TIRANË, 21 Tetor /ATSH- I. Vata/ -Në ambientet e Komandës së Forcës Detare është organizuar një cermoni ku ishin te pranishem ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, komandantë të forcave dhe njësive, atashe ushtarakë të akredituar në Tiranë dhe personeli i Forcës Detare.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Jeronim Bazo, i dorëzoi flamurin e njësisë gjeneral brigade Ylber Dogjani të sapodekretuar komandant i Forcës Detare. Lajmi bëhet i ditur nga faqja zyrtare Forcat e Armatosura të Shqipërisë si dhe në statusin social Facebook, ku aktiviteti ilustrohet edhe me foto.
Ministrja e Mbrojtjes duke uruar gjeneral Dogjanin për marrjen e detyrës u shpreh se "ashtu siç është i paprekshëm territori ynë, siç është e paprekshme siguria jonë. Shqipëria është pjesë e Aleancës NATO dhe si e tillë është pjesë e një mbrojtjeje kolektive që e bën territorin e Republikës së Shqipërisë të tillë, pra të paprekshëm. Por, nënvizoi ajo më tej, projeksioni ynë për të ardhmen është çdo ditë dhe më tepër i komplikuar për shkak të komplikacioneve që vijnë dhe rreziqet nga të gjitha anët, qofshin këto edhe nga deti. Ndaj është në detyrimin tim kushtetues, të shefit të Shtabit të Përgjithshëm, të drejtuesit tashmë të ri të Forcës Detare dhe të gjithëve ju bashkë, që të jemi në një linjë dhe të punojmë me devotshmërinë për të cilën jemi betuar".
"Ndihem i vlerësuar për detyrën e besuar, por në të njëjtën kohë ndjej edhe përgjegjësinë që mbart një detyrë e tillë. Do të vë gjithë energjitë e mia në interes të detyrës së marrë dhe jam i bindur, që me mbështetjen edhe të personelit të Forcës Detare, së bashku do t'ia dalim të përmbushim me sukses misionin dhe detyrat që ka Forca Detare", u shpreh gjeneral Dogjani në fjalën e tij përuruese të marrjes së detyrës. /a.ke/