Ditelindja e Shqiperise Ismail Qemali mberrin ne Durres

Ditelindja e Shqiperise, Ismail Qemali mberrin ne Durres
Atmosfera festive ka përfshirë të gjithë qytetin bregdetar të Durrësit në këtë 100-vjetor të Pavarësisë. Mijëra qytetarë, të të gjitha grupmoshave, kanë dalë në rrugët e qytetit për të festuar 100-vjetorin e ngritjes së flamurit në Durrës, ndërsa të gjitha nivelet e pushtetit vendor kanë qenë bashkë për të organizuar dhe festuar në mënyrë sa më dinjitoze festën lokale të 100 vite Pavarësi, pavarësisht fondeve të pakta. Në Portin Detar të Durrësit është improvizuar ardhja e Ismail Qemalit të interpretuar nga aktori Hysen Bashhysa dhe dorëzimi simbolik i flamurit në duart e kryebashkiakut Vangjush Dako.

Një flamur i madh, 3 kilometra i gjatë, i mbajtur nga nxënës shkollash ka përshkruar bulevardin “Dyrrah” për të mbërritur në qendër të qytetit, i paraprirë nga kalorësit kosovarë, të cilët po ndjekin rrugën e Isa Boletinit me shokë për të mbërritur në qytetin e Pavarësisë kombëtare. Në ceremoninë e ngritjes së flamurit në Durrës ka marrë pjesë edhe ambasadori i OSBE-së në vendin tonë, Eugen Ëollfarth, si dhe pasardhësit e firmëtarëve durrsakë të Deklaratës së Pavarësisë. Atmosfera festive ka arritur kulmin kur kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, ka ngritur flamurin kombëtar përpara bashkisë, në të njëjtin vend ku është shpalosur edhe përpara 100 vitesh.

Fjalimi

“Njëqind vjet më parë, përfaqësuesit e qytetit të Durrësit vendosën të ngrenë flamurin kombëtar dhe të shpallin ndarjen nga Perandoria Osmane. Kjo është ngjarja më e rëndësishme historike e këtij qyteti në shekullin e 20 e në vijim. Jam i nderuar dhe i prekur të përsëris sot, 100 vjet më pas, me solemnitet dhe përgjegjësi, aktin historik që kreu kryetari i parë i Bashkisë së Durrësit, Hafiz Ali Podgorica, duke ngritur flamurin shqiptar më 26 Nëntor të vitit 1912.

Mendja dhe nderimi ynë shkojnë sot te firmëtarët e Shpalljes së Pavarësisë që vinin nga paria e tri besimeve: Hysen Fani, Isuf Ramzoti, Aleks Duka, Abdyl Qerim Kurti, Sotir Vevecka, Kristaq Rama, Filip Serreqi, Hafiz Isuf Gjoni te Stefan e Marie Kaculini; te të gjithë ata që përgatitën dhe valëvitën flamurin kombëtar në qytetin tonë; për delegatët durrsakë Dom Nikollë Kaçorri, Abaz Celkupa, Mustafa Hanxhiu dhe Jahja Ballhysa, që ditë më pas nënshkruan në dokumentin historik të pagëzimit të Pavarësisë”, tha Dako në fjalën e tij. Sipas tij, ngritja e flamurit nuk ishte një rit ceremonial, ishte një ndarje me të kaluarën dhe një këputje zinxhirësh. Ishte vetëm hapi i parë për t’iu kthyer vetes. Shekulli i shqiptarëve do të tregonte se më e vështirë se Shpallja e Pavarësisë ishte realizimi i pavarësisë.

“Më e vështirë se refuzimi i otomanizmit do të ishte çrrënjosja e tij, e mendësisë anadollake, autokratike, sundimtare, që kishte lënë Porta e Lartë te njerëzit shqiptarë. Dhe nuk ishte vetëm kjo. Veç otomanizmit dhe neo-otomanizmit, si mënyrë sundimi duhej çrrënjosur edhe vetëdija e nënshtrimit dhe e konformizmit, vetëdija e kultit të padishahut që kishte kultivuar perandoria teokratike e Anadollit. Sot, pozita jonë gjeopolitike në rajon ka ndryshuar në thelbin e vet.

Kurrë ndonjëherë nuk jemi ndier kaq të realizuar sa sot, prandaj le të festojmë me madhështi dhe le t’i gëzohemi këtij fakti në këtë jubile të madh, duke heshtur me pak luks për çfarë ka ndodhur me historinë e sistemit politik, me historinë e rritjes së vështirë të shtetit shqiptar dhe të vetëdijes shtetërore të shqiptarëve. Rroftë 26 Nëntori, kjo ditë historike  e qytetit tonë dhe gëzuar të gjithëve festën e madhe të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë!”, tha në fjalën e tij kryebashkiaku Dako.

Atmosfera

Më pas, nën ngjyrat dominuese kuqezi që ka marrë këtë muaj Durrësi, festa ka vijuar në qytet teksa një grup kalorësish, me veshjet popullore kombëtare, kanë kalëruar përpara bashkisë dhe duke sjellë pas 100 vitesh në mënyrë simbolike rrugëtimin e kalorësve të Pavarësisë që vijuan rrugën nga Durrësi drejt Vlorës.

Ndërkohë, në orët e pasdites është çelur në Galerinë e Arteve Pamore “Nikolet Vasia”, ekspozita e itinerarit historik të flamujve shqiptarë 1912-2012. Biblioteka publike e Durrësit gjithashtu ka organizuar pasditen e së hënës një aktivitet të pasur kulturoro-artistik, “Rruga e lirisë kalon nga rruga e dijes”, brenda të cilit u ngërthyen ekspozita të librit historik, të vlerave etno-kulturore, një kolazh patriotik i përgatitur nga fëmijë të kopshteve, si dhe kujtime e përshëndetje të përcjella nga pasardhësit e delegatëve të Durrësit në Kuvendin e Pavarësisë në Vlorë: Gjon Kaçorri, Esat Hafizi, Majlinda Ballhysa dhe Ali Korça. Ngritja e flamurit në Durrës përmbushi porosinë e Plakut të Urtë, që Durrësi ta shpallte Pavarësinë para se një pushtues të zëvendësohej me një tjetër, para se ushtritë serbe të hynin në qytet dhe të vendosnin me forcën e armëve të tyre.

Një flamur 3 kilometra i gjatë, ka përshkruar bulevardin “Dyrrah” për të mbërritur në qendër, i paraprirë nga kalorësit kosovarë

Kryebashkiaku

“Më e vështirë se refuzimi i otomanizmit do të ishte çrrënjosja e tij, e mendësisë anadollake, autokratike, sundimtare, që kishte lënë Porta e Lartë te njerëzit shqiptarë. Dhe nuk ishte vetëm kjo. Veç otomanizmit dhe neo-otomanizmit, si mënyrë sundimi duhej çrrënjosur edhe vetëdija e nënshtrimit dhe e konformizmit, vetëdija e kultit të padishahut që kishte kultivuar perandoria teokratike e Anadollit”

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama