Dobesim i pabesueshem
- Botuar: 12 vite më parë
- Shkruar nga:
Në vitin 2011, britanikut James Mason, mjekët i dhanë vetëm pesë vjet jetë për të jetuar. I shëndoshë 250 kile, 27-vjeçari kishte ndërlikime të shumta shëndetësore dhe trupi i tij nuk ishte më në gjendje të përballonte dhjamin e tepërt. “Dënimi me vdekje”, që i shqiptuan mjekët, ishte ai që i ndryshoi jetën të riut. Në një provë të pabesueshme vullneti, Mason vendosi që më në fund të bënte diçka për jetën e tij.
Ai u zhvendos në Tajlandë, ku u regjistrua në një kamp për mësimin e sportit marcial të “kick-box”. Në nëntë muaj stërvitje të përditshme, Mason humbi 150 kilogramë, duke u rikthyer në peshën e 100 kilogramëve, të cilën e kishte tejkaluar që prej adoleshencës së tij. Stërvitja e tij përbëhej nga 5.5 kilometra vrap çdo mëngjes me barkun bosh, shoqëruar nga një sallatë me fruta, që pasoheshin nga katër orë stërvitje intensive. Një dobësim i pabesueshëm, mesatarisht 17 kile të humbura në muaj, si rrjedhojë e dietës së veçantë dhe stërvitjes së vazhdueshme, që tashmë kanë rikthyer ish-mbajtësin e përmasës 8XL, në peshën ideale, duke zgjidhur problemet e tij shëndetësore dhe ëndërron për një karrierë si mësues i sportit marcial në Britani.
“Në gjimnaz isha kapiten i skuadrës së basketbollit dhe kisha një peshë të përshtatshme, por pastaj nisa punë si shitës makinash dhe u demblesa. Vit pas viti vetëm shtoja në peshë, deri sa më doli jashtë kontrollit. Megjithatë, kur mjekët më thanë se pa bërë diçka do të vdisja, u ndërgjegjësova dhe vendosa se dua të jetoj. Tashmë ndihem i rilindur”, thotë Mason.