Doing Business Shqiperia ne vend te 68-te

'Doing Business': Shqiperia ne vend te 68-te

Raporti i “Doing Business” e ka renditur Shqipërinë në vendin e 68-të në botë, përsa i përket ekonomisë dhe lehtësisë për të ngritur një biznes në vend. Kryeministri Edi Rama e cilësoi raportin një lajm të mirë për vendin dhe sipërmarrjen, duke pasur një rritje prej 40 vendesh sipas klasifikimit të Bankës Botërore:

"Lajm i mirë për kë do Shqipërinë e punës dhe sipërmarrjes: Ngjitemi 40 vende në klasifikimin e Bankës Botërore për kushtet e bërjes biznes", tha Rama.

Edhe ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj shprehet tepër i kënaqur për këtë vlerësim të Shqipërisë. Në profilin e tij në Facebook, Ahmetaj deklaron se Shqipëria mban vendin e 68-të në botë, duke shënuar një arritje për ekonominë tonë, dhe një përmirësim vitin e parë të qeverisjes.

“Sot e filluam ditën me një lajm fantastik për ekonominë shqiptare dhe klimën e biznesit në vend, të cilin dua ta ndaj edhe me ju. Raporti “Doing Business” i Bankës Botërore, publikuar sot, e rendit Shqipërinë në vendin e 68 në botë. Në vetëm 1 vit në detyrë arritëm një përmirësim prej 22 vendesh në renditje. Këto janë lajmet e mira që vazhdojnë të vijnë për ekonominë tonë. Modeli i ri ekonomik ka filluar të funksionojë”, shprehet Ahmetaj.

Raporti thekson se janë përmirësuar kushtet për hapjen e një biznesi të ri, me uljen e tarifave të regjistrimit të biznesit. Po ashtu raporti identifikon përmirësime në sektorin e ndërtimit, ku nënvizon se ka rifilluar nxjerrja e lejeve të ndërtimit si dhe janë konsoliduar në një dokument të vetëm lejet për truallin dhe për ndërtimin.

Gjatë vitit të kaluar raporti vëren përparim edhe në transferimin e pasurisë, me vendosjen e afateve kohore dhe digjitalizimin e dokumentacionit për pasuritë e patundshme. Raporti arrin në përfundimin se klima e zhvillimit të biznesit në Shqipëri është përmirësuar me 6.3 pikë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama