Do isha i lumtur edhe te mallkohej ky liber

'Do isha i lumtur edhe te mallkohej ky liber'
Ridvan Dibra debutoi në letërsi me librin “Thjesht”, një përmbledhje me poezi botuar tek “Naim Frashëri” në vitin 1989. Autorin e vërtetë të këtij libri ai quan kohën. Poezisë iu kthye vetëm në vitin 2010 me “Plagët e Moisiut”, poemë.

Proza është terreni i tij. Dibra shkruan për njerëz të vetmuar, që mund të jenë burra në lule të moshës po edhe vocërrakë që bëhen djem duke urryer e duke dashuruar. Këto dy ndjenja, sikur të ishin profesione, përcaktojnë pozitat e personazheve të Dibrës në këtë botë. Nga romani i parë “Nudo” (1995), tek i fundi “Legjenda e vetmisë” (2012), ky autor ka pohuar gjendjet e individëve të tij përmes një shprehjeje dhe interpretimi po aq kërkues në formë.

Më shumë se gjysma e titujve të këtij autori nuk është në qarkullim në Shqipëri, disa sepse janë botuar në Kosovë dhe hapësira Kosovë-Shqipëri nuk është e përbashkët as për librin.

Raportet autor-botues, letërsi-kritikë letrare Dibra i shikon shumë problematike. Po të funksiononin më mirë, atëherë do të ndryshonte pozita e letërsisë shqiptare përballë tregut, lexuesit dhe ndoshta përballë vetes.

Më 27 shtator, Ridvan Dibra, si shkrimtar dhe pedagog i post-modernizmit në Universitetin e Shkodrës ishte i ftuar nga Universiteti i Barit për një dialog mbi letërsinë bashkëkohore shqiptare në kuadër të Kursit të Raporteve Ndëradriatike “Të tregosh dhe ndërtosh një Europë adriatike” 20-29 shtator, edicioni VI. Bashkë me botuesin italian Livio Muci dhe Irena Lama Ndocin, pedagoge e italianistikës pranë Universitetit të Tiranës, ai bëri një prezantim të letërsisë së sotme po edhe të historisë së djeshme, përballë studentëve nga Shqipëria dhe vende të tjera të Ballkanit.

Libri juaj i parë i vitit 1989 është poezi. Çfarë përvoje ju kujton?

Mbaj mend shumë detaje. Mbaj mend insistimin tim për ta botuar, përpjekjet e redaktorit për ta kthyer librin në formatin që dëshironte dhe fitoi. Mbaj mend letrat që vonin për muaj të tërë. Atëherë isha arsimtar në një fshat të thellë të Kukësit. Kam toleruar në tematikë, në poezi të veçanta. Mbaj mend, për shembull, kërkohej një poezi me traktor.

Tolerancë apo kompromis?

Bëj sikur e kam harruar atë libër, sikur nuk është imi, them që është i kohës që e lindi. Ai libër më dha një mësim që është e rëndësishme të heshtësh se sa të bësh kompromise që e cenojnë veprën. 

Pastaj vijnë tregimet, “Prostituta e virgjër”.

Krijimtaria ime fillon me këtë libër. Atë vit në Shkodër vepronin dy shtëpi botuese: “Gjergj Fishta” nuk guxoi ta botonte nisur nga tematika, “Idromeno” guxoi. Libri u mirëprit, ndoshta ndihmoi një recencë pozitive e Shkëlzen Maliqit dhe një çmim për autorë debutues nga Ministria e Kulturës. Them se kam arritur lirinë maksimale që s’kam guxuar ta përsëris në libra të tjerë.

Çfarë e krijoi premisën për liri?

Libri u punua shumë shpejt, u shkrua ditë për ditë, me një ritëm të tërbuar. Isha në Shkodër atëherë kohë, punoja në një gazetë lokale. Si duket gjithçka e akumuluar në jetë, mungesa e lirisë, shpërtheu në vepër. Edhe ky libër me dha një tjetër mësim që liria pa kufij vret si individin edhe artistin.

 Ndikoi ky libër dhe ky moment për të shkruar romanin “Nudo”?

Po. Tregimet më krijuan një gjendje dehjeje, po të kini parasysh edhe izolimin tonë. Tregimet kishin doza erotizmi deri në pornografi, diçka e re për letërsinë tonë të pamësuar me të tilla shprehje. Do të pushtohesha nga një ndjenjë e çuditshme, vetëbesimi, aq sa do më krijohej bindja që unë qenkam i aftë për të mbërritur gjithçka, pse jo për të pushtuar edhe 1000 shpirtra njerëzorë. Këtu e ka burimin romani “Nudo”. 

“Nudo” është një farsë për vetëbesimin e gënjeshtërt njerëzor deri në paranojë.

Unë vazhdoj të besoj që instinkti bën mrekulli, të cila intelekti shpeshherë i refuzon. Edhe ky libër vazhdon të jetë në kufijtë e një pune të zotëruar nga pavetëdija. E shoh “Nudon” te problemet e egoizmit njerëzor si element shkatërrues.

I vitit 1995, ky roman është përurues i një fryme të re për produktin e letërsisë shqipe të kohës që e mbante njeriun te vetëdija, te prezantimi i tij brenda një bote të pacenuar, korrekte.

Nëse nisem nga faktorë jashtë letërsisë mund ta lidh me njohjen time për herë të parë të Buxatit dhe Kafkës. Duke patur parasysh jetën time në Shkodër, që nuk kisha mundësi të lexoja letërsi të ndaluar, për mua ishin shokues këta autorë. Pashë që mund të shkruhet ndryshe nga ata autorë të mirë shqiptarë me të cilët ishim rritur.

Ju vlejti Buxati për të folur pa frikë për njeriun?

Jo thjesht pa frikë. Gjithçka e njeriut, thotë Buxati, zhvillohet brenda tij, drama e vërtetë, shpresa, iluzioni. Deri atëherë letërsia shqipe na kishte thënë se “gjithçka e njeriut” zhvillohet vetëm në raport me të tjerët e jo me veten.

Me romanet “Triumfi i Gjergj Elez Alisë” dhe “Triumfi i dytë i Gjergj Elez Alisë”, keni hyrë në një fazë të re: përdorimi i legjendës për të treguar tani për vetminë dhe dobësinë, anët e pasme të jetës së heroit.

Nuk përbëjnë objekt të punës sime si shkrimtar as demistifikimi, as analizat e legjendave. Unë thjesht hyj te praktika e njohur post-moderne t’i përdor mitet në shërbim të një qëllimi krijues: njohja e vetvetes. Kam qenë në një fazë të vështirë në atë periudhë. Letërsia ime ka një theks të qartë biografik dhe më duhej ta pasqyroja këtë gjendje. Mirëpo, thotë bukur Niçeja, që artistët kanë nevojë për një maskë përndryshe banalizohet akti krijues. Kërkova e më erdhi si me porosi Gjergj Elez Alia. Ai kishte plagë në trup, unë plagë shpirtërore si çdo krijesë. Gjeta fate të përbashkëta por në realitete të ndryshme. Raporti i individit me të keqen dhe e keqja që merr fytyrën e Balozit. Në pjesën e dytë që u botua nga “Buzuku” në Prishtinë, e keqja edhe mund të shmanget, të shpërfillet, pra ideja e indiferencës njerëzore.

Ndërsa në pjesën e tretë, mendoja që e keqja, sipas parimit kristian mund të luftohet me dashuri. Kjo pjesë nuk më ka ecur. Nuk jam gati, nuk jam i bindur.

Bën përshtypje roli që i jepni urrejtjes, si mekanizmi i cili i shërben njeriut për të hyrë në dialog me veten.

Është e vërtetë. Jo rrallë herë urrejtja është një gjenerator energjish. Por unë kam dëshirë të besoj që është pak iluzion ideja e lëvizjes së individit mbi bazën e këtij motori, sepse vjen një moment dhe kthehet në shkatërrim të individit. Ka efektin e një stimuli e një droge si cigarja që pi pafundësisht unë që më qetëson dhe si pa e kuptuar kthehet në helm, bëhet pjesë e natyrës. Prandaj kërkoj që t’i kthehem një ditë pjesës së tretë me besimin te triumfi i dashurisë në këtë botë. Por shenjat nuk janë pranë kësaj bindjeje.

Jo më larg se vjet botoni në Prishtinë një vepër që është një operacion i rishkrimit mbi Kanun. Si keni vepruar?

“Kanuni i Lekës së vogël” është libri më domethënës i punës që është shkruar me logjikë të ftohtë. Duke jetuar në një realitet si veriu ku kanuni është problem shqetësues mendova t’i përgjigjem kësaj situate duke e rishkruar të gjitha nenet e Kanunit, me një besnikëri postmoderne që teoricienët e quajnë palimpsest. Kam ndërhyrë në nene të rëndësishme për martesën, për të cilën Kanuni thotë se është një bashkim i rëndësishëm i burrit me gruan, unë them i burrit me burrin. Apo në disa nene ku Kanuni mban qëndrim të ashpër ndaj gruas po edhe duke dënuar pozicionon aktual të femrës në shoqëritë moderne. Qëllimi është të jem i ashpër me kanunin që është një objekt për studim, po edhe të japë një panoramë të shoqërisë bashkëkohore.

Në operacione të tilla të intertekstualitetit, pastiche-it e palimpsestit, materiali faktik dhe fictioni krijon një kontekst të ri tekstual.

Në romanin e ri “Legjenda e vetmisë” i referoheni një legjende të moçme sipas të cilës nëna martohet më vrasësin e të shoqit dhe qorron birin. Këtu nuk ka më dyshim: dashuria nuk do ta shpëtojë botën.

Një mik i imi prift, nga Tuzi, do më jepte një përmbledhje të këngëve popullore nga malësitë përreth liqenit të Shkodrës. Mua më tërhoqi vëmendjen një këngë mbështetur mbi një histori të vërtetë. Aty ka momente të fatit tim njerëzor.

Është luajtur me legjendën në gjuhën shqipe, po nëse nuk e tejkalojmë legjendën atëherë përse duhet të merremi me të? Unë jam përpjekur ta tejkaloj.

Në romanet e mi ka pak personazhe që veprojnë në një rreth të ngushtë familjar e miqësor. Nuk është shoqëria personazh tek veprat e mia. Janë disa zona të përbotshme që ndryshojnë formë por jo thelb. Ky personazh e pëson verbimin nga individë që duhej të ishin engjëlli i tij mbrojtës. Kjo është letërsia thotë Kafka, një sëpatë që duhet ta çajë detin e ngrirë brenda nesh. Që është ngrirë më shumë se kurrë.

Ishit i ftuar në Universitetin e Barit për të bërë një prezantim të letërsisë bashkëkohore shqipe. Moderatori Livio Muci, që është edhe botuesi juaj i parë me shtëpinë botuese “Çabej” hodhi për diskutim pyetjen: Ku është letërsia shqipe “pas Kadaresë”? Jeni dakord me këtë kufi që vihet për letërsinë e re shqipe?


E mora më shumë si një provokim. U përgjigja që nuk isha dakord me një konstatim të tillë. Letërsia e një vendi sado i rëndësishëm të jetë një autor siç është në të vërtetë Kadare, nuk mund të identifikohet me një autor. Edhe qielli s’ka kuptim me një yll qoftë edhe dielli. Letërsia shqipe vazhdon të shkruhet, për mendimin tim mirë, me një këndvështrim të ri, me një ndjeshmëri të re. Por ajo që vazhdon të jetë e vjetër, është çështja e interesit e letërsisë së pas ’90-ës për ta lexuar e interpretuar këtë letërsi. Them se mungon ndjeshmëria e mendimit tonë letrar, po edhe përgatitja, përndryshe nuk ka si shpjegohet riciklimi i autorëve të realizmit socialist. Ata janë dominantë me paraqitjet letrare, me çmimet që u jepen.

Autorët bëjnë libra dhe libri më tej duhet të përballet me politikat e botimit, me kritikën. Në këtë pjesë nuk e ka të lehtë letërsia e sotme. Për shembull “Legjenda e vetmisë” është hedhur në qarkullim prej disa mujash, me tirazh 500 kopje dhe asnjë recension nuk patur deri tani. Ju akoma nuk e dini si është pritur.

Jam mësuar me një situatë të tillë absurde. E nganjëherë them se do isha i lumtur që edhe të mallkohej ky libër, të shahej, po të kishte një mendim. Ky është mjerimi i mendimit kritik letrar, indiferenca.

Ju ndani të njëjtin fat me autorët shqiptarë, izolimin brenda një tregu shqiptar. Mospërkthimi i identifikon veprat e tyre si letërsi lokale.

Mendimi i përgjithshëm është që vepra që përkthehet është vepër e mirë. Ky është edhe mendimi i katedrave, i kritikëve, i botuesve. Normalisht unë nuk jam dakord me një bindje të tillë. Më duket mjaft e thjeshtëzuar. Kjo është më shumë logjika e tregut. E veprave të shitshme. Vazhdoj të kem bindjen se e rëndësishme është vlera. Përkthimi ka të bëjë edhe me shkathtësinë e autorit. Në seminar mua m’u bë një pyetje: çfarë i ofroni ju lexuesit perëndimor? Pra a i përshtateni? Po pse duhet të bëj të tilla kalkulime një autor! Sot s’ka ndryshuar koncepti. Libri gjithnjë e shumë po futet në kategorinë e mallit. Po unë e mbaj veten (qesh).

E krahasuat frymëzimin me një burim që vjen edhe shteron. Çfarë ndodh pas një përvoje mbi 25-vjeçare në një skenë të vogël letrare?

Në një shpjegim disi vulgar shkrimtari krahasohet me një pus, ku ka ujë të kthjellët lart, po ka edhe papastërti e ndoshta edhe gjarpërinj, një pus që një ditë ndoshta shteron. Por janë të çuditshëm burimet që e furnizojnë. Kam patur frikën e shterimit kur ka ndodhur që janë hapur disa damarë në tokë të panjohur prej meje. Diku jam shprehur që krijimtaria e një shkrimtari nuk zgjat më shumë se 10 vjet, por ndoshta e kam patur për atë periudhë kur letërsia merrej tepër seriozisht. Kurse kohët e sotme mund ta shtrijnë në 20-30 vjet krijimtarinë e shkrimtarit duke vënë në punë veç mekanizmave të brendshme edhe lojën intelektuale. Jep mundësi post-modernizmi për këto lojëra që s’kërkojnë edhe shumë mund shpirtëror. Post-modernizmi e ka zgjatur fazën e krijuesit e të shkrimtarit.

Jeni para fillimit në vitit të ri akademik...

Nesër do të kthehem në fakultet. Studentët i trajtoj si lexues potencialë dhe përpiqem t’i afroj sa më shumë me librin në këtë kohë anti-libër.

Nuk ju kanë munguar herë pas here kritikat ndaj programeve universitare.

Nuk janë në natyrën time shqetësime të tilla. Shqetësimi im është individi, drejt ku po arrin ky njeri. Punohet pak me njeriun falë një formalizmi me të cilin i kemi mbushur programet tona. Nuk jam aspak kundër kualifikimit shkencor por kur këto kthehen në qëllim në vetvete.

Takimi

Prej gjashtë vitesh Universiteti i Studimeve “Aldo Moro” në Bari zhvillon Kurset për Raportet Ndëradriatike “Të tregosh dhe të ndërtosh një Europë adriatike”. Këtë vit u zhvilluan më 20-29 shtator. Organizatorë janë Fakulteti i Shkencave Politike, i Gjuhëve dhe Letërsive të huaja, Fondacioni “Gramsci” në Pulia etj.

Studiues, profesorë, sociologë, gazetarë, artistë, shkrimtarë, nga vendet që lag Adriatiku, trajtojnë përballë studentëve, tema nga fushat përkatëse. Shqipëria ishte subjekt në tri diskutime. Në takimin “Kujtesa e udhëtimit midis Italisë dhe Shqipëri” morën pjesë Alessandro Leogrande, Onofrio Romano, Giuseppe Cascione, Genti Puka. Për kinemanë bashkëkohore shqiptare ishin ftuar Gjergj Xhuvani e Roland Sejko dhe për letërsinë e sotme shqiptare Ridvan Dibra, Livio Muci e Irena Lama.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama