Dita e CR7 ja rekordet qe mund te thyeje ne Europian

Dita e CR7, ja rekordet që mund të thyejë në Europian

Rekordet janë kthyer në një "fiksim" për Kristiano Ronaldon, i cili përballë Islandës do të ketë shansin që të thyejë gjashtë të tillë. "Asi" i Realit të Madridit do të ketë shansin që të shkruajë emrin e tij me germa të arta edhe në kompeticionin më të rëndë- sishëm të kontinentit tonë.

ronaldo_salute-xlarge_trans++qVzuuqpFlyLIwiB6NTmJwfSVWeZ_vEN7c6bHu2jJnT8

Rekordet

Për të vërtetuar se është një goleador i lindur, atij i duhen të paktën edhe katër gola për t'u kthyer në golashënuesin e këtij eventi. Deri më tani ka realizuar 6 herë (aq sa edhe Ibra), më mirë se ai kanë bërë Alan Shirer (7) dhe Mishel Platini (9). 31-vjeçari do të marrë pjesë për herë të katërt në Europian, pasi më parë ka luajtur në ata të 2004-s, 2008-s dhe 2012-s. Në këtë aspekt ai do të barazonte Lotar Mateusin (1980, 1984, 1988, 2000), Peter Shmaikellin (1988, 1992, 1996, 2000), holandezët Aron Vinter (1988, 1992, 1996, 2000) dhe Edvin Van der Sar (1996, 2000, 2004, 2008), Lilian Turam (1996, 2000, 2004, 2008) dhe Alesandro Del Pieron (1996, 2000, 2004, 2008).

Për të bërë historinë, Ronaldos do t'i mjaftojë edhe një gol. Nëse e realizon në këtë edicion një të tillë, ai do të jetë lojtari i parë që shënon gol në katër Europianë të ndryshëm. Për momentin ka shënuar në tre, ashtu si Nunjo Gomes (2000, 2004, 2008) dhe Helder Postiga (2004, 2008, 2012). E njëjta arritje u ka dalë edhe Tierri Henrisë (2000, 2004, 2008), Jyrgen Klinsmanit (1988, 1992, 1996) dhe Vladimir Smicerit (1996, 2000, 2004).

Katër vite më parë, ai u shpall golashënuesi më i mirë i edicionit falë tre golave të realizuar (në të njëjtën kuotë golash të shënuar u ndalën edhe Fernando Torres, Alan Dzagoev, Mario Manxukiç, Mario Gomez dhe Mario Baloteli). Nëse këtë sezon ai do të fitonte përsëri të njëjtin çmim, atëherë do të bëhej lojtari i parë që do të fitonte "Këpucën e artë" të Europianit dy herë radhazi.

Rekordi i fundit që mund të thyejë në këtë Europian është ai që ka të bëjë me numrin prezencave në këtë event. Nëse luan sot, regjistron 14 paraqitje, dy më pak se Lilian Turam dhe Edvin Van der Sar. Kështu, duke përjashtuar dëmtimet që mund t'i privojnë formacionin bazë, ai në fazën e grupeve do të jetë i aftë që të thyejë rekordin e radhës...



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama