Djegia e Kishes se Kozares varferon kulturen kombetare

Djegia e Kishes se Kozares varferon kulturen kombetare

“Një pasuri e veçantë për rajonin dhe gjithë Shqipërinë, zhduket nga flakët, për pakujdesi të organizatorëve të ceremonisë festive, për të kujtuar festën e Shën Marisë nga besimtarët neglizhentë, për menaxhimin e zjarreve të qirinjve. Mbas restaurimit të arkitekturës, priteshin mundësitë për restaurimin e artit, afresket dhe tavanet e drurit. Vlera të tilla nuk kthehen më. Gjynah!”, kështu e ka komentuar djegien e Kishës së Kozarës specialisti i trashëgimisë kulturore në Berat, Ajet Nallbani. Në një intervistë për “Shekulli”-n ai tregon vlerat monumentale, historike, fetare  dhe artistike që ruante ky objekt i trashëgimisë kulturore.

Zoti Nallbani, çfarë mund të na thoni për rëndësinë që kishte për trashëgiminë tonë kulturore Kisha e Unigjillizimit në Kozarë të Beratit?

Kisha e Ungjillizimit në Kozarë të Beratit ishte një bazilikë 3 nefëshe. Ajo përbëhej nga naosi me ambientin e altarit dhe i takonte ndërtimit të parë. Narteksi në anën perëndimore, hajati i mbyllur në anën veriore, hajati i hapur në anën jugore i takonin një faze të dytë ndërtimi. Naosi ndahej me kolona druri në 3 nefe. Mbi kollonatë ishte tavani i drurit që fshihte strukturën e drunjtë të çatisë. Naosi ndahej me një ikonostas druri të kromuar me ar, me altarin. Kisha ka qenë në një gjendje teje kritike edhe nga ana statike, por  dhjetë vjet më parë me një fond të buxhetit të shtetit, 7 milionë lekë, u ndërhy për konsolidimin e arkitekturës. Nga ana statike pothuajse arriti një stabilitet të mirë dhe për të u përgatit projekti për artin .

Kujt arkitekture i përkiste Kisha e Kozarës?

Kisha mbante piktura murale në të gjitha faqet e interierit, si dhe në murin perëndimor në faqen e jashtme. Në absidë paraqitet ikonografia e Shën Marisë me Krishtin, fëmijë në prehër në mes të dy engjëjve, "Kungimi i apostujve" dhe “Etërit e kishës”, ikonografi e cila vazhdon dhe në diakonikon.

Çfarë skenash paraqiteshin në historitë biblike?

Regjistrat ikonografikë me festat e mëdha, martirët, shenjtët dhe strategët paraqiteshin të plotë, pavarësisht nga dëmtimet dhe problemet degraduese që njihnim në to. Ashtu si edhe Shën Mari Vllaherna, Kisha e Kozarës ofronte deri në ditët tona të gjithë repertorin ikonografikë të saj. Nga mbishkrimet që janë evidentuar në Kishën e Kozarës përmendim atë të gdhendur në një gur në faqen lindore, i cili mbante vitin 1768. Piktura nga mbishkrimet dilte se u përkishte autorëve Joan dhe Naum Çetirin dhe kishte përfunduar më vitin 1806. Ndërsa shpenzimet e saj i kishte mbuluar Ndino Lala me vëllezërit e tij duke filluar qysh nga viti 1804. Ikonostasi i kishës ishte realizuar më vitin 1812, kjo dilte nga një mbishkrim që ndodhej i gdhendur në kryqin e tij. Ikonografët grabovarë, Çetirët nga Grabova janë të njohur me pikturat murore dhe ikonat e kishave të ndërtuara në këtë periudhë në hapësirën territoriale që dispononte Metropolia e Beratit.

Ikonografët Çetiri kanë qenë nxënës të piktorëve që kanë pikturuar kishën "Lindja e Shën Mërisë" të Ardenicës dhe të Shën Gjergjit në Libofshë. Nga mbishkrimet dilte se autorët e këtyre kishave janë: vëllezërit korçarë Kostandin dhe Athanas Zografi, si dhe Tërpoja, djali i Kostandinit. Veç kësaj, Gjergji dhe Joani nga Grabova kanë ushtruar veprimtarinë e tyre ikonografike si bashkëkohës të Kostandinit dhe Athanasit në kishën e Shën Kollit në Vanaj, duke realizuar pikturën murale dhe këta të fundit, ikonat. Tematika e grabovarëve në radhitjen e skenave ruante skemën e Zografëve. Më pas ata filluan t'i largoheshin tipologjisë së ikonografisë së tyre. Tematika ikonografike është ajo e zakonshme, që vihet re në Kishën Orthodokse, e vendosur gjatë shekujve dhe e pasuruar me elemente të reja nga mali Athos.

Krijimtaria ikonografike e Joan Çetirit, e cila i parapriu ateliesë së Çetirëve, shfaqte një tipologji të trashëguar nga ikonografia e Zografëve. Tipologjia e personazheve të pikturuar prej tij pasurohet me detaje figurative, të cilat e bëjnë ikonografinë e tij me një karakter mjaft të theksuar simbolik, ku po të kërkosh të interpretosh detajet e vendosura, mund të nënkuptosh pjesën e padukshme të përmbajtjes ikonografike. Në imazhet ikonografike të realizuara nga dora e Joanit gërshetohen ndjenjat njerëzore me format e pëlqyeshme, duke minimizuar kontrastet dhe për pasojë përmbajtjen mistike.

Sipas jush, cili ishte shkaku i djegies së kishës?

Koordinimi i keq midis institucioneve shtetërore dhe komunitetit ortodoks, ka bërë që të jenë jashtë kontrollit aktivitetet dhe pa asnjë rregullore për menaxhimin e tyre gjatë procesioneve. Mungesa e një stafi drejtues të procesionit dhe një grupi sigurimi e mbrojtjeje nga dëmtimi dhe vjedhjet.

Asnjë infrastrukturë nuk ekziston për të mbrojtur këto vlera të jashtëzakonshme, asnjë mjet zjarri, apo kamera për vjedhje. Asnjë lloj mbrojtje nga pushteti vendor apo kujdestar. Të lëna në mëshirë të fatit, çdo ditë po varfërohet kultura jonë kombëtare duke humbur monumente të rëndësishme të kulturës tonë.

Cilat janë atë monumente të trashëgimisë kulturore në Berat që u kanoset rreziku?

Pothuajse të gjitha monumentet janë të pambrojtura në radhë të parë nga zjarri. Mungon komplet infrastruktura e mbrojtjes nga zjarri. Ekzistojnë  vetëm disa fikës të vegjël për momentin fillestar të zjarrit, por duke patur parasysh strukturat e drunjta, rreziku është shumë i madh. Terreni i disfavorshëm bënë të pranishëm rrezikun e monumenteve ndaj zjarrit, sidomos te qendra historike e Beratit ku banesat janë të ndërtuara njëra mbi tjetrën. Projekti më urgjent i pushtetit vendor është furnizimi 24 orë me ujë i qendrës historike të Beratit, që çdo qytetarë të ndalojë që në fillim shfaqjen e zjarrit, pa marrë përmasa të pamundura për t’i përballuar më vonë.

Dhe së fundmi, çfarë duhet bërë për shmangien e këtyre dëmeve në të ardhmen?

Mendoj se një konferencë urgjente me autoritete të trashëgimisë, pushtetet lokale, Ministria e Kulturës, donatorë dhe ambasadat për të sensibilizuar. Të ndërtohet një program urgjent i zbatueshëm duke filluar me; qendrat historike dhe monumentet më të rëndësishme, arkivat dhe fondet e pasura me vlera të trashëgimisë dhe mbi të gjitha vendosja e njerëzve kompetent që, dinë ta menaxhojnë trashëgiminë dhe jo militantë që ndryshojnë më orë sipas oreksit të politikës.

Gjendja e konservimit

Piktura murale asokohe paraqiste si problematikë të gjerë degradimin. Në faqen lindore viheshin re dëmtime të konstruksionit mbajtës të ndërtesës, dhe për pasojë çarje të afreskut. Në absidë dukeshin dy çarje vertikale të pikturës dhe një horizontale. Çarja horizontale përshkonte gati të gjithë skenën e Shën Marisë në fron. Në faqen veriore dukeshin qartë 3 çarje vertikale, të cilat përshkruanin tërë lartësinë e interierit të dekoruar me pikturë murale. Ato dukeshin qartë mbi anën veriore të protesis duke u ngritur lart, si dhe te skena "Prekja e Thomait" dhe te figurat e shenjtorëve që ndodheshin poshtë. Në faqen perëndimore çarjet e afreskut ndodheshin te skena e “Shën Mëhillit”, “Mbledhja e Apostujve”, “Fjetja e Shën Marisë” etj. Në faqen jugore paraqiteshin çarje horizontale në regjistrin e shenjtorëve, në skenën "Lindja e Krishtit" etj. Në skenën e "Gjyqit të Fundit" në narteks, viheshin re çarje të tjera.

Piktura murale shfaqte probleme degradimi

Lidhja e intonakos (shtresa ku ishte realizuar piktura) me suportin mbajtës (murin) paraqiste xhepa dhe boshllëqe. Ato kishin ardhur dhe nga dëmtimet e mëvonshme të strukturës së mureve. Këto boshllëqe të shumta ndikonin në shkëputjen e mëvonshme të pikturës nga muri mbajtës, si dhe në rënien e saj. Boshllëqe ka pasur në pjesën e sipërme të absidës, në afreskun e poshtëm të proteisis, tek etërit e figuruar në regjistrin e poshtëm të faqes jugore, te skena e Mbledhjes së Apostujve në faqen perëndimore, te skena e "Kungimit të apostujve" në pjesën e sipërme dhe të majtë të dritares së absidës.

Viheshin re grumbullime, tymra dhe blozë, duke çuar në humbjen e imazhit. Prania e tyre dëmtonte si imazhin e skenave, unitetin artistik dhe ngjyerat e tyre, dhe i copëtonte ato, por nga ana tjetër ndikonte negativisht dhe në degradimin e pelikulave të pikturës, ku në pikturën e faqes veriore dhe perëndimore në shumë skena dukej qartë... Dëmtimi më i rëndë që shfaqej në tavan ishte shkëputja e fashaturave në shumë vende, të cilat janë mjaft të dukshme në dokumentacionin grafik që shoqëron materialin. Në shumë vende kishte shkëputje të gruntit nga suporti i drurit, duke shkaktuar gufime, xhepa, deformime, plasaritje etj. Objektivi kryesor i ndërhyrjes restauruese ishte që të bllokonim aksionin në zhvillim të kripërave, riaftësimin e imazhit të pikturës në gjendjen origjinale me heqjen e papastërtive, përmbylljen e punimeve konservative dhe përmirësimin e aspektit estetik të pikturës murale, të ikonostasit dhe tavanit në Kishën e Ungjillizimit në Kozarë. Sipas mendimit tonë, si specialistë të fushës, gjendja e pikturës murale, ikonostasit dhe tavanit të pikturuar paraqitej shumë e rëndë, pothuajse alarmante. Kjo përbënte një problem serioz, për vlerat e mëdha artistike, historike e fetare që këto monumente përfaqësojnë për kulturën tonë të brishtë. Kështu që ndërhyrjet konservuese dhe restauruese në to ishin një domosdoshmëri, për të parandaluar në mënyrë urgjente pasojat e një operacioni degradues zinxhir të elementeve përbërës të tyre.

Ikonostasi prej druri dhe tavani i pikturuar

Riparimi i defekteve të ndryshme të drurit, pjesët e shkëputura, pjesët e kalbura, zëvendësimi i tyre. Ngjitje e pjesëve të thyera apo të plasaritura të suportit të drurit, si dhe plotësimi i pjesëve të humbura, me materiale druri që i përshtaten. Ringjitja e pjesëve të ciflosura, heqja e shtresave që mund të jenë lyer etj.  


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama