Ministri Erion Veliaj zbulon se çfarë ka shpëtuar pas 24 viteve nga arkivi i Sigurimit të Shtetit, dhe çfarë do të zbulojë ligji i qeverisë. Dosjet që do zbardhen janë të agjentëve, i paqartë “fati” i bashkëpunëtorëve të Sigurimit. Mesila Doda: Veliaj po na dublon, projekti i hartuar nga specialistë gjermanë prej 1 dhjetorit në Kuvend
Ministri Erion Veliaj zbulon se çfarë ka shpëtuar pas 24 viteve nga arkivi i Sigurimit të Shtetit, dhe çfarë do të zbulojë ligji i qeverisë. Dosjet që do zbardhen janë të agjentëve, i paqartë “fati” i bashkëpunëtorëve të Sigurimit. Deputetja e PD-së, Dodaj: Veliaj po na dublon, projekti i hartuar nga specialistë gjermanë, prej 1 dhjetorit në Kuvend.
Janë 1.5 milionë dokumente të Sigurimit të Shtetit, por vetëm 14 mijë dosje agjentësh i kanë shpëtuar 24 viteve të tranzicionit dhe do të hapen për publikun pas miratimit të ligjit. Shifrat u bënë publike nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj. “Sot paraqitëm parimet e nismës për të hapur mbi 14 mijë fashikuj e 1.5 milionë dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit për publikun.
Do të ndjekim modelin më të mirë që njohim, atë gjerman, sipas Komisionit Gauck. Koha është tani”, – komentoi dje ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj në faqen e tij në Facebook. Kështu, për herë të parë ka një numër të fashikujve të Sigurimit famëkeq, që do të bëhen publike edhe pse sipas ligjit të propozuar nga qeveria, kjo nuk do të përfshijë lustracionin, por do të ndjekë modelin gjerman të publikimit. Ekspertët që po merren me përgatitjen e ligjit thonë se janë bazuar në argumentet e Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi një ligj për dosjet në 2008.
Projektligji për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit, i përgatitur kësaj here nga Ministria e Mirëqenies Sociale, parashikon ngritjen e një autoriteti kombëtar, i cili do të drejtohet nga pesë përfaqësues, të cilët nuk duhet të jenë pjesë e politikës. Kandidatët duhet të votohen me shumicë të cilësuar nga Parlamenti dhe duhet të jenë figura të pastra.
Zëvendësministrja e Mirëqenies Sociale, Gentiana Sula tha se krijimi i këtij institucioni do të shoqërohet edhe me sekretariatin teknik. “Çdo qytetar të mund të dijë ç’i ka ndodhur në të shkuarën e vetë. Do t’u jepet akses qytetarëve, por edhe institucioneve kushtetuese nëse do të duan të dinë për të kaluarën e personelit të tyre. Edhe gazetarët duhet të akreditohen për të pasur të drejtat e aksesit, natyrisht pa prekur privatësinë e njerëzve të tretë”, – tha Sula.
Krijimi i kësaj strukture që do të merret së pari me grumbullimin, sistemimin dhe dixhitalizimin e dosjeve kërkon një faturë të lartë financiare. “Qeveria do të jetë aty dhe Kuvendi do të vendosë, sepse kjo do të ketë një kosto, qoftë ngritja e këtij komisioni, puna, stafi etj”, – saktësoi ajo.
Ndërkohë dyshimet se një pjesë e dosjeve janë zhdukur, janë bërë më të forta. Zëvendësministri i Punëve të Brendshme tha dy ditë më parë se mungojnë dosjet më të rëndësishme që i përkasin qarkut të Tiranës. Ilirian Mustafaraj tha se gjatë vitit 1997, nga vjedhja në tunelin e Krrabës ku ndodheshin edhe dosjet e Sigurimit të Shtetit, një pjesë e dosjeve janë zhdukur.
“Për arsye të ndryshme, në vitin 1997 është sulmuar depoja kryesore e dokumentacionit që ishte në arkivin e kësaj ministrie në Krrabë dhe atje është bërë një masakër, si pamja e zyrave të STASS-it në vitin ‘89-‘90 në Gjermani. Përveç fondit administrativ ndodhen edhe dosje bashkëpunëtorësh të Sigurimit të Shtetit. I kam me shifra sipas qarqeve, ku çuditërisht mungon qarku i Tiranës”, tha zv.ministri Mustafaraj.
Por zyrtarët thonë se një kopje e dosjeve të zhdukura dhe të paprekura ekzistojnë tek Shërbimit Informativ Shtetëror. Sipas Mustafarajt, 14 mijë dosje hetimore dhe gjyqësore ndodhen në Ministrinë e Brendshme, si dhe ndodhen kartela për të gjithë alfabetin për kategori bashkëpunëtorësh dhe të ndjekur. Ai shtoi se një pjesë e tyre duhet të ishin tek SHISH, por mesa duket, kur u ndanë, SHISH mori ato dosje që ishin aktivë në pushtet.
Ndërkohë deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda reagoi lidhur me iniciativën e Veliajt për hapjen e dosjeve. Ajo theksoi se roli primar në propozimin dhe miratimin e ligjeve i takon Parlamentit dhe ekzekutivi nuk mundet kurrsesi ta dublojë në këtë rol kushtetues të tij. Ajo kujton se që prej 1 dhjetorit në Kuvend është depozituar një draft për çështjen në fjalë dhe se procesi i konsultimit dhe punimit paralel me një draft tjetër nga qeveria për të njëjtën çështje, është i pranueshëm proceduralisht.
“Nga ana tjetër, ministri Veliaj vazhdon të thotë që çështja kryesore është hapja e dosjeve, (edhe kjo pa emra) dhe jo lustracioni. Drafti i depozituar nga deputetët përmban të dyja çështjet, hapjen e dosjeve dhe lustracionin, dhe është një punim i bërë me specialistë gjermanë që kanë punuar më shumë se dy vjet për këtë çështje. Ajo që është e pranueshme, madje e detyrueshme në këtë moment është të punohet mbi draftin që ka më shumë se dy javë që fle në protokollin e Parlamentit dhe të veprohet me shpejtësi për atë që qytetarët shqiptarë presin. Ekzekutivi duhet të vazhdojë të kryejë punët për të cilat është votuar dhe që qytetarët shqiptarë presin të zhgënjyer, dhe të mos kërkojë dhe një herë që me autoritarizëm dhe arrogancë të dublojë rolin kushtetues të ligjvënësit”, – tha ajo.
1.5 milionë dokumente do të bëhen publike
14 mijë dosje agjentësh do të jenë të hapura
1997- janë zhdukur dosjet e Tiranës
1996- komisioni Bezhani u ndaloi kandidimin disa politikanëve
2008- Kushtetuesja rrëzoi një ligj për lustracionin