Ditet e para te kaloresit te ri ne Butrint

Ditet e para te kaloresit te ri ne Butrint
Ndërrimi i rrufeshëm brenda ditës i drejtuesit të Butrinit, ngriti pyetje dhe dyshime për administrimin e trashëgimisë botërore. Një njeri që e njeh zonën qysh fëmijë, një gazetar, Rajmond Kola, ka ardhur në detyrë. Si e gjeti terrenin dhe çfarë orientimi i ka ardhur nga lart. Një shkarkim dhe një emërim drejtori në Butrint, nuk është thjesht një lajm. Kjo ngjarje, së fundi ka emrin Rajmond Kola. Ndryshe nga paraardhësve të tij, nuk është shtatlartë, i bëshëm e hijerëndë, përkundrazi. Kjo diferencë gjithsesi nuk është qenësore.

Po cili është Rajmond Kola? Emër i njohur në gazetari që pas `90, prej 15 vitesh, raporton për Zërin e Amerikës. Ka dhe një përvojë jo të vogël në fushën e drejtimit të institucioneve të trashëgimisë. Prej 3 vjetësh drejtori Zyrën e Menaxhim-Koordinimit të Trashëgimisë Historike të Gjirokastrës. Tashmë, ka një bast me veten, por dhe me ata që u sëmbon në zemër Butrinti: t'ia ndrisë faqen Parkut, nëse diku është bërë pis.

Drejtori i Butrintit, por para këtij emërimi, sa i pranishëm ka qenë ky park në jetën tuaj, si një qytetar i zakonshëm?

Le të themi është një njohje e vjetër mes meje dhe Butrintit, por edhe një lidhje e fortë që është forcuar vit pas viti duke u kthyer në një miqësi. Butrinti ka qenë pjesë e fëmijërisë sime sepse unë kam lindur dhe jam rritur në këto anë. Në Butrint kam ndarë episode mbresëlënëse të fëmijërisë.

Kur e pashë Teatrin e Butrintit për herë të parë, erdhi si një shpërblim i shkollës ku mësoja në fëmijëri për nxënësit që dilnin me të gjitha dhjeta. Kështu ishte atëherë. Mbaj mend që tek Teatri na foli një arkeolog, që çuditërisht edhe sot ia kujtoj timbrin e zërit dhe që nuk do ta harroj atë vizitë të parë. Megjithëse më vonë do të hyja në park me dhjetëra herë.

Arkeologu ishte Astrit Nanaj. Do ta takoja Astritin vite më vonë dhe tragjikisht pak ditë para se të humbte jetën në një aksident në Greqi, e intervistova për "Zërin e Amerikës" ku më fliste me dhimbje për vjedhjet e monumenteve të Butrintit pa e ditur se do më kthehej në dhimbje disa ditë më vonë ikja e atij njeriu të mirë që edhe sot e çmojnë të gjithë për atë që bëri për Butrintin. Shpesh në fëmijëri, asaj zone, rreth Butrintit, kalonim "klonin" (telin me gjemba të kufirit), pasi ishim i vetmi "kontigjent" që s'mund të arratiseshim, dhe u çonim bukën kushërinjve që punonin si barinj buzë kufirit.

Apo luanim me peshqit në Liqen. S'kishim parë asnjëherë aq shumë dhe s'guxonim të merrnim asnjë në shtëpi për darkë ku hanim bukë me çaj. Të rriturit na merrnin në liqen me vete në ca barka të vogla që merreshin me midhjet. Na porosisnin gati çdo dhjetë minuta që për t'i shpëtuar pasqyrimit të Liqenit dhe diellit të fortë, duke qëndruar në tranversat e betonit të midhjeve në mes të liqenit, të fusnim shpesh kokën në ujë për t'u freskuar. Vite më vonë, me Butrintin më lidhin intervista dhe kontakte, raporte audio dhe video për Parkun Arkeologjik. Gjatë vitit 2005 një marrëdhënie e ngushtë për të përgatitur Guidën e parë Turistike të Bashkisë së Sarandës, ku padyshim Butrinti kishte pjesën e vet, më lidhi ngushtësisht për disa muaj.

Më pas një synim i fortë gjatë punës në Zyrën e Qendrës Historike të Gjirokastrës për të krijuar një trekëndësh turistik Butrint, Gjirokastër, Berat, si tre site të UNESCO-s ishte një "rikthim" tjetër tek Butrinti. Po ashtu kam pasur në çdo kohë viteve të fundit dialog dhe komunikim me njerëzit që kanë administruar dhe kanë punuar për Butrintin duke ndarë një marrëdhënie mjaft të mirë njerëzore dhe profesionale.

Shkurtimisht, cila ishte dita e parë e juaja si drejtor i Butrintit?

Besoj ky do të ishte një vizatim i thjeshtë: Hapja e derës në tetë të mëngjesit... orientimi me orenditë duke ndjekur për një moment një dialog të gjallë peshkatarësh për gjuetinë e një nate më parë jashtë dritares së zyrës që ndodhet tek Limani....një mjedis i ngushtë, i mbingarkuar nga letra e pajisje, por edhe me dritë dhe fresk deti, ku punojnë pesë vetë, dhe ku zbritet në zyrë si në një qilar. Takimi i parë me stafin...një tavolinë ovale ku fiksohen që ditën e parë takimet e mëngjesit me të gjithë stafin.

Një porosi e prerë: "Ta shohim Parkun si shtëpinë tonë!" . Pastaj udhëtimi në Butrint... takime me rojet, specialistët, punëtorët, grupe vizitorësh, një udhëtim nëpër park dhe kthimi në mbrëmje vonë në Sarandë. Porosia e mbrëmjes për stafin: një seri takimesh për të nesërmen nga operatorët turistikë dhe deri tek drejtuesit e qeverisjes vendore në zonën kufitare me Parkun, drejtuesit e peshkimit, të pyjeve, ujërave, për të dëgjuar problematikat për Butrintin...

Cilat ishin problematikat e para që evidentuat?

Natyrisht emergjencat. Mungonte uji në mjediset e Parkut nga një defekt, duhej një skemë intensive pastrimi pasi një herë në dy ditë në këtë sezon pothuajse ngarkohet një kamion me mbeturinat që vizitorët hedhin pa kontroll në park; interesimi për masat për zjarret pasi pas datës 15 gusht nis "çmenduria" e barinjve për të djegur kullotat; interesimi për sistemin e sigurisë për mbrojtjen nga zjarri në zonën arkeologjike, menaxhimi më cilësor i hyrjes së vizitorëve...

Çfarë kërkohet nga "atje lart" për Butrintin?

Butrinti është pjesë e Trashëgimisë Botërore dhe detyrat, përgjegjësitë dhe angazhimet për këtë thesar arkeologjik, kulturor, natyror dhe historik jo vetëm të Shqipërisë zhvillohen në përmbushje të detyrimeve si ndaj organizmave që merren me menaxhimin e trashëgimisë kulturore botërore, edhe ndaj organizmave kombëtarë. Kërkesa është tejet e lartë pasi edhe standardi i këtij Parku është i tillë. Kërkesa e parë e autoriteteve të Ministrisë së Kulturës, lidhet me një menaxhim më cilësor në një stad të ri të Parkut.

Pikërisht, trajtimi me një ritëm të ri i elementëve të një sistemi të tërë të Butrintit, është përparësi. Kjo natyrisht nuk është e lehtë pasi sistemi aktual është mjaft kompleks dhe i larmishëm pasi shtrihet në rreth 30 km katrorë ku përfshihen pasuri arkeologjike, monumente, pasuri natyrore dhe rrjedhimisht edhe problematika të shumta.

Butrinti, një "kalë" i vështirë për t'u ngarë prej potencës apo delikatesës?

Jo. Nuk e shoh veten afër një kali që i afrohesh për ta zbutur për t'i hipur, apo më tej majë një kali ku të tjerët të arrijnë tek zengjinët, apo kur je i ngjitur dhe të merren mentë dhe ke frikë se mos rrëzohesh. E shoh Butrintin si një sfidë për të ndërtuar një menaxhim të integruar me të gjithë aktorët, një shërbim cilësor ndaj vizitorëve duke filluar nga hyrja përmes një trari elektronik dhe deri tek shërbimet që afrohen në Butrint si në site të këtij niveli në botë. E shoh Butrintin edhe si një sfidë me lakmitë dhe babëzitë por edhe një rast të mirë për të mbledhur miqtë e këtij Parku kudo ku ata janë.

Vizioni juaj për Butrintin, cili është?

Ajo që "gdhendet" në parathënien e Planit të parë të menaxhimit 2000-2005: Mbrojtja e këtij thesari arkeologjik të Mesdheut nga dëmtimet dhe përjetimi tek çdo vizitor si të vizitonte Epheus ose Baalbek njëqind vjet më parë, pa vende parkimi për makinat, pa tenda, pa zhurma përveç zërit të zogjve dhe këngës së përhershme të bulkthit..

Ju jeni dhe gazetar i njohur dhe i një medie shumë prestigjioze, si është Zëri i Amerikës. Gazetari ka dhe kritikën nëntekst të punës së tij. Në pozitën e re ku jeni, a do jeni i hapur ndaj kritikave, kur dihet që Butrinti është gjithnjë temë e nxehtë?

Padyshim që unë jap i hapur ndaj kritikave. Por doja të thoja që diskutimet dhe debatet, dialogun dhe këmbimin e ideve dhe vetë fokusimin e madh rreth Butrintit unë e shoh një proces mjaft pozitiv. Kjo i bën mjaft mirë Butrintit dhe unë do përpiqem ta nxis këtë fokusim. Nga ana tjetër do përpiqem për saktësi dhe paanshmëri të fakteve dhe analizave, për vlerësime realiste edhe të sfidave.

Si është raporti juaj shpirtëror e konceptual me trashëgiminë, qoftë antike, historike apo kulturore?

Pas gazetarisë, "që më ka marrë mendtë" që në rininë e hershme, trashëgimia kulturore dhe historike është një pasion dhe një pjesë e pandarë e imja tashmë. Përvoja në Gjirokastër, ku për tre vjet drejtova Zyrën e Qendrës Historike, e ngritur mbi modelin e Butrintit, ndonëse kishte shumë anë administrative, ma shtoi këtë dëshirë dhe këtë pasion.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama