Djemte babysitter
- Botuar: 17 vite më parë
- Shkruar nga:
Gjithashtu, edhe në Britaninë e Madhe prindërit e rinj janë më shumë të predispozuar për të punësuar kujdestarë fëmijësh meshkuj, në vend të atyre dadove simpatike, të cilat mund të jenë edhe të rrezikshme për familjet ku punojnë. Ky fenomen është bërë aq i shpeshtë në Londër, saqë është krijuar edhe një agjenci e quajtur "Superdadoja": e themeluar nga dy vëllezër australianë, Mark dhe Rik Firth. Vëllezërit themelues punojnë prej vitesh si kujdestarë fëmijësh për familjet e pasura londineze. Një karrierë që nisi rastësisht dhe që tashmë është kthyer e suksesshme.
Mark kishte vajtur në Londër për të punuar si avokat në një nga studiot më prestigjioze legale të kryeqytetit, ndërsa Niku për të punuar si trajner në një shkollë prestigjioze të Sauth Kensigton. Por mjaftoi pak për të zbuluar se nuk ishin ato punët që vërtet do të donin të bënin. Më mirë të bëheshin kujdestarë fëmijësh. Madje edhe fitimet ishin më të mëdha. Dhe duke parë punëdhënësit e tyre, kjo gjë nuk të habit. Miliarderë me origjinë ruse, ose nga Lindja e Mesme, që sapo kanë ardhur në qytet dhe që nuk duan më shumë se të shohin fëmijët e tyre të transformohen në nxënës të shkëlqyer në Britani: në gjendje që të luajnë regbi ose kriket, që një ditë të mund të shkojnë në Eton dhe më pas ndoshta në Kembrixh ose Oksford.
Marku, në një intervistë të dhënë disa kohë më parë, është shprehur se të kujdesesh për ta "është si të jesh trajneri i tyre, vëllai i madh dhe shoku në të njëjtën kohë". Edhe prej kostos (të paktën 500 sterlina në javë, veç dhuratave të pafundme dhe privilegjeve të ndryshme) jo të gjithë mund t‘ia lejojnë vetes një dado, por këtë punë mund ta bëjnë të gjithë. Rajan Dalton, edhe ai australian, është një ish-instruktor noti dhe tenisi. Por sot punon si kujdestar fëmijësh në një familje angleze të përbërë nga nëna dhe dy fëmijët. Nëse nëna e fëmijëve e zgjodhi, kjo për shkak se në familje mungonte figura atërore. Dhe kjo, në më të shumtën e rasteve, jo për shkak se burrat mund t‘i tradhtojnë: në fakt problemi kryesor është se burrat nuk gjenden asnjëherë në shtëpi. Për shkak të një divorci, ose një pune që e mban larg më shumë se 12 orë në ditë. Kështu, nëse ideja e një kujdestari mashkull po bëhet gjithmonë e më e pranueshme, jo gjithmonë ky mund të jetë edhe babai i tyre. Kështu, këta kujdestarë mund të jenë shoku ideal për një fëmijë që nuk e ka gjithmonë pranë babanë e tij. Për shembull Alice, 35 vjeçe, e divorcuar, ka zgjedhur një kujdestar fëmijësh mashkull që të kujdeset për djalin e saj 12-vjeçar.
Me avantazhe më të mëdha nga ato që kishte imagjinuar: "Është një model mashkullor i mrekullueshëm. E ka bërë djalin tim më të sigurt në vetvete. Për një djalë është e rëndësishme që të shohë se një burrë di të sillet si baba, të jetë i dashur dhe në të njëjtën kohë të jetë i "fortë". Por edhe për vetë kujdestarët avantazhet janë të pafundme. "Është si të kthehesh sërish në adoleshencë", thotë Jaro, kujdestar fëmijësh që nga viti 2006 i Herit 12-vjeçar dhe Teos 16-vjeçar. Me origjinë sllovake, Jaro pretendon se në vendin e tij është krejt normale që një mashkull të luajë rolin e kujdestarit të fëmijëve. Dhe atij i pëlqen ta bëjë këtë punë. Pasioni i vërtetë i tij është muzika: kështu i mëson Herit dhe Teos të luajnë në piano dhe kitarë. Me të atin, që djemtë e shohin shumë pak, nuk mund të krahasohet: ai më së shumti është si një vëlla i madh. Edhe Kris nuk ka dyshime. Me origjinë nga Zelanda e Re, ish-futbollist, ka shkuar në Londër për t‘u kujdesur për Tomasin (11 vjeç) dhe Nedin (5 vjeç). "Shokët më tallin ndonjëherë për punën që bëj. Por mjafton të mendosh për orët që ata kalojnë të mbyllur nëpër zyra, ndërsa unë jam duke luajtur me fëmijët jashtë në park". Nuk ka dyshim, në Angli të jesh apo të punësosh një kujdestar fëmijësh është në modë. Aq shumë sa kolegji Norland, shkollë në të cilën formohen dadot më tradicionale të Anglisë (dhe ato më të kushtueshmet), ka pranuar për herë të parë një burrë. Ky kolegj ka ofruar që prej vitit 1892 dado të shquara për përgatitjen e tyre të mirë, disiplinën dhe profesionalizmin. Si një Meri Popins moderne, por më strikte. Tashmë ndër to është edhe Piter Kumins, një 20-vjeçar që e dashuron regbi-në po aq sa fëmijët. Talentin e tij djaloshi e zbuloi pasi përfundoi shkollën e mesme, ndërsa duhej të kujdesej rastësisht për gjashtë fëmijë, ndërmjet 2 dhe 12 vjeç. "U lexoja përralla, i vija për të fjetur, luaja me ta dhe u përgatisja për të ngrënë.
Zbulova që më pëlqente ta bëja një gjë të tillë". Dhe kështu, duke vënë në provë zotësitë e tij, duke u testuar në një kopsht dhe më pas në një shkollë elementare, Piteri u pranua në kolegjin Norland. Dhe nga aty doli këtë vit: i aftë për të ngushëlluar një të sapolindur që vetëm qan. Ai di të përgatisë një tortë, të përshtatet duke luajtur me një fëmijë të vogël: "Ëndrra e çdo nëne që nuk ka kohë", siç e ka pohuar një artikull i "Telegraph" që flet për të. Piteri ka bindjen se fëmijët "kanë avantazhe duke pasur modele mashkullore. Në një familje ku i ati nuk është në shtëpi për më të shumtën e kohës dhe nëna është shpesh e vetme, ai mund të jetë kujdestari i përkryer". Por ta nisësh këtë lloj pune nuk është diçka e thjeshtë. Mark e bën këtë punë që nga viti 1993 dhe në fillim gjërat nuk shkonin mirë. I rritur në një fshat në Australi, Marku gjithmonë ka dëshiruar të kujdeset për fëmijët. Por kur i thotë të atit, mori një reagim shumë të keq. Në fund ai ndoqi ëndrrën e tij, por sigurisht jo pa hasur në një seri pengesash. Dikush e ka quajtur të çuditshëm që ka zgjedhur këtë karrierë. Dikush tjetër ka preferuar një femër në vend të tij. Por qëkur u punësua për herë të parë, Marku nisi rrugën drejt suksesit duke pasur oferta pune njëra pas tjetrës. Madje aq shumë, saqë kohët e fundit iu desh të refuzonte ofertën e një çifti shumë të famshëm: Xhud Lou dhe Sadi Frost. Dhe si Marku tashmë janë të shumtë. Por, edhe pse kujdestarët meshkuj janë duke pasur shumë sukses, akoma pjesa më e madhe e çifteve të reja që kanë nevojë për kujdestarë fëmijësh vazhdojnë të punësojnë dado. Ndoshta sepse burrat mund të jenë më shumë xhelozë sesa gratë.
Danimarka është vend që ka përqindjen më të madhe të kujdestarëve meshkuj, vetëm 8 për qind e personelit të shkollave, ose kopshteve janë meshkuj. Në një vend si Anglia, ku në këtë sektor ka një gamë të madhe të punësuarish, vetëm 2 për qind përbëhet nga meshkujt. Ndërsa qeveria ka parashikuar se do të shkojë deri në 6 për qind në këto dhjetë vitet e fundit. Ekspertët thonë se shoqëria ka nevojë për këta burra të kujdesshëm, të përgjegjshëm dhe shtëpiakë. Një fëmijë të vogël, si djalë apo vajzë, shembujt të meshkujve pozitive u bëjnë mirë. Kështu thotë edhe Piter Kumins: "Nuk bëhet fjalë të dish vetëm të luash me top, por t‘u ofrosh fëmijëve një figurë mashkullore pozitive dhe mbrojtëse". Ndoshta kujdestarët meshkuj nuk janë vetëm modë, por simptoma e një revolucioni të heshtur. Ndoshta jemi duke mësuar se rolet e grave dhe nënave në familje nuk janë për t‘u nënvlerësuar. Ndoshta me rritjen e numrit të kujdestarëve meshkuj, të paguar mirë dhe të kënaqur me punën që bëjnë, mund të përmirësohet edhe ideja se kush punon me fëmijët duhet të vlerësohet dhe sigurisht të paguhet për aq sa i takon.