasin me gurë derisa ajo humbet jetën. Argumenti kryesor kundër këtyre legjendave? Nuk gjendet asnjë regjistrim historik i këtyre “Papeshave” dhe që një ngjarje e tillë të ketë ndodhur. Për më tepër që nuk ekzistojnë hapësira të tilla gjatë regjistrimeve historike që të mos dokumentojnë faktin që një Papë femër të jetë përzgjedhur. Gjendet madje edhe një teori rreth një rruge në Romë të quajtur “Vicus Papissa”. Emri i kësaj rruge është marrë nga një grua anëtare e familjes së Papës dhe kjo përforcoi edhe më tepër historinë e kortezhit të një Pape femër në atë rrugë të ndërprerë nga lindja e saj publike e papritur dhe e shpejtë. Në të dyja rastet e përdorura është e sigurt se kjo histori nuk do të ishte një mënyrë për të promovuar modele rolesh pozitive ndaj grave.
Edhe pse asgjë nuk është dokumentuar në lidhje me këtë ngjarje, nga të gjitha supozimet dhe hamendësimet e bëra në lidhje me të, më e rëndësishmja është ajo e Biancho-Giovini. Kjo tezë provon qartë se karrigia papale në të vërtetë ishte zotëruar nga një grua. Papa Gjoni X, i përzgjedhur në vitin 914, ia detyroi gjithë lartësimin në detyrë dashnores së tij Teodora. Talentet, bukuria dhe intrigat e së cilës e kishin kthyer atë në zonjën drejtuese të Romës në fillimin e shekullit X. Në një periudhë më të mëvonshme, vajza e Teodorës, Mariozia, pati të njëjtin ndikim mbi Papën Sergius III.
Ajo bëri të mundur që djali i lindur nga ky papë të zinte fronin papnor me titullin e Gjonit XI. Më vonë Gjoni XII ishte tërësisht i udhëhequr nga një nga konkubinat e tij, Raineria, saqë ai i dorëzoi asaj pothuajse gjithë administrimin e Selisë së Shenjtë. Ndoshta këto histori pushteti të grave mbi këtë seli frymëzuan origjinën e tregimit të Papës Joana.