Dita e pare e qeverise se re gardhe qe bien e perde qe mbyllen

Dita e pare e qeverise se re, gardhe qe bien e perde qe mbyllen

Tre nga katër vendimet e para të qeverisë së re mbetën mister ( i katërti ka të bëjë me ndryshimet në ambjente brenda gardhidhe jashtë) deri vonë në mbrëmje duke u dhënë hë për hë të drejtë opozitarëve që ankoheshin se ndërsa hiqej gardhi i shëmtuar me kangjella rreth kryeministrisë, një gardh virtual po pengonte marrjen e informacionit prej kryeministrisë. Faqja e re virtuale kryeministria.al ka vetëm 7 rrjeshta të shkurtër dhe asgjë më shumë rreth tre vendimeve që kanë qenë të parat e qeverisë së re. Nga tre, dy kryesocialisti dhe kryeministri i ri i kishte premtuar live në debatin e fundit para zgjedhorë në Opinionin e Blendi Fevziut, Kodi Etik Ministrorë nuk ishte përmendur më herët dhe doli në skenë vetëm pak javë më parë. Sidoqoftë ndryshimet kanë qenë të menjëhershme. Të parat që ranë në sy dhe që tashmë janë të qarta, ishin rregullimet e brendshme, një tavolinë e re për mbledhjet e qeverisë, një domain i ri si faqe zyrtare (ku janë ridrejtuar të gjitha klikimet që shkonin në faqen e vjetër km.gov.al) dhe më pas ato të jashtme heqja e gardhit…



Që dje në mëngjes herët ndërsa rastësisht kalonim në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, na ranë në sy kangjellat një pjesë e të cilave tashmë ishin rrëzuar. Simbolika është e qartë dhe për shumë pozitive edhe pse dukshëm edhe në këtë rast qeveria e re është ende në fushën e propagandës dhe larg hyrjes me themeli punëve të shtetit siç ka premtuar. Shembja e gardhit që u ngrit fillimisht si rrethim telash me gjemba në vitin 1998 dhe më pas u forcua me hekura pas protestave “Nano Ik”, ku u lëndua nga goditjet me gurë edhe ish-komandanti i gardës, u lexua si një hap i parë hapjeje e godinës ndaj qytetarëve. Socialistët duket se duan të thonë se njerëzit nuk do të kenë arsye për t’i sulmuar dhe se për këtë atyre nuk u duhet as gardhi as mbrojtja e me truproja. Deputeti Erjon Braçe theksonte faktin që Rama kishte udhëtuar pa truproja në Bruksel: “Si çdo shqiptar”, thotë ai, duke vënë dhe njëherë në dukje numrin jo të vogël të truprojave që shoqëronin Berishën.

Përtej kësaj gardhi është i lidhur fort me atë që ndodhi më 21 janar 2011, kur 4 protestues mbetën të vrarë pas protestës së dhunshme të organizuar nga opozita, kundër të cilës shumica përdori armët e zjarrit. Debati që u bë atëherë për ngjarjen u fokusua shumë nëse u kalua apo jo gardhi që ishte sipas shumicës së atëhershme arsye pse u qëllua në turmën që u akuzua për grusht shteti. Madje përtej akuzave të ashpra që shkëmbyen palët dhe deri aludimeve për armë të sofistikuara që u përdorën në demostratë, gardhi ishte pika kulmore e debatit. Ai “ndante” të drejtën për të demostruar lirisht dhe detyrimin për të mbrojtur institucionet. Edhe pse asnjë nga viktimat nuk kaloi kufirin, shkelja e tij prej disa protestuesve shihej si e mjaftueshme për të justifikuar përdorimin e armëve që u morën jetën katër protestuesve. Pas një procesi të gjatë ende askush nuk është dënuar për vrasjet apo protestën e dhunshme.  I identifikuar kështu vetiu si pika që s’duhej kapërcyer (jo njëherë u përdor edhe në kërcënime), heqja e tij dje duket se do tu tregojë shqiptarëve edhe se sa i parëndësishëm ishte justifikimi pas gardhit si kufi.



Por ndërsa qeveria ka bërë shumë optimistë me heqjen e gardhit, mjaft të tjerë nuk janë të lumtur me faktin që asnjë prej vendimeve të qeverisë nuk është zbardhur dhe as është i njohur për median. Përtej premtimeve që media do kishte akses në kohë reale në dokumentet qeveritare, tre vendimet e para që qeveria normalisht do duhet t’i çojë për miratim në kuvend mbeten të pazbardhura. Në faqen online që në një mënyrë “fshiu” të mëparshmen ndodhen vetëm pak rrjeshta të thatë.  “Sot, më datë 15 shtator 2013, Kryeministri Edi Rama drejtoi mbledhjen e parë të Këshillit të Ministrave, në të cilën u morën këto vendime: 1. Zëvendësimi i portretit të Presidentit të Republikës në ceremonialin zyrtar me portretin e themeluesit të shtetit modern shqiptar, Ismail Qemalit; 2. Miratimi i Kodit Etik Ministror; 3. Ndalimi i importit të plehrave në Republikën e Shqipërisë”.

Të treja vendimet u atakuan nga opozita. Kjo e fundit përtej kundërshtimeve që ka për të tre vendimet sheh në to shkelje të procedurave. Ish Ministri i Drejtësisë thotë se qeveria duhej të paktën të kishte marrë dy ditë kohë, të kishte nëj rend dite dhe në fund të shyrtonte dhe miratonte vendimet që mori. Të treja këto janë ndërkohë vendime që do duhet të kalojnë në parlament pasi kërkohet ndryshimi i i disa ligjeve. Ajo që ndërkohë shihet si një hap prapa për qeverinë e re është se askush nuk e di se çfarë nenesh në ligjet përkatëse do të ndryshohen dhe si ndryshohen ato? Më i qarti është ndoshta edhe më i debatuari dhe ka të bëjë me importin e mbetjeve dhe Rama duket se do i kërkojë parlamentit të abrogojë pikën që e lejon këtë e ndoshta edhe të rrëzojë dy VKM të qeverisë Berisha që lejonin importin e një sasie mbetjesh për riciklim drejt Shqipërisë.

 

Tjetrit që ka të bëjë me protokollin dhe foton e presidentit që është përdorur deri tani në institucione, kërkon ndryshimin e ligjit përkatës edhe pse për ish-kryeministrin Berisha, që akuzoi ashpër lëvizjen,  për të hequr këtë foto duhet ndryshuar kushtetuta neni 86, pika 1: “Presidenti i Republikës është kryetari i shtetit dhe përfaqëson unitetin e Popullit”. Veç këtyre vendimeve qeveria e re ende nuk ka sqaruar paratë me të cilat ka bërë ndryshimet në mobilimin e kryeministrisë, ndërsa pika më e mistershme ka të bëjë me Kodin e Etikës Ministrore. Veç aludimeve në media askush nuk e di cila është përmbajtja e këtij kodi dhe si do ndikojë ai në marrëdhëniet e qeverisë me shtetasit dhe mediat. Opozita e ka cilësuar si “kodin e heshtjes” duke aluduar për censurë dhe për sa kohë qeveria nuk zbardh vendimet dhe përmbajtjen e tyre ky dyshim mbetet më i sakti. Kështu përtej spektaklit dhe simbolikës së rrëzimit të gardhit, ka një tjetër të fshehtë pas perdeve, qeveria e re mbetet jotrasparente.

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama