Këtë herë, eklipsi i plotë i Hënës ka përkuar me ditën më të shkurtër të vitit. Një përkim, që në këto 2000 vjet ka ndodhur vetëm një herë në vitin 1638. Dje ka qenë dita më e errët e 400 viteve të fundit. Kjo ka ndodhur për shkak të një përkimi shumë të rrallë yjor, një nga ato përkime që ndodhin një ose dy herë në një mijëvjeçar. Kujtimi i këtyre fenomeneve shumë të rralla humbet nëpër errësirën e shekujve dhe rikthehet vetëm kur ato rindodhin sërish. Bëhet fjalë për eklipsin e plotë të Hënës, që përkon në këtë rast me 21 dhjetorin, ose ditën më të shkurtër të vitit, që njihet ndryshe edhe si ekuinoksi i dimrit.
“Është një fenomen jashtëzakonisht i veçantë, shumë i rrallë, i cili që nga viti 1 pas Krishtit ka ndodhur vetëm një herë, dhe kjo ka qenë plot 400 vjet më parë ose më 21 dhjetor të vitit 1638”, - shpjegon një astronom. Sipas tij, për fat të mirë këtë herë, për një përsëritje të fenomenit, njerëzit nuk do të duhet që të presin shumë, sepse sipas përllogaritjeve ai do të ndodhë sërish në 21 dhjetorin e vitit 2094. Ajo e parmbrëmshmja ka qenë një natë me të vërtetë shumë e gjatë dhe shumë e errët, për më tepër që edhe Hëna ka qenë e mbuluar plotësisht nga eklipsi i plotë.
Fenomeni nisi në mesnatë, në kontinentin amerikan, dhe mbërriti në Europë në orën 7 të mëngjesit.
Ekuinoksi dimëror, që në hemisferën tonë përkon me ditën më të shkurtër të vitit dhe si pasojë natën më të gjatë, është dita kur dielli lind në orën 7.42 dhe perëndon në orën 16.44. Pra, kemi shumë pak orë ditë dhe shumë errësirë. Dhe pikërisht dje, Hëna ka qenë edhe e plotë dhe në të njëjtën kohë, ka qenë në vijë të drejtë me Tokën dhe Diellin, që do të thotë se është mbuluar tërësisht nga hija e planetit tonë. Ky quhet edhe eklipsi i plotë i Hënës.
Fenomeni është tërësisht i dukshëm në Veri dhe në Amerikën Qendrore, ku spektakli ka zgjatur për 3 orë e gjysmë. Ndërsa në Shqipëri mund të kemi pasur shansin ta shohim në perëndim të Hënës. Spektakli, në fakt, qëndron në faktin se Hëna hyn në 6.23 në gjysmëhijen e Tokës dhe perëndon në momentin kur bie në gjysmëhijen e planetit tonë, në orën 7.32 të mëngjesit, pra pak minuta para lindjes së Diellit. Kjo bën që sateliti ynë në këtë fenomen të duket shumë i kuq. Intensiteti maksimal ka qenë në orën 9.30.
Kush ka pasur shansin që të asistojë në këtë spektakël të Hënës, e ka vënë re ngjyrën dhe shkëlqimin shumë të dukshëm dhe të çuditshëm të Hënës. Bëhet fjalë për një të kuqe shumë të gjallë. Për sa i përket kontinentit tonë, fenomeni është parë më mirë në Spanjë dhe në Portugali.