Doganat Spiropali Kemi arketuar 6 miliarde leke me shume

Doganat, Spiropali: Kemi arketuar 6 miliarde leke me shume

Drejtoresha e përgjithshme e Doganave, Erisa Spiropali, ka bërë një analizë të punës së bërë gjatë tre muajve të para të qeverisë së re. Ajo e cilësoi si mjaft të suksesshëm tremujorin e fundit të vitit 2013, sa i përket mbledhjes së të ardhurave. Në një konferencë për shtyp nga Kryeministria, Spiropali theksoi se në 100 ditë të administratës së re doganore janë arkëtuar 16.5 miliardë lekë.

 

“Dhjetori i 2013-ës rezulton të jetë muaji më i suksesshëm në mbledhjen e të ardhurave në historinë e doganës me 16.5 miliard lekë të arkëtuara ose 165 milionë dollarë. Me një realizim rekord të parashikimit financiar  prej 129 për qind. Në dhjetor 2013 ka arkëtuar për shtetin shqiptar  4.2 miliardë lekë më shumë se dhjetor 2012. Rezulton se në tremujorin tetor-nëntor-dhjetor janë arkëtuar  6 miliardë më shumë se në të njëjtin muaj të vitit paraardhës”, tha Spiropali.

 

Sipas drejtoreshës së doganave, këto arritje nuk janë një rastësi, por rezultat i një serie masash të ndërmarra në fushën organizative, por edhe në atë të luftës antikorrupsion duke prerë dhe ndëshkuar lidhjet korruptive brenda sistemit doganor.

 

“Drejtoria e përgjithshme e doganave ka reformuar një pjesë të madhe të administratës, duke marrë masa për zbatimin e ligjit dhe ndëshkimit të akteve të korrupsionit me masa administrative dhe penale deri në nivelet më të larta të administratës”, shtoi Spiropali.

 

Drejtoresha e Doganave kërkoi nga Prokuroria të veprojë sa i përket rasteve korruptive të raportuara nga kjo administratë. “Drejtoria e përgjithshme e Doganave ka evidentuar shkelje të kodit doganor apo ligjeve të akcizës me penalitete deri 2 miliardë lekë dhe për të gjitha shkeljet e evidentuara dhe të raportuara nxisin Prokurorinë të veprojë dhe mbetemi shpresëplotë se ky institucion do kryejë deri në fund detyrën, që i ngarkon ligji për të dhënë shembullin e ndëshkimit dhe për të shmangur në të ardhmen abuzimet, nga individë apo grupe me pushtet që dëmtojnë rëndë buxhetin e shtetit”, tha Spiropali.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama