“20 prilli të caktohet si dita e Shqipërisë së pastër, ku të dalim sëbashku dhe të pastrojmë qytetin, fshatin, rrugët. Të prekim me dorë mjedisin. Ministria e Mjedisit duhet të marrë të gjitha masat të përcaktojë të gjitha zonat, hartën e ndërhyrjeve dhe administrata shkollat, institucionet, komunitet në mbarë vendin do të angazhohen në këtë ditë për mjedisin” , tha Berisha në mbledhje.
Në fakt, shoqëria civile kishte paralajmëruar një aksion për pastrimin vullnetar të territorit më datë 9 maj, por “zgjimi i papritur” i qeverisë e detyroi ta shtynte për në datën 29 shtator, pas përfundimit të sezonit turistik. Përmes një deklarate për mediat, lëvizja “Ta pastrojmë Shqipërinë në një ditë”, nisma shqiptare në të cilën janë përfshirë mbi 10 mijë vullnetarë, njoftoi shtyrjen e aksionit, duke shprehur kënaqësinë për vënien në lëvizje të sistemit qeverisës në Shqipëri.