Dita e gjykimit/ Sot merret vendimi per Skenderbeun ne KAS

Dita e gjykimit/ Sot merret vendimi për Skënderbeun në KAS

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (KAS), me qendër në Lozanë, ka publikuar datën në të cilën do të mblidhet për të gjykuar ankimimin e Skënderbeut, në lidhje me vendimin e dhënë nga UEFA më datën 1 qershor.

SKENDERBEU KAMPION I SHQIPERISE - /r/n/r/nSKENDERBEU CHAMPION OF ALBANIA -

Përmes një lajmërimi në faqen e saj zyrtare, KAS ka bërë të ditur se gjykatësit e saj do të mblidhen sot (më datën 4 korrik), për të vlerësuar dosjen e Skënderbeut.

Mbrojtja e korçarëve pretendon se klubi është i pafajshëm dhe nuk ka lidhje me akuzat e bëra nga UEFA, pasi ka pasur dyshime për fiksim të rezultateve të ndeshjeve.

Sipas drejtuesve të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, KAS, Skënderbeu ka paraqitur më datën 21 qershor ankimimin kundër vendimit të Apelit të UEFA-s, që e pezulloi klubin bardhekuq me një vit mospjesëmarrje në Europë, duke hyrë në fuqi në sezonin 2016-2017.

UEFA asokohe e quajti klubin Skënderbeu të papërshtatshëm për të marrë pjesë në kompeticionet europiane për sezonin 2016-2017 për dyshimet e lartpërmendura.

KAS bën me dije se përmes një ankimimi Skënderbeu ka kërkuar nga kjo gjykatë që të hedhë poshtë vendimin e Apelit të UEFA-s duke deklaruar se është i pafajshëm nga këto akuza dhe ka të drejtën e plotë për të marrë pjesë në UEFA Champions League për sezonin 2016-2017.

Pas një ankese në KAS, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv ka bërë me dije se palët kanë rënë dakord për mos ekzekutimin e vendimit të Apelit të UEFA-s, në momentin kur Arbitrazhi në KAS ka marrë përsipër që të gjykojë çështjen brenda një afati të shkurtër kohor, jo më vonë se 6 korrik.

Gjithashtu, KAS vijon në njoftimin e vet se do të nisë një gjykim procedurial të përshpejtuar për të dalë në një vendim përfundimtar në lidhje me këtë çështje.

Pasi ka bërë këtë lajmërim, KAS, përmes faqes së saj zyrtare, ka deklaruar se gjykimi i çështjes do të bëhet më herët nga sa pritej.

Pas shqyrtimit të mbrojtjes që do të bëjë studioja ligjore e pajtuar nga Skënderbeu, pritet që vendimi i KAS të bëhet i ditur brenda datës 6 korrik, por nuk përjashtohet që një gjë e tillë të bëhet edhe më shpejt, ndoshta edhe më 4 ose 5 korrik.

Mbrojtja e korçarëve Nga ana e vet, klubi kampion i Shqipërisë ka përgatitur të gjitha procedurat dhe faktet e përmbledhura në një dosje, me të cilën pritet të paraqitet nesër në Lozanë.

Drejtuesit korçarë e kanë lënë gjithçka në dorën e tre avokatëve italianë, ndër më të mirët në qarkullim, që janë Antonio Konte (veç të tjerash edhe këshilluesi ligjor i Romës dhe avokati personal i Françesko Totit), Kamilo Mineo dhe asistenti i tyre, Gabriele Zuketi.

Kjo treshe italiane është duke punuar prej javësh në përgatitjen e dokumentacionit përkatës, me faktet e bashkangjitura për të hedhur poshtë akuzat e UEFA-s.

Treshja e përfaqësuesve ligjorë, duke u mbështetur edhe në dokumentacionin që i ka vënë në dispozicion klubi Skënderbeu, ka shprehur bindjen e fitimit të kësaj çështjeje.

Një gjë të tillë ata ua kanë bërë me dije edhe drejtuesve të klubit korçar, se me shumë mundësi do të jenë fitues të së drejtës së tyre në KAS.

Përgjigjja pozitive nga KAS do t'i hapë përfundimisht Skënderbeut dritën jeshile për të marrë pjesë në Ligën e Kampioneve në këtë sezon, duke filluar që nga takimi i datës 13 korrik kundër Ferencvaroshit.

Llazi Saro



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama