Shqiperia humbet 5 vende krahasuar me vitin e shkuar, ne raportin e Bankes Boterore “Doing Business 2014″, një vëzhgim mbi lehtësirat e të bërit biznes në 189 vende të botës. Kete vit ajo renditet ne vendin e 90-te, nderkohe qe vjet renditej e 85-ta në klasifikim.
Raporti merr në shqyrtim 10 tregues të cilët lidhen me kompleksitetin dhe kostot e proceseve rregulatore si dhe me kuadrin ligjor dhe institucional me të cilin ndeshet një aktivitet biznesi. Pothuajse të gjithë treguesit për Shqipërinë kanë mbetur të pandryshuar, sipas raportit të këtij viti, dhe vendi përmendet vetëm se ka lehtësuar pagesat për korporatat, të cilat, taksat mbi të ardhurat mund t’i paguajnë tanimë cdo tremujor.
Përkeqësimi i pozicionit të Shqipërisë duket se është ndikuar më së shumti nga përmirësimet e vendeve të tjera, ndërkohë që në ndryshim nga një vit më parë, në listë janë shtuar edhe katër shtete të tjera.
Shqipëria vazhdon të ruajë një vlerësim mjaft pozitiv përsa i përket treguesve që lidhen me marrjen e një kredie apo me mbrojtjen që gëzojnë investitorët, ku ajo është respektivisht në vend të 13 dhe 14, në përmirësim nga viti i shkuar. Ajo është gjithashtu në pozicion të mirë edhe me treguesit që lidhen me zgjidhjen e problemeve të likuiditetit (klasifikohet e 62-ta) apo dhe me hapjen e një biznesi, ku klasifikohet e 76-a, 14 pozicione më keq se një vit më parë e ku rezulton që të ketë një shtim në procedura dhe një rritje të lehtë të kostove.
Ndërkohë që Shqipëria vazhdon të mbetet e fundit në treguesin për lejet e ndërtimit, ashtu si dhe gjatë viteve të shkuara. Një vlerësim negativ sërish edhe për kriterin e energjisë, që mat lehtësinë me të cilën një biznes mund të sigurojë furnizimin elektrik. Shqipëria është e 158-a.
Ndonëse ende në brezin e fundit të klasifikimit, Shqipëria ka përmirësuar pozitën e saj përsa i përket pagesës së taksave, duke u renditur e 146, nga vendi i 160 në të cilin ndodhej vitin e shkuar. Ndërsa ka një përkeqësim të fortë, duke humbur 39 pozicione, në treguesin e respektimit të kontratave, ku nga vendi i 85-të ka shkuar në të 124-in. (Voa)