Në kryeqytetin e vendit, ndotja atmosferike në tremujorin e fundit ka qenë 25 për qind më e ulët krahasuar me shtatë vjetët e fundit. Shkencëtari Chak Cahn i "Hong Kong Univerity of Technology" nuk ka dyshime: "E gjithë kjo ka ndodhur falë recesionit ekonomik". Për ekologjistët dhe dashamirësit e natyrës, kura më e mirë për ambientin është ndalimi i zhvillimit.
Shenja të tilla po vihen re në të gjitha anët e planetit. Në Amerikë, nga Nju Jorku në San Francisko, banorët, të detyruar të kursejnë, i kanë kthyer thuajse të gjithë sytë ndaj mjeteve të transportit publik, metrove dhe trenave që ndotin më pak ambientin. Në vend, kompanitë ajrore kanë prishur kontratat e blerjes me "Airbus" dhe "Beoing".
Edhe avionët kompanitë po mundohen ti prodhojnë që të ndotin më pak. Në Suedi, aeroporti është projektuar në mënyrë të tillë që avionët, gjatë uljes dhe ngritjes, të ndotin sa më pak ambientin. Qindra anije transportuese mallrash në Hong Kong, Yokohama, Seul dhe Singapor kanë ndalur punën për shkak të rënies së tregtisë botërore.
Për këtë arsye ndotja nga transporti detar është ulur ndjeshëm. Në Evropë, 150 qytete kanë aderuar në lëvizjen "Transition ton", që aplikojnë një strategji të vazhdueshme për reduktimin e konsumit energjetik. Laboratori më i madh për të matur "impaktin e gjelbër" të krizës është Republika Popullore e Kinës, që dy vjet më parë kaloi SHBA për vëllimin e CO2 të lëshuar në atmosferë.
Jo vetëm në Pekin, por në të gjithë Kinën, efekti pozitiv i recesionit është i pamohueshëm. Në provincën Guang Dong në veri të Kinës u mbyllën më shumë se 62400 ndërmarrje brenda tre muajsh, duke reduktuar ndjeshëm ndotjen e ajrit. Për më tepër, kriza financiare që ka prekur shoqëritë imobiliare të vendit, ka bllokuar hapjen e kantiereve të reja për të ndërtuar grataçiela në Shangai.
Konsumi i elektricitetit (të prodhuar nga centrale me karbon) është në rënie për herë të parë prej shumë dhjetëvjeçarësh. Të gjitha shkaqet e ndotjes për momentin kanë dalë në "pension". Në anën tjtër të Paqësorit grumbullohen në sheshet e Detroitit makinat gjigante që ndotin ambientin, të pashitura dhe të braktisura nga konsumatorët.
Në vend, është shndërruar në simbol kombëtar familja Wojtowicz në Alma, Miçigan. Bashkëshorti, Patrik, një ish-shofer kampioni, 36 vjeç, gruaja Melisa, 37 vjeçe, dhe vajza 15-vjeçare Gabriela janë zgjedhur nga gazeta "Usa Today" si paralajmëruesit e një tendence të re: "Kursimtarët e shekullit XXI". Wojtowicz i kanë rikthyer bankave të gjitha kartat e kreditit.
Kanë hequr dorë nga abonimi kabllor në televizion dhe kanë shitur në tregun e gjërave të përdorura pajise të tepërta elektronike. Ata kanë shkuar të jetojnë në një fermë me derra dhe pula, për të rritur kafshë dhe një fushë prej 6 hektarësh për të kultivuar fruta dhe perime. Objektivi i tyre ekonomik është vetëmjaftueshmëria dhe sigurisht një stil jetese i qëndrueshëm. Reagimet e lexuesve të "Usa Today" janë entuziaste.
Reduktimi i konsumit të bërë nga familjet amerikane për shkak të krizës përcaktohet si një etikë e re, një tendencë që mund të kthehet në zakon. Njerëzit kanë nisur të ndryshojnë dukshëm zakonet e përditshme që ushtronin një forcë të tmerrshme mbi ekosistemin. Virtytet e vetme të krizës ekonomike duken se janë konfirmuar. Në të vërtetë, edhe në të kaluarën, kishte pasur raste të ngjashme me këtë. Shkencëtari Kenneth Arhn, i Universitetit të Rhode Irleand, kujton se kur u shpërbë Bashkimi Sovjetik dhe gjithë Evropa Lindore u fut në një krizë ekonomike, nivelet e smogut sipër rrethit polar u zvogëluan me rreth 50 për qind.
Mbyllja e shumë fabrikave në Rusi dhe vendeve përreth saj kishte shkaktuar të njëjtat efekte që janë të dukshme tani pas 20 vjetësh në Kinë. "Një reduktim i aktivitetit ekonomike, në mënyrë automatike ul nivelet e ndotjes", thotë Rahn. Po për ambientin, a do të jetë i gjatë ky progres? Rasti i krizës së bllokut ish-sovjetik nuk është inkurajues.
Kur ulja e smogut është vetëm si pasojë e varfërisë, efektet e saj pozitive janë të përkohshme. Recesionet janë ndonjëherë antiproduktive nëse ngadalësojnë investimet e teknologjive të "gjelbra". Për shembull industria kineze e paneleve diellore po perëndon si pasojë e rënies së eksporteve. "Theolia", kolosi francez i energjisë alternative, ka ndaluar projektin për të krijuar një filial të ri kushtuar vendeve në zhvillim. Manjati amerikan T. Boone Pickens, që kishte në ndërtim centralin më të madh në botë me erë, ka hequr dorë nga projekti.
Një tjetër shoqëri e specializuar në energjinë e prodhuar nga shtyllat me erë, britanikja "Centrica", ka bllokuar tri planet e krijimit të centraleve të reja me erë, për shkak të rikthimit të papritur të konkurrentëve si nafta apo karboni në treg, një handikap më shumë për burimet e rinovueshme që shpesh kërkojnë financime afatgjata. Kriza bankare e ka bërë më të vështirë mbledhjen e fondeve për projektet dhjetëvjeçare.
Një tregues i problemeve të ardhshme është mënyra se si do të veprojnë kompanitë e naftës. Gjatë çmendjes së çmimeve të naftës ishte vënë re një prirje për alternativën e "gjelbër". Tani që çmimi i naftës ka rënë në më pak se 50 për qind për fuçi, gjiganti "Shell" i ka pezulluar aktivitetet në energjinë diellore dhe atë me erë. Megjithatë mbetet edhe shpresa se sjelljet e kompanive të mëdha do të ndryshojnë kur të vihen në zbatim planet e administratës "Obama". Mendohet se 150 miliardë dollarë nga bilanci shtetëror do t‘i shtyjnë bizneset drejt burimeve të rinovueshme. Vetë recesioni nuk mund t‘ia dalë dot mbanë.
Gazeta Shqip