Një nga veçoritë e familjeve elbasanase dhe sidomos në kala ishin martesat ndërmjet tyre. Kështu, shumë prej tyre kanë lidhje të dyfishtë miqësore e fisnore. Kur shkëmbimi në martesa po kthehej në një rreth të mbyllur, atëherë familjet i kaluan muret duke shkëmbyer me Kavajën dhe më pas me qytetet e tjera.
Edhe familja Dodbiba nuk kishte si t'i shpëtonte këtij shkëmbimi duke qenë se ekzistonte prej shekujsh në Elbasan e mbërritur nga veriu. Kështu, motra e Lef Nosit u martua me Anastas Dodbibën dhe mbesa e saj ishte nëna e Kol Popës. Po kështu, lidhje gjaku familja Dodbiba krijoi me familjen Paparisto dhe kjo lidhje me familje të njohura e forcoi edhe më shumë pozicionn e saj. Anastasi Dodbiba u martua me Thanas Floqin, një ndër firmëtarët e aktit të pavarësisë në 1912-n, i cili ka jetuar për një periudhë të gjatë në Elbasan pranë familjes Dodbiba. Sokrat Dodbiba do të kujtohet ndër breza jo vetëm për kontributin e tij në institucione të rëndësishme dhe kthimin në Shqipëri të thesarit të shtetit nga Italia, por edhe për përndjekjen dhe fundin tragjik në burgun e Burrelit.
Një nga djemtë Dodbiba, Federiku, sjell kujtimet e kësaj familjeje nëpërmjet dëshmive, materialeve të trashëguara dhe gjithçkaje që ka mbetur, edhe pse nuk mundi të shpëtonte nga efekti komunizëm.
Ç'mund të thoni për paraardhësit tuaj?
Familja Dodbiba njihet të paktën që në shekullin XV, por nga ata breza nuk kemi shumë dokumente dhe emra. Me sa kam mësuar, një nga Dodbibat e vjetër është Sifi, i cili sipas dëshmive dhe dokumenteve ka qenë drejtues i esnafeve të vjetra të paktën në shekujt XVI-XVII. Brez pas brezi janë ruajtur edhe emrat, të cilët janë trashëguar. Koha kur familja kujtohet nga ne fillon me Jani Dodbibën i vitlindjes 1838, i cili është edhe stërgjyshi im. Jani kishte katër fëmijë: Aleksandrin, Anastasin, Dhimitrin dhe Sifin. Nga këta, Aleksandri lindi Llambin e Petrin. Petri kishte si fëmijë Lirakun, Lirinë dhe Teftën. Liraku u bë i njohur, studioi në Francë dhe ishte një nga autorët e teksteve frëngjisht duke lënë shumë studime për terminologjinë dhe studimet gjuhësore.
Unë jam një prej djemve të Josif Dodbibës, i cili ishte djali i Anastasit. Xhaxhai im, Sokrat Dodbiba është një personazh që ka pasur një formim intelektual duke drejtuar edhe poste të vështira për kohën. Fëmijët e tjerë të Anastasit ishte Jani dhe Anastasia. Anastasi Dodbiba u martua me Thanas Floqin, një nga firmëtarët e aktit të Pavarësisë në 1912-n. Ai kontribuoi për pavarësinë nëpërmjet punës intelektuale, por edhe si luftëtar. Pas pavarësisë ai u vendos në Elbasan dhe ndërtoi një shtëpi në këtë lagje ku jetojmë ne sot. Kishte vëlla Kristo Floqin, një ndër komedianët e njohur të kohës.
Gjyshja juaj, Polikseni, është një personazh i njohur në histori?
Polikseni ishte përfaqësuesja më e denjë e familjes për vetë pozicionin e saj, por edhe për familjen nga vinte. Gjyshja ime ishte motra e Lef Nosit dhe unë krenohem me këtë. Nëna e Kolë Popës ishte mbesa e Poliksenit. Lidhjet midis familjeve janë të shumta. P.sh. me doktor Nosin jemi kushërinj të dyfishtë. Babai im doktor Nosin e kishte kushëri të parë. Kur doktor Nosi u martua së dyti, mori nuse nga Korça, e cila ishte tezja e nënës sime. Gjyshja kishte kaluar mjaft fatkeqësi pasi një djalë i vdiq në burg, ndërsa një vëlla ia pushkatuan. Një nga momentet më të vështira për gjyshen time ishte kur Kolë Paparisto doli dëshmitar kundër Sokratit, në gjyqin e tij. Kolë Paparisto ishte djali i mbesës së Poliksenit. Gjyshja ime e ka mallkuar duke i thënë mbarofsh i vetmuar. Ky mallkim e gjeti e ai vdiq në Korçë në një hotel.
Në fisin Dodbiba, emër të pashuar ka lënë Sokrati...
Sokrat Dodbiba, xhaxhai im shkoi në Austri për shkencat ekonomike me ndihmën e tim eti, i cili ishte orëndreqës dhe kontribuoi që Sokrati të mbaronte studimet. Në vitin 1943, kur Shqipëria u pushtua nga gjermanët, Sokrat Dodbiba ishte ministër i Financave. Emërimin e bëri daja i tij, pra Lef Nosi, vëllai i gjyshes sime. Ai u caktua ministër i Financave jo se ishte nipi, pasi Lefi nuk favorizonte askënd, por sepse tek Sokrati kishte parë një njeri të besueshëm dhe korrekt, pa llogaritur arsimin e lartë për shkenca ekonomike. Në fakt, në familjen tonë ekziston një histori që tregon se Sokrati nuk lëshonte pe: Një person i vjen babait tim, Sifit, i cili ishte orëndreqës në dyqanin e tij dhe i thotë se do të paguante deri në 13 napolona florinj nëse im atë do t'i merrte të vëllait një letër që ai të lëvizte në kufi pa u kontrolluar. Babai im pranoi të shkonte pasi sasia e parave ishte e madhe. Sokratin e takoi në zyrë e ia tregoi të gjithë historinë duke i thënë se kishte shkuar për një punë zyrtare. Sokrati hesht për pak dhe i thotë se daja i tij, Lef Nosi, nuk e kishte caktuar të bënte veprime të tilla, të spekullonte me atë që ishte pasuria e popullit shqiptar. "Duke të dhënë këtë letër, atëherë nuk do të paguhej dogana ndaj shtetit dhe unë do të shkelja ligjet. Detyrimin që kam ndaj teje, do ta laj me punën time, por duhet të jemi të pastër", ishte përgjigjja që Sokrati i dha tim eti, Sifit.
Në fakt, Sokrati bashkë me të shoqen ndërtuan një shtëpi në Tiranë. Flitet se paratë për ndërtimin e kësaj shtëpie ishin nga paja e bashkëshortes së tij. Ai nuk jetoi së bashku me gruan në këtë shtëpi, që ndodhej tek Rruga e Elbasanit, por kishin marrë një shtëpi të vogël me qira. Pak para Çlirimit, në '43-shin, ai mendonte se në rast se do të jetonte aty, do të rrezikonte jetën e tij dhe bashkëshortes, kështu që shtëpinë e re ia dha me qira legatës turke. Pas çlirimit u arrestua e dënua me burgim të përjetshëm, por dënimi iu ul duke shkuar deri në 30 vjet. Në atë kohë dy qenë personazhet që administruan thesarin shqiptar: Sokrat Dodbiba dhe Mitrush Kuteli. Këta të dy janë ata që mundën ta mbanin pasurinë e Shqipërisë këtu, duke ndërhyrë edhe tek gjermanët.
Çfarë problemesh patët nga burgosja e xhaxhait tuaj?
Pas arrestimit të xhaxhait, iu mor edhe shtëpia, ndërsa e shoqja vdiq e vetme në një shtëpi të marrë me qira. Ndërsa vëllezërit e tij, im atë dhe Jani reaguan në mënyra të ndryshme. Jani ishte mekanik dhe kishte një ofiçinë. Të bijtë ishin komunistë që luftonin për një ideal. Ata ishin: Pirro Dodbiba, nënsekretar i parë në Gramsh, Niko Dodbiba ambasador në Bullgari, Bardhyl Dodbiba, komandant i përgjithshëm i zjarrfikësve të Shqipërisë, ndërsa Henrieta, motra e tyre, u martua me Llazar Siliqin. Kur u burgos Sokrati, Jani u shkëput dhe nuk deshi të dijë më për vëllanë. Ndoshta kjo erdhi pasi ai donte të mbronte fëmijët dhe zgjodhi rrugën e mohimit.
I vetmi që i ka shkuar në burg Sokratit pas burgosjes, ishte im atë. Ai u mor me tregti dhe kishte ndërtuar një shtëpi dhe një dyqan, të cilat u shtetëzuan pas çlirimit. Pasi u arrestua Sokrati, babanë e thërritën dhe i thanë se xhaxhai ishte armik i popullit dhe duhet ta braktiste. Madje e kërcënuan, duke i thënë se në të kundërt do të merreshin dhe me të. Vendosmëria e tim eti bëri që t'i vinin një tatim prej 400 mijë lekësh, ndërsa mua më përjashtuan nga shkolla për agjitacion e propagandë.
Ç'ndodhi me xhaxhanë?
Babai nuk e braktisi asnjëherë atë. Herën e fundit që shkoi për t'i çuar pakon e muajit, Sokrati ishte shumë keq. Babai tregon se ai vetëm e ka përshëndetur nga larg. Kur e kishte pyetur se ç'donte t'i sillte herë tjetër, ai kishte thënë vetëm një pjatë gjellë. Sipas të dhënave që kemi, Sokrati vdiq nga mungesa e vitaminave në burgun e Burrelit.
Po ju, si pasardhës i Dodbibajve?
Unë ndoqa zanatin e babait si orëndreqës. Vetëm me këtë zanat munda të mbaj familjen. Si një ndër nipërit Dodbiba, kam parë të gjithë luftën që u bë me një pjesë të familjes, qysh nga pronat e konfiskuara e deri tek burgimet që përndoqën emra të njohur që në histori janë fiksuar për mbrojtjen e thesarit të shtetit dhe korrektësinë në punë. Në heshtje, kjo familje ka përtypur vitet e komunizmit deri në vitet e demokracisë. Me lidhje të afërta me Lef Nosin, familja Dodbiba, ndër familjet e pasura të Elbasanit, u përndoq, por për fat munda të vazhdoj punën dhe të ushqej familjen. Pas demokracisë kemi mundur të marrim disa prej pronave tona.
Frederiku tashmë është pensionist dhe ka dy djem. Ai është mjaft krenar për familjen që vinte nga veriu i Shqipërisë, por që u bë pjesë integrale e Elbasanit dhe krijoi lidhje të forta me të gjitha familjet intelektuale të kohës.
Bardha Nergjoni : Gazeta Shekulli