Ditari i Dasares per gjyshin Sali Berisha dhe Edi Ramen

Ditari i Dasares per gjyshin Sali Berisha dhe Edi Ramen
Në 12 dhjetor ajo bën 17 vjeç. Por ka “votuar” që tani. Për kë? Po për kë tjetër përveçse për gjyshin e vet, Sali Berisha. Dasara Malltezi, vajza 17-vjeçare e Argita Berisha Malltezi, nuk kish se si të votonte për Edi Ramën, sepse atë thjesht e urren dhe këtë nuk ngurron ta shprehë publikisht. Dasara është një adoleshente e njohur, e lidhur me fushatën elektorale dhe look-un e ri të kryeministrit 69-vjeçar, Sali Berisha. Ajo është “admin”-i i faqes zyrtare të gjyshit të vet në Facebook, sepse është i vetmi kontakt zyrtar, që lidhet me faqen e tij. Por nuk mjaftohet me kaq. Në profilin e saj në Facebook, ku në shumicën e rasteve shfaqet me gjuhën jashtë, ajo bën tifo politike për gjyshin kryeministër dhe sulmon kreun e opozitës, Edi Rama. Frymëzohet nga “kërcënimet” që Edi Rama i kishte bërë drejtoreshës së gjimnazit “Ismail Qemali”, Vojsava Thanasi, e cila publikoi në një gazetë afër qeverisë, dy mesazhe që Rama i kishte dërguar, pasi i kishte mbyllur telefonin, duke e paralajmëruar që të mos përdorte nxënësit në aktivitetet e PD-së.

Gjimnazi në fjalë është shkolla ku Dasara kaloi katër vite dhe tani po jep provimet e maturës. Në 26 maj, nga vila buzë detit Adriatik në Gjirin e Lalzit, ajo shkruan: “Ç’janëë këëta skizofrenë që dobësitë e tyre i shprehin te femrat... Uhhhhh harrova ai ka rraf t’gjith grat e veta që ka pas, deputetet e partisë, konsideron infermieret imorale dhe mesueset dele. Ky është ai që ne duam të drejtoj Shqipërinë?! Një shoqe në profil i jep mbështetje: Imagjino kur kapet dhe me drejtoreshën tonë ai që s’ka njeri që s'e do dhe s'e respekton atë zysh, ca mund të bëjë me robt e tjerë. Një tjetër e etiketon: “Skizofrena!”, ndërsa Dasara përgjigjet: Mental disease, që do të thotë: sëmundje mendore. Vijojnë më tej komentet fyese dhe përçmuese për kreun e opozitës.

Katër ditë më vonë, Dasara gjen sërish rastin për të sulmuar Edi Ramën dhe për të ngritur në qiell gjyshin Sali. Në 30 maj shpërndan online, videon nga faqja “Hajgare Pa Kufi”, duke shkruar: “Ju që thoni që besojmë në Zot shifeni këtë video për atë që ndërpret fjalimin që të mbaroj hoxha dhe shikoni këtë foton”. Në foto jepet një sekuencë nga takimi i kryeministrit Berisha me gazetarët në Shkodër dhe pushimi që ai bën, sepse fjala e tij mbytet nga zëri i hoxhës në altoparlantin e xhamisë së madhe, që është shumë afër. Më poshtë shton komentin: “Kë do donit juve të drejtonte Shqipërinë? Atë që sillet si një i huaj i papërgjegjshëm me fenë, apo atë që në një axhendë tepër të ngjeshur ndalon fjalimin për të respektuar fenë? Logjikoni ç'mesazhesh përcillen”. Miqtë virtualë vijojnë me superlativa për kryeministrin dhe sharje odinere për liderin e opozitës.

Dasara i falenderon gjermanisht: Danke. Dikush i thotë se “Injoranca i ka verbu njerëzit..” dhe ajo përgjigjet: Fatkeqësisht...Shokët virtualë vijojnë të shajnë Ramën, duke e cilësuar “plehra Mavi”, se “lideri i krahut të majtë shkel qilimet ku falen besimtarët” dhe Dasara përgjigjet: Çdo gomarllik i atij na shton pikë. Bashkëbisedimi online vijon edhe ditën tjetër dhe Dasara thotë në orën 12.07: Sot pyeti njërën në Voskopojë më duket se ishte. I tha e martuar je” dhe ndërsa një shoqe i thotë se Rama tani do të fillojë të premtojë edhe martesa, mbesa e gjyshit përgjigjet: “Hahahahahhahahahhahahaha u mekaaaaa”. Më 10 qershor, përmes celularit, mbesa shfaq hapur antipatinë për “gratë” që nxjerr Edi Rama në foltoren e selisë rozë. Shkruan: “Kjo Milena Harito të ofendon vetëm me atë pamje që ka. Mirë shëmtirë, po edhe idiote. Ik moj se çudi si nuk t’kanë fut të kopshti zoologjik, na bone me vjell”. Tifoja politike për partinë e gjyshit të vet, ngërthehet me shprehjet naziste që ndalohen në vendet gjermanishtfolëse. Në një takim të PD-së, ku në ekran shfaqet një flamur i Republikës Federale Gjermane, Dasara shkruan në 25 prill 2013, shprehjen e ndaluar, që ishte motoja e rregjimit hitlerian: “Deutschland Über Alles!” (Gjermania mbi të gjithë), sepse konsiderohej si parrulla e spastrimit etnik gjatë luftës së dytë botërore dhe e supermacisë së racës ariane.

Dasara, një maturante afër notës 10

 Shëtitjet e gjata dhe mungesat e vazhdueshme në shkollë, duket se nuk e pengojnë që të jetë një nxënëse e mirë. Thotë se është maturante e shkëlqyer, me një notë që shumëkush do ta kishte zili. Por e pranon edhe vetë se nuk e ka patur shumë qejf studimin. Në një status të datës 4 qershor ajo shkruan: “Mbas 3 vitesh në Ismail, viti i tretë rastisi me 100 vjetorin e pavarësisëe dhe 50 vjetorin e shkollës. Për të shmangur disa orë mësimi mendova të meresha me fotografimin dhe më pas editimin e fotove për librin e shkollës. Me kohën që une i kushtoja këtij projekti me shtohej gjithmonë e më shumë pasioni me të cilin e bëja dhe nuk mendova më për mësimin thjesht për librin. Është libri i shkollës time, libri i një prej shkollave më të mira të Shqipërisë, dhe jam e nderuar të them se kam punuar për atë libër dhe emri im është aty”.

Dy ditë më parë, në provimin e matematikës shkon një orë para orarit të hapjes së sallës për testin. Dhe tregon edhe notën që ka marrë për testin e letërsisë pak kohë më parë: “9.55 jam 100% e sigë q te eseja dhe gabime shpejtësie drejtshkrimi”. Por duket se nuk ka shumë dëshirë për letërsinë dhe në atë pikë bashkohet me gjyshin, që e la shkrimin e poezive, siç tregon vetë për fëmijërinë në Viçidol. Ndërsa përgatitej për letërsinë, maturantja, nuk përton të shprehë pakënaqësinë për veprën e Anton Pashkut “Drama Moderne”. Më 20 maj ajo shkruan: “Ec e merr vesh ç’ka dashur të thotë autori në këto dy faqe të para... Autori ka dashur të tregoj se edhe ai di të bëhet tapë dhe të shkruaj budallëqe. Ora po shkon 1 dhe unë vazhdoj tu msu Dramat e Andon Pashkut.…. njeri skizofren që ka shkrujt gjëra skizofrene dhe nuk marr vesh se pse do mund të merrej në studim ky gomar që tërë dramën e ka hermetike".

Vajza e Argitës: “Në Vjenë si në shtëpi”
Kur është në Shqipëri kohën e lirë e kalon te vila në Gjirin e Lalzit, kur del jashtë, vendi më i preferuar është kryeqyteti  i Austri së,Vjena


 Ajo është vajzë e një familjeje të kamur. Nëna e saj, ka të deklaruara disa apartamente, llogari bankare, prona etj. I ati po ashtu. Gjyshi i saj thotë se ka vetëm një apartament 125 metër katrorë. Kur është në Shqipëri kohën e lirë e kalon te vila në Gjirin e Lalzit, kur del jashtë, vendi më i preferuar është kryeqyteti austrik, Vjena, ku qëndron gjatë. Më 26 mars 2013, me anë të celularit, nga Fischamend Dorf, Niederosterreich (lokalitet afër Vjenës në Austrinë e Poshtme), Dasara shkruan: “Vendi më i bukur në botë! Vendi që ka kafen më të mirë, bëhet shopping rehat dhe vendi që mu më kënaq pa fund!

Nuk ka vend si shpia, dhe në Vjenë unë ndihem si në shpi”. Një ditë më pas shpërndan një foto, duke pirë një kafe: “Arti i të bërit Kafe të mirë”. Një shoqe i thotë se pse nuk ka shkuar ende në Itali, por Dasara i përgjigjet: “Jo nuk kisha nerva me bë 1 natë në traget dhe pastaj 700 km me autobuz. Jam më rehat në Vjenë, që është vendi im i preferuar në tërë botën”. Dy ditë më pas, në një status të datës 29 mars Dasara shkruan përmes celularit me trishtim: “M’ka marrë malli për rrugën Kërtner, restorantin Venezia, dyqanin 3 kate të Sëarovskit… të gjitha gjërat e Vjenës!”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama